Nga piceria e Kumbullës te finalja, rrëfehet analisti kuqezi: Tani është momenti i tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 18:05

Nga piceria e Kumbullës te finalja, rrëfehet analisti kuqezi: Tani është momenti i tij

Me pasion të madh për futbollin dhe analist i ndeshjeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Alariko Rosi nuk e di nëse do t’ia dalë që të shohë finalen e Ligës së Konferencës në “stadiumin e tij”, “Air Albania”.

Alariko Rosi

Me biletat është vërtet një bast dhe nuk ka për të gjithë të punësuarit në federatë”, thotë ai për “Il Romanista”. Rosi ka mbërritur në Shqipëri me stafin e ish-trajnerit Panuçi pesë vite më parë dhe nuk është kthyer më.

MOMENTI I KUMBULLËS

“Tani është momenti i tij, këtu është një idhull, flitet shumë për të sidomos tani që do të jetë edhe pjesë e kësaj finaleje. Në fushë është ai, me një skuadër italiane dhe shqiptarët kanë për italianët një respekt të madh. Kur unë kam arritur këtu me Panuçin, ndeshjen e katërt kemi luajtur kundër Italisë. Një moment dhe 15 mijë shqiptarë kanë kënduar himnin italian dhe ne jemi habitur dhe kemi pyetur njëri-tjetrin: ‘Po çfarë po ndodh, nuk po luajmë në shtëpi?’”

LIDHJA ME ITALINË

“Nuk e di numrin e saktë, po do të jetë plot, do të bëjnë tifo për Romën dhe Kumbullën. Me holandezët nuk kanë shumë raporte dhe nuk ka pasur emigrim drejt Holandës. Këtu janë rritur me televizionet italiane, sidomos në vitet ‘90. Regjimi komunist në atë kohë donte që antenat e TV të ktheheshin të gjitha drejt malit, për të shfaqur vetëm disa televizione. Gjithsesi, natën ata i kthenin antenat drejt detit, për në Itali. Italia shihet si liri, sepse përballë detit kishte liri për ta, ndërsa mbrapa ishin telat me gjemba dhe malet. Prapa kishte telat me gjemba dhe malet”. TIFOZË TË SERISË A – “E ndjekin deri në detaje. Edhe pse ishte false, po për shembull banderola ‘Tare na lër shtëpinë’ e tifozëve të Romës bëri shumë lajm këtu. Xhiroi gjithë rrjetin në të gjitha sajtet shqiptare”.

MENDIMI PËR KUMBULLËN SI ANALIST

“E njoh mirë Marashin, sepse ka qenë me ne në rrugëtimin e moshave, përveç asaj U-21 sepse ka kaluar nga U-19 në Kombëtaren e parë të Shqipërisë. Ne e dimë që në fillim dhe mund të them se cilësitë e tij kryesore nuk janë ato të futbollit: janë edukimi, inteligjenca, aplikon për punë si pak futbollistë të tjerë, i kupton gjërat përpara të tjerëve dhe pavarësisht se është vetëm 22 vjeç, është mes liderëve të skuadrës sonë. Nëse nuk luan, Kumbulla nuk mendon si futbollistët e tjerë, si ‘Trajneri është një gomar dhe nuk më lejon të luaj’, ndërsa ai pyet se ku ka gabuar dhe si mund të përmirësohet. Mendërisht është një lojtar modern, që ka një kulturë pune. Një herë kam qenë te piceria e babait të tij dhe e kam kuptuar sekretin e Marashit. Është me fat që ka një familje të tillë, me kulturën e punës”.

ECURIA E ZBEHTË

“Nuk e shikoj kështu, sepse kjo është tipike te të rinjtë dhe ata kanë një periudhë përshtatje pas shpërthimit. Kur vjen dhe askush nuk pret shumë nga ti dhe ti rri në vend. Pastaj lindin pritshmëritë dhe t’i duhet të luftosh. Fillimisht Kumbulla u vu në plan të dytë dhe duhet ta ketë vuajtur këtë, por në këtë periudhë ai është fanella më e shitur e Kombëtares”.

MIRËPRITJA E SHQIPTARËVE

“Pritshmëria e tifozëve është e madhe, banorët e Tiranës janë rreth 1 milion e pak më shumë, le të themi që 800 mijë janë në zonën qendrore. Ata që vijnë do të kenë një mikpritje të madhe, por pa dyshim respekti duhet të jetë edhe nga tifozët që do të vijnë, përndryshe gjërat mund të ndërlikohen. Shqiptarët janë një popull shumë mikpritës dhe shumë i sjellshëm. Tirana është bërë kryeqytet për shkak të pozicionit qendror. Kush nuk gjen vend në Tiranë, duhet të dijë se në kryeqytet mund të arrihet nga çdo qytet i Shqipërisë nga të gjitha anët, për 2-3 orë maksimumi me makinë. Më pas sigurisht që do të ketë zona të dallueshme ku do të mirëpriten tifozët, një për tifozët e Romës dhe një për të Fejnordit”.

STADIUMI

“Stadiumi është një monument i vërtetë për Tiranën, është ndërtuar në kohën e luftës, por është rindërtuar tërësisht në vitin 2019, me një projekt për më shumë se 50 milionë euro. Mund të merret si shembull në Itali. Karakterizohet nga një kullë në të cilën ndodhen zyrat, së shpejti do të hapet hotel ‘Marriot’ me 20 kate dhe të gjitha strukturat tregtare do të kompensojnë koston e ndërtimit të stadiumit. Stadiumi është i hapur 24 orë në ditë, në tribunën qendrore ka bare dhe restorante ku mund të darkoni ose të pini një aperitiv duke parë fushën, edhe kur nuk luani. Dhe nga sheshi qendror i qytetit mund të arrini në këmbë, 1500 metra rrugë. Ndërkohë nga brenda ka një akustikë të veçantë, e kemi kuptuar edhe kur kemi luajtur me Kombëtaren, por edhe për një karakteristikë të popullit shqiptar që kur gjerat shkojnë mirë fishkëllejnë dhe bëhet gati shurdhuese. Investimi i federatës për finalen ishte pikërisht për të ribërë fushën, terreni është natyral i përzier me sintetik. Askush nuk po luan aty prej dy muajsh pasi stadium është në pronësi të Federatës Shqiptare për Kombëtaren”.

QYTETI

“I qetë, nuk ka krime të rëndomta në rrugë dhe rrëmujë, pastaj dita e finales do të jetë histori më vete”, përfundon Rosi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"