Nga Pleurat Tahiri/ Ajeti dhe Mirushi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 21:30

Nga Pleurat Tahiri/ Ajeti dhe Mirushi…

Nga PLEURAT TAHIRI

4

Është folur e shkruar shumë për Ajet Toskën, për rezultatet e tij të nivelit ndërkombëtar në flakjen e çekiçit me 75.92 metra. Por, rezultati i tij ballafaqohet dhe mbetet cilësor edhe në shtete me nivel të lartë në atletikë dhe me tradita në flakjen e çekiçit, si dihet se është SHBA. Duke shfletuar revistën e përmuajshme të atletëve të SHBA “Track&Field”, rezulton se rekordi i Ajetit në kampionatet e SHBA renditet në pozicione nderi.

Në kampionatin e SHBA për vitin 2006 vendi i parë doli me rezultatin 75.32, Ajeti 75.92 (do të renditej në vendin e tretë). Në kampionatin e SHBA për vitin 2010 vendi i parë në flakjen e çekiçit ishte 76.50 metra. Ajeti 75.92 (do të zinte vendin e dytë). Po të kemi parasysh që Ajeti rezultatin rekord e ka dhënë në vitin 1986, më 22 gusht, domethënë 20 dhe 24 vjet para dy kampionateve që kemi marrë për krahasim, rezultati i Ajetit merr akoma më tepër vlera. Në Olimpiadën e vitit 1984 vendi i parë në flakjen e çekiçit ka qenë 78.08 metra Ajeti erdhi në shkollën e mesme të Mjeshtërisë Sportive pranë ILKF “Vojo Kushi” pa u marrë më parë me atletikë.

Nuk e njihte garën e flakjes së çekiçit, por ishte me një fizik të përshtatshëm për hedhjet. U inkuadrua në grupin e hedhësve të çekiçit që drejtohesh nga trajneri i apasionuar, tepër punëtor, Mirush Deliallisi, i cili iu vu me një zell të admirueshëm njohjes së teknikës së çekiçit deri në detaje dhe përgatitjes për rezultate të larta. Trajnerët në botë janë profesionistë, merren vetëm me stërvitjen dhe problemet rreth saj. Mirushi para dite jepte mësim dhe kohën e lirë, që e kishte të pakët, ia kushtonte sistemimit dhe përmirësimit të rezultateve në disiplinat e hedhjeve, të cilën në çekiç Ajeti dhe Mirushi e çuan deri mbi 75 metra.

Ajeti dhe trajneri i tij Mirushi ishin një sinkronizim i shkëlqyer, me vullnet, me pasion, me ndërgjegje të lartë. Mirushi në grupin e hedhësve të çekiçit çoi në nivel të kënaqshëm rezultatesh edhe atletë të tjerë. Arben Guraziun në kufirin e 62 metrave dhe Leonard Xhillarin në kufirin e 60 metrave. Ajeti ishte shumë i talentuar, por talentin e tij rrallë e progresoi në nivele ndërkombëtare së bashku me profesionalizmin e trajnerit Mirush Deliallisi.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Pesëshja e vitit, atletika, drama e sportit dhe mendimi i çmueshëm i të paharrueshmit Pleurat Tahiri…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"