Nga porta në sulm për misionin “Superiore”, Tomori e nis me 6 goditje në një ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 8:31

Nga porta në sulm për misionin “Superiore”, Tomori e nis me 6 goditje në një ditë

Tomori e nis me “vrull” merkaton. Në ditën e parë të përgatitjeve, vijnë edhe 6 afrime. Beratasit nuk e kanë në plan të kursehen dhe kjo duket qartë nga emrat të cilët u shfaqën në ambientet e stadiumit dje. Portieri Oltion Haremi, mbrojtësit Ledjon Ruço e Rudin Nako, mesfushori Amarildo Dimo dhe sulmuesit Mikel Canka, Brunild Pepa ishin në Berat e mund të quhen që tani përforcime. Ata, edhe pse nuk u stërvitën, e ndoqën atë të ulur në pankinë. Lojtarët kanë arritur akordin me drejtuesit dhe pasi të kryejnë formalitet kontraktuale, do të vihen nën urdhrat e Bledar Sinellës.

tOMORI

DIMO

Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Amarildo Dimon, i cili sqaroi motivin e pranisë në Berat. Mesfushori me përvojë e quan thuajse të mbyllur kalimin te Tomori, si për vete ashtu edhe 5 kolegët e tij. “Unë së bashku me pesë kolegët e mi nuk jemi rastësisht sot (dje) në Berat. I jemi përgjigjur një ftese që na ka ardhur për të qenë pjesë e Tomorit sezonin e ardhshëm. Të jemi të sinqertë, firma jonë do të jetë thjesht një formalitet në kontratën e bashkëpunimit. Po të kemi parasysh emrin dhe traditën e Tomorit dhe mbi të gjitha ambientin elektrizues, që të gjithë e kemi provuar si kundërshtar në këtë stadium, s’ka asnjë mëdyshje që do të firmosim pa hezitim.

Dimo Apolonia

Kjo edhe për faktin se klubi dhe Bashkia e Beratit janë një nga shembujt më pozitivë në futbollin shqiptar, kështu që unë dhe shokët e mi takimin me kryebashkiakun Demo e konsiderojmë si një formalitet. Dy vite më parë, ish-tekniku Gersi Arbëri më kërkoi te Tomori dhe them me bindje se ndonjëherë një lëvizje e vonuar del më për mirë. Ndaj dhe mezi pres të bashkohem me skuadrën e njohur dhe tifozët më entuziastë në vendin tonë”, u shpreh mesfushori 37-vjeçar.

STËRVITJA

Ka nisur zyrtarisht stërvitja për sezonin e ri futbollistik 2020-2021 dhe duhet thënë që atmosfera ishte më shumë se entuziaste. Në orën 18:00 skuadra zbarkoi në fushë dhe para se të fillonin nga puna, administratori Ismet Ajazi prezantoi trajnerin Bledar Sinella, ndihmësin e tij Klodian Arbërin dhe përgatitësin e portierëve Madrid Muxhaj. Nën urdhrat e stafit teknik ishin jo pak, por 23 futbollistë. Veç atyre që mbyllën sezonin e kaluar, binte në sy edhe afrimi i sulmuesit Ervis Saraçi nga Naftëtari.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"