Nga pezullimi te dënimi, shumë hetime dhe gjyqe për çështjen “Skënderbeu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 22:47

Nga pezullimi te dënimi, shumë hetime dhe gjyqe për çështjen “Skënderbeu”

Në maj të 2016-ës, Skënderbeu u shpall kampion i Shqipërisë, por një muaj më vonë, u mësua se klubi korçar nuk mund të merrte pjesë në Ligën e Kampioneve. Kampionët u pezulluan me një vit për të mos marrë pjesë në Kupat e Europës, për shkak të trukimit të ndeshjeve.

skenderbeu1

Më vonë u zbulua se ai ishte vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA-s, që kishte lënë në fuqi atë të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, që e kishte pezulluar skuadrën korçare me 1 vit. Me një dosje voluminoze, ku në të ishin 52 ndeshje të dyshuara si të trukuara, UEFA sapo kishte nisur një proces të gjatë ndaj klubit kampion të Shqipërisë, ku synimi ishte për të faktuar manipulimin e rezultateve për përfitime bastesh.

Më pas, çështja u ankimua nga skuadra e Skënderbeut në KAS Lozanë, ku edhe aty korçarët dolën të humbur. Gjatë 2017-ës, ishte Komisioni i Etikës pranë FSHF-së që vendosi t’i hiqte titullin e 2016-ës skuadrës korçare. Skënderbeu sërish nuk u ndal dhe e ka ankimuar këtë në KAS, ku çështja është në shqyrtim dhe pritet që shumë shpejt të merret një vendim.

Por, gjatë këtyre dy viteve, inspektorët e UEFA-s kanë hetuar në lidhje me këtë çështje dhe tashmë gjithçka është mbyllur. Pritet që pas disa javësh, dënimi 10-vjeçar për Skënderbeun të zyrtarizohet dhe bëhet publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"