Nga pjesëmarrja e 1 mijë tifozëve tek festa dhe leksioni i qytetarisë së shkodranëve, ja pikantet e finales Skënderbeu-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2021 | 21:33

Nga pjesëmarrja e 1 mijë tifozëve tek festa dhe leksioni i qytetarisë së shkodranëve, ja pikantet e finales Skënderbeu-Vllaznia

“Panorama Sport” ju sjell pikantet dhe ato çfarë nuk u panë në finalen e Kupës që u zhvillua me tifozë në “Air Albania”:

Skenderbeu-Vllaznia finalja

* Finalja e Kupë së Shqipërisë, Skënderbeu-Vllaznia, zyrtarisht ka kthyer tifozët në stadiumet shqiptare, ku hyrja u krye me biletë. Pak para fillimit të ndeshjes, autoritetet shtetërore lejuan që takimin ta ndiqnin rreth 1 mijë tifozë. Spektatorët e pranishëm u pozicionuan në të katra tribunat, ku peshën më të madhe e mbante ajo kryesorja. Të pranishëm në këtë finale ishim afro tre mijë veta, ku mbizotëronin shkodranët. Prania e tifozëve i dha atmosferë dhe bukuri ndeshjes. Hyrja e tifozëve në stadium me biletë ka vijuar deri në minutën e 25-të të ndeshjes.

Vllaznia festa

* Pandemia vazhdon akoma, por në këtë ndeshje, ndonëse kishte prani tifozësh, njerëzit që mbanin maskë mbrojtëse ishin të paktë. * Drejtuesit e Vllaznisë ishin të parët që arritën në stadium dhe të shumtë në numër të udhëhequr nga kryebashkiakja, Voltana Ademi, e cila është gëzuar pa masë kur ka parë në stadium yllin e muzikës popullore shkodrane, Bujar Qamili, që vjen pas kalimit të një sëmundjeje. Madje, Ademi u çua nga vendi i saj dhe shkoi e përqafoi këngëtarin. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka mbërritur në stadium 10 minuta para fillimit të ndeshjes.

* Të pranishëm në stadium ishin shumë drejtues të klubeve të tjera shqiptare, ish-futbollistë të kombëtares me në krye Edvin Muaratin, ish-drejtues dhe sportistë të Vllaznisë, personazhe të artit, si dhe futbollistë shqiptarë që luajnë në Kosovë dhe Maqedoni.

* Minuta e dytë. Goditje këndi për Vllazninë. Adili dhe Zguro kapen me duar në zonë, ndërkohë ndërhyn arbitri Xhaja dhe i këshillon.

* Minuta 35. Adili dëmtohet dhe del jashtë fushës për të marrë ndihmën mjekësore. Trajneri Brdariç thërret Krymin dhe i kërkon që të zërë vendin e Adilit në qendër të mbrojtjes.

Vllaznia2

* Gjyqtari i katërt Rejdi Avdo ka pasur shumë punë gjatë ndeshjes, pasi i është dashur të “markojë” shpesh trajnerin e Vllaznisë, Tomas Brdariç, pasi sa herë ndërhynin stafet mjekësore, tekniku gjerman kalonte vijën anësore duke hyrë në fushë për të udhëzuar lojtarët e tij. Të dy trajnerët, Brdariç-Memelli, kanë qenë impulsivë në drejtim gjatë ndeshjes, por më shumë “timonieri” i Vllaznisë.

* Pas përfundimit të pjesës së parë, kur lojtarët po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, një tifoz ofendon në distancë Vangjel Zguron, i cili me gjeste dhe ofendime ia kthen. Ofendimet nga tifozët shkodranë për mbrojtësin e Skënderbeut vijuan edhe në pjesën e dytë.

* Në përfundim të pjesës së parë, kur lojtarët po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, Taipi i Skënderbeut foli për “SuperSport”. Në këtë moment kaloi Adili dhe e puthi lojtarin në kokë.

* Minuta 68. Pusi i kërkon llogari Mensahut për shpërdorimin e një rasti për gol. Më pas mundohet që të karikojë shokët e tij të ekipit.

Vllaznia festa2

* Mbrojtësi i Skënderbeut, Melos Bajrami, kishte harruar fanellën në dhomat e zhveshjes. Në momentin që i kërkohet të futet në fushë (minuta e 75-të), ai habitet dhe më pas shkon me nxitim për të marrë.

* Minuta 78. Taipi merr përsipër të gjuajë një top nga këndi duke përdorur një hile, pasi e vendosi topin jashtë zonës përkatëse. Tifozët shkodranë bërtasin dhe u tërheqin vëmendjen gjyqtarëve dhe Xhaja e urdhëron mesfushorin që ta vendosë topin në vendin e caktuar.

* Minuta 85. Portieri Zogiviç gabon duke u dhënë korçarëve një mundësi për të gjuajtur nga këndi. Malazezi inatoset me veten, por Adili shkon dhe e përkrah, në mënyrë që portieri të mos e ketë mendjen aty.

Vllaznia ngritja e trofeut

* Vërshëllima përfundimtare ka bërë që stadiumi të shpërthejë në festë, ku përqafimet e shkodranëve nuk kanë kufi, si në fushë dhe tribuna.

* Leksion qytetarie, Vllaznia bën tunel parakalimi për Skënderbeun, pasi e mundi në finalen e Kupës së Shqipërisë. Një gjest i rrallë, që nuk jemi mësuar ta shikojmë shpesh në ndeshjet e futbollit shqiptar, sidomos kur bëhet fjalë për një finale. * Gëzimi i tifozëve shkodranë në përfundim të finales ka qenë legjitim dhe i gjithë stadiumin “Air Albania” ishte në pushtetin e tyre. Madje, kishte edhe ata, mbështetës të brezit të ri që thonin: “Më në fund e pashë edhe unë një Kupë të Vllaznisë. Në çdo pjesë të stadiumit edhe në parking, kishte festë. Kryebashkiakja Ademi ka qenë ndër më të lakmuarit për të pranishmit, të cilët bënë foto me të parën e qytetit të tyre. Festa ka vijuar edhe në rrugën e kryeqytetit për t’u zhvendosur më vonë në qytetin ku Vllaznia konsiderohet “dashni”, Shkodër.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"