Nga Pele te Krojf, Maradona e Ronaldo, 22 njëmbëdhjetëshet ideale të Botërorëve/ Është edhe Leo Mesi
Kampionati botëror i futbollit, çdo katër vjet mbledh lojtarët më të mirë në planet, ajkën e futbollit. Po flasim për lojtarë, të cilët e dinë se Botërori mund të jetë trampolina e duhur për t’u ngjitur në përjetësi, për t’u bërë pjesë e historisë, duke mbrojtur fanellat e vendit që përfaqësojnë.
Në përfundim të çdo kampionati botëror, vjen momenti i bërjes së bilanceve, llogarive. Një nga detyrat më delikate, më të vështira, është përzgjedhja e formacionit ideal. Për gati një shekull, specialistëve më të mirë të futbollit u është dashur të kuptojnë se si të krijojnë një skuadër “par excellence” për çdo Kupë Bote.
NGA LEGJENDA NË LEGJENDË – Që nga kampionati i parë botëror në Uruguai (1930) deri në “Katar 2022”, me radhë, Pushkash, Jashin, Garrinça, Eusebio, Bekenbauer, Krojf, Ziko, Maradona, Maldini, Zidan, Ronaldo, Iniesta dhe tani Leo Mesi janë përfshirë në formacionin më të mirë të kompeticionit. E veçanta ka të bëjë pikërisht me Lionel Mesin, të cilit i është dashur të presë Botërorin e tij të pestë për të qenë dhe ai pjesë e 11-shes më të mirë të këtij kompeticioni. Ishte fare pranë në vitin 2014.
Ai me Argjentinën mbërritën deri në finalen e “Marakanës”. Por edhe pse u shpall lojtari më i mirë i finales, në mënyrë të habitshme, Leo u la jashtë 11-shes më të mirë nga FIFA. Një vend i tillë ngjalli mjaft polemika asokohe. Por tani në Katar është ndryshe. Në “Katar 2022” ishte ai që udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të tretë të saj në histori.
E udhëhoqi me gola, me pasime për gol dhe me personalitet. Natyrisht që edhe kur vjen puna te formacionet më të mira të Botërorëve ka plot yje që kanë mbetur jashtë. Një nga rastet pikante është ai i legjendës së Realit të Madridit, Alfredo di Stefano.
Kjo pasi ai nuk ka luajtur asnjë Botëror, qoftë me Argjentinën, qoftë me Spanjën. Diskutimi vlen edhe për Kristiano Ronaldon. Ndonëse pjesëmarrës në pesë Botërorë me Portugalinë e tij, ai nuk ka mundur asnjëherë të përfshihet në 11-shen më të mirë të kompeticionit.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL
