Nga pikët tek kalendari, Tirana me laps në dorë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 21:13

Nga pikët tek kalendari, Tirana me laps në dorë për titullin

Te Tirana kanë nisur llog aritjet. Me laps e letër bardheblutë po shohin të gjitha llogaritë e mundshme që i shpallin kampionë. Aktualisht janë me 37 pikë në krye të renditjes dhe kanë gjashtë pikë më larg si Kukësin dhe Laçin, dy skuadrat që mbajnë vendin e dytë dhe të tretë.

Tirana

Orges Shehi dhe drejtuesit e Tiranës mendojnë se tani është momenti për të bërë llogaritë.

PIKËT – Tirana ka grumbulluar 17 pikë këtë fazë të dytë dhe nëse fiton me Kukësin, do të rrumbullakoste 20 pikë, njëlloj si në fazën e parë.

Me këtë ritëm i bie që 25 herë kampionët në fund të fazës së tretë të jenë kampionë të shpallur të Shqipërisë, sepse asnjë ekip këto vitet e fundit nuk ka shkuar më shumë se 65-70 pikë.

Pra, Tiranës në 18 javë, gjithmonë nëse fiton me Kukësin, mund t’i duhen vetëm 25 maksimumi 30 pikë.

KALENDARI – Pika e fortë e Tiranës tani që flasim është kalendari. Në pesë ndeshjet e ardhshme, Tirana luan në shtëpi me Kukësin, Skënderbeun, Egnatian dhe Laçin, luan jashtë vetëm me Kastriotin, një kundërshtar jo shumë të fortë. Qëllimi është që skuadra të fitojë me Kukësin, Laçin dhe tri ndeshjet e vogla.

Do të thoshte 15 pikë dhe 52 në total. Me shumë mundësi bardheblutë do të ishin kampionë të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, nëse mundin Laçin dhe Kukësin e çojnë diferencën me ta në renditje në nëntë pikë.

Kjo do të thoshte “vrasje” kampionati. Gjithsesi, si fillim skuadra duhet të kalojë Kukësin dhe më pas të mendojë për ndeshjet e tjera. Në fazën e parë Tirana ka fituar pesë ndeshje rresht, duke mundur Laçin, Teutën, Partizanin, Dinamon dhe Vllazninë. Shpreson që ta përsërisë këtë herë duke mposhtur ekipet që ka përpara.

Të njëjtën gjë bëri edhe Egboja sezonin e titullit. Ishte pikërisht sfida e përmbysjes me Kukësin që solli ndryshimin e madh.

Një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe këtë kampionat, ndërsa pengu i vetëm i bardhebluve mbetet takimi me Vllazninë ku skuadra mori një pikë, por nuk gjuajti asnjëherë në portë. Ndeshje që është harruar, ashtu si edhe sfida me Dinamon. Te Tirana mendojnë vetëm për Kukësin.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"