Nga Pirro Dhima te futbolli, rrëfehet Calja: Jam milanist, Ronaldo më i mirë se Mesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 22:31

Nga Pirro Dhima te futbolli, rrëfehet Calja: Jam milanist, Ronaldo më i mirë se Mesi

Me garën e fundit të zhvilluar në Doha të Katarit, peshëngritësi Briken Calja uli siparin e një viti të jashtëzakonshëm. 29-vjeçari i shtoi edhe tri medalje të tjera koleksionit të tij personal duke e nderuar edhe një herë tjetër flamurin tonë kombëtar. Por kampioni i shtangës kuqezi, nuk kërkon ta kthejë kokën pas dhe është më i uritur se kurrë për të kërkuar suksese të reja. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai rrëfen vitin 2019 dhe zbulon objektivat për të ardhmen, ku është i bindur se do të futet në histori si medalisti i parë shqiptar në olimpiadë. Calja gjithashtu flet edhe për Pirro Dhimën, ndërsa tregon edhe pasionet përtej peshëngritjes. 

briken calja

Briken, si do ta komentonit garën tuaj të fundit për këtë sezon, atë të zhvilluar në Doha, ku morët edhe tri medaljet e radhës?

Pa diskutim që ishte një eksperiencë e bukur. Ishte një garë e rëndësishme pasi bëhej fjalë për një kampionat kualifikues për në Lojërat Olimpike. Arrita të marr tri medalje bronzi që është një rezultat mjaft i mirë. Gjithashtu duke siguruar edhe kualifikimin për në Tokio, që konsiderohet edhe si qershia mbi tortë, pasi është një arritje e jashtëzakonshme. Ishte një fitore e madhe, pasi të sigurosh prezencën në olimpiadë në këtë situatë ku ndodhet sporti sot, është diçka e pamundur.

Cili është bilanci për vitin që po lëmë pas? 

Një bilanc tepër pozitiv, pasi kam arritur të fitoj 13 medalje. 1 ari duke dalë kampion Europe në shkëputje dhe dy medalje të tjera argjendi në Europian në stilin e shtytjes dhe në dygarësh. Mbi të gjitha është medalja e Botërorit, e cila është një arritje shumë e madhe për të gjithë sportin shqiptar, pasi janë arritje shumë të pakta në historinë shqiptare. Një vit ku kam marrë rezultate të shkëlqyera, të cilat askush në Shqipëri nuk i ka arritur. Këtu nuk flas vetëm për vitin 2019 por për të gjitha kohërat.

briken calja

Keni ndonjë keqardhje, diçka që ju ka mbetur peng, të cilën mund ta bënit më mirë?

Keqardhja më e madhe është Kampionati Botëror, sepse ishin detaje të vogla që më hoqën mundësinë e thyerjes së rekordit europian. Gjithashtu dhe dështimi për dy medaljet e tjera, pasi u penalizova nga pesha. Kisha problem me peshën, ku nga 76 kg vajta 78 kg. Kjo bëri që të sforcohem për të rënë nga pesha dhe rrjedhimisht ndikon te forma. Gjithashtu pësova edhe një dëmtim disa ditë para kampionatit gjatë nxehjes, por tashmë çdo gjë ka kaluar.

Momenti më i mirë? 

Momentet më të mira kanë qenë shpallja kampion Europe, vendi i tretë në Botëror, si dhe gara e fundit në Doha.

Momenti më i vështirë? 

Ka disa momente, por po veçoj garën e fundit ku rrezikoja pjesëmarrjen pasi një ditë para garës në Doha, pësova një dëmtim dhe vetëm falë doktorëve ia dola që të paktën të merrja pjesë, pasi e kisha të pamundur të lëvizja qafën. Fatmirësisht ia dola, edhe pse me një sforco të madhe, arrita që të marr tri medalje bronzi.

briken calja

Pas gjithë kësaj karriere të suksesshme, çfarë mendoni kur e ktheni kokën pas dhe shikoni arritjet? 

E vetmja gjë që unë shikoj ka të bëjë me të ardhmen. Synimi im është fitimi i medaljeve të tjera. Tashmë po futemi në vitin e Olimpiadës.

Cili është objektivi i Caljes në Tokio?

Objektivi im është i qartë. Do të shkoj në Lojërat Olimpike me synimin e vetëm për të fituar medalje, të parën në historinë shqiptare.

Si e konsideroni nivelin aktual të shtangës në vendin tonë?

Mendoj që po ecim përpara, por kemi nevojë për më shumë mbështetje duke qenë se problematikat janë të shumta si në çdo fushë tjetër në Shqipëri, ashtu edhe në peshëngritje. Pa anën financiare është e pamundur që të pretendosh rezultate. Federata po punon por mendoj që duhet të bëjë edhe më shumë pasi situata lë për të dëshiruar.

Kujt ia dedikoni gjitha këto suksese që keni arritur?

Familjes sime që më ka qëndruar pranë gjithmonë. Gjithashtu dua të falënderoj stafin me trajnerët Gerald Toska, Sokol Bishanaku dhe zv.trajnerin Vanin Toska, pasi pa ta nuk do të isha këtu. Pa harruar edhe klubin e Tiranës për të gjithë mbështetjen që më ka dhënë. ÇufoFitnes që më ka përkrahur gjithmonë.

Si ju ka lindur pasioni për shtangën?

Kam lindur në Shtërmen, në një fshat ku që të gjithë moshatarët e mi e praktikonin peshëngritjen, pasi ka qenë i vetmi sport. Që në fëmijëri më pëlqente peshëngritja, pa harruar edhe xhaxhain tim, i cili ka qenë nga nismëtarët e parë që më ka futur në ekipin e peshëngritjes. Që nga ai moment i jam fokusuar totalisht këtij sporti.

briken calja

Si e shikoni brezin e ri të peshëngritësve? 

Ka elementë cilësorë, të cilët duhet të punojnë më shumë. Gjithsesi, mund të them se është një brez ku nuk mungojnë talentet.

Çfarë mendoni për Pirro Dhimën? 

Ai gjykohet për vendimin që ka marrë, por nuk duhet të harrojmë që zgjedhja e tij e ka bërë kampion olimpik, rekordmen olimpik dhe kampion bote. Zgjedhje që e ka bërë Dhimën një ndër njerëzit më të famshëm dhe më pozitivë për shkak të karrierës së tij. Në Shqipëri e shikojnë në një tjetër mënyrë duke e quajtur tradhtar, por unë mendoj që nuk është tradhti. Atë që i ka dhënë Greqia nuk mund ta merrte asnjëherë këtu.

Keni menduar ndonjëherë të përfaqësoni shtet tjetër? 

Jo, kurrë! Pavarësisht problemeve të vazhdueshme që unë kam pasur.

Të dalim pak jashtë peshëngritjes. Cili është hobi juaj? 

Nuk është se kam një të veçantë, por më pëlqen të udhëtoj.

Cilat sporte ju tërheqin më shumë?

Pa diskutim që ndër sportet më të bukura dhe më tërheqëse janë futbolli dhe boksi.

Për cilën skuadër futbolli bëni tifo në Shqipëri? 

Nuk kam një ekip të preferuar, por më pëlqejnë Tirana, Partizani dhe Skënderbeu.

Calja

Po nga klubet e huaja?

Unë jam milanist. Është klubi për të cilin bëj tifo, edhe pse po kalon një periudhë të vështirë, mbetet Milan.

Nëse nuk do ishit bërë peshëngritës çfarë profesioni mund të kishit zgjedhur?

Mendoj se do të kisha zgjedhur futbollin, pasi kam qenë edhe lojtar i mirë. Gjithashtu kam qenë i mirë edhe në atletikë, sidomos në sprint. Por besoj se futbolli do të më shkonte më shumë për shtat, pasi kam qenë edhe teknik.

Si është një ditë normale e Caljes? 

Unë nuk kam asnjë ditë normale, jam anormal në gjithçka. Jam gjatë gjithë kohës i përkushtuar ndaj peshëngritjes, pasi për të mbajtur të tilla nivele, sigurisht që duhet të privohesh nga shumë gjëra. Dita ime është palestër-shtëpi.

Cili ka qenë apo është idhulli juaj?

Kam shumë idhuj, në peshëngritje po përmend Pirro Dhimën. Në futboll janë Maldini apo Kaka, të cilët janë ikona të këtij sporti.

Mesi apo Ronaldo? 

Ronaldo.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"