Nga pathyeshmëria te golat/ 121 vite futboll, ja të gjitha rekordet në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 21:21

Nga pathyeshmëria te golat/ 121 vite futboll, ja të gjitha rekordet në Itali

Çdo ndeshje futbolli është një histori më vete, imagjino një sezon i tërë i Serisë A. Prandaj, edhe ky i 121-ti që pritet të startojë fundjavën e 13-14 gushtit do të ketë një mori me histori e kapituj për të shkruar, por pse jo edhe rekorde të reja për të vendosur. Nga skuadrat e pamposhtura në një sezon të plotë tek ekipi që ka grumbulluar më tepër pikë…

Serie A

Nga 125 golat e pakapshëm të Torinos te lojtari me më shumë dopieta e tripleta… Prandaj, nëse një skuadër apo një futbollist i Serisë A sivjet ka nevojë për frymëzim mjafton që të lexojë rekordet më të mëdha ndër vite për të zbritur i karikuar në fushën e lojës, në këtë sezon të ri.

– Rekordi i fitoreve radhazi i përket Interit, me 17 të tillë, i vendosur mes tetorit 2006 dhe shkurtit 2007.

– Rekordi i pathyeshmërisë është i Milanit, me 58 ndeshje pa shijuar humbjen. Kjo seri e frikshme u vendos mes majit të vitit 1991 dhe marsit 1993.

– Ka fitues, por ka edhe humbës rekordmenë si Bresha, e cila mes shkurtit 1995 dhe gushtit 1997 (mes harkut të dy kampionateve të Serisë B), pësoi 16 disfata radhazi.

– Ka edhe skuadra të pathyeshme në një sezon të plotë, por ato janë me pikatore, më saktë vetëm tri të tilla: Juventusi 2011-2012 (38 ndeshje dhe në fund kampion); Milani 1991-1992 (34 javë dhe në fund kampion) si dhe Peruxha 1978-1979 (30 javë, por në fund titullin e fitoi Milani).

– Rekordi i pikëve në një sezon të vetëm, në epokën e 3 pikëve për fitore (nga 1994- 1995), i përket Juventusit të Antonio Kontes (sezoni 2-13- 2014, 102 pikë).

– Ka rekord pozitiv, por ka dhe negativ pikësh (sërish në epokën e tri pikëve për ndeshje). Primatin e mban Bresha e sezonit 1994-1995, e cila mundi të grumbullojë vetëm 12 të tillë pas 34 javëve.

– Nëse marrim tri rezultatet e mundshme që garanton një ndeshje dhe për një vit të plotë futbollistik, atëherë skuadra me numrin më të madh të fitoreve është Juventusi në 2013-2014 me 33 suksese; Mantova me rekord barazimesh në 1966-1967 (22) dhe Benevento në sezonin 2017-2018 është skuadra me rekordin e humbjeve sezonale, 29 të tilla.

– Lidhur me golat, skuadra që ka mundur të shënojë më shumë në një sezon të vetëm është Torino 1947-1948 me 125 realizime, ndërsa ekipi që ka pësuar më shumë në një sezon është Krotone në 2020- 2021 (92 gola).

– Futbolli është edhe nerv, tension, prandaj kur “amperi” rritet bën që Napoli i sezonit 1997-1998 dhe Verona e 2000-2001 janë dy skuadrat me më shumë kartonë të kuq (17 të tillë) në historinë e Serisë A.

– Ky që starton do të jetë edicioni numër 121 i Serisë A, i cili si skuadrën më fituese në ndeshjen hapëse të tij ka parë Juventusin me 58 të tilla.

– Deri më sot, numri më i madh i golave që një futbollist ka shënuar në një sezon të Serisë A është 36 dhe ai ndahet mes dy bomberave: Gonzalo Higuainit me Napolin në 2015-2016 dhe Çiro Imobile me Lacion në 2019-2020.

– Të shënosh shumë dhe shpesh është bukur, por të shënosh më shumë se një gol për ndeshje, pra dy e sipër është diçka që bën shumë zhurmë. Prandaj, lidhur me bomberat e shumëfishtë në Serinë A, brenda një sezoni, rekordin e dopietave e mban Oliver Bierhof (10 të tilla me Udinezen në 1997-1998); rekordi i tripletave është i ndarë mes Xhuzepe Meacës (Inter 1929-1930), Guaita (Roma 1934-1935), Valentino Macola (Torino 1946-1947), Nyers (Inter 1950-1951), Pedro Manfredini (Roma 1960-1961) dhe Omar Sivori (Juventus 1960- 1961), që të gjithë në kuotën 4.

– Një ndeshje fitohet edhe nga vendi, pra duke përdorur të gjithë klasin e mundshëm nga një goditje dënimi. Rekordi i golave me top të ndalur brenda një sezoni mbahet nga 4 futbollistë: Kristiano Lukareli (Livorno 2004-2005), Alesandro del Piero (Juventus 2008-2009), Françesk Lodi (Katania 2012-2013) dhe Andrea Pirlo (Juventus 2012- 2013), që të gjithë me 5 realizime me goditje dënimi.

– Nga toka në ajër… Ka specialistë edhe të goditjes, ku i paarritshëm është Luka Toni, i cili në sezonin 2005-2006, arriti që me Fiorentinën brenda sezonit të shënojë 12 gola me kokë.

– Është bukur të shënosh, por nëse nuk ke shokë skuadre që ta bëjnë më të lehtë këtë punë, atëherë është gjithçka e kotë. Asistmeni më i mirë deri më sot është Alehandro “Papu” Gomez, i cili me Atalantën e mbylli sezonin 2019- 2020 në kuotën e 16 asisteve.

– Në futboll një rol specifik dhe shumë të vlefshëm ka edhe portieri, pasi shpesh pritjet e tyre vlejë sa një gol, ndoshta edhe më shumë sesa një gol. Prandaj, nëse marrim ata që kanë mbajtur më tepër portën e paprekur brenda një sezoni, ky rekord i përket Xhanluixhi Bufonit me Juventusin në 2012-2013 e 2015- 2015 si dhe Morgan de Sanktisit me Romën në 2013-2014, të cilët mbyllën 21 takime pa pësuar gol. Ndërkohë, portieri që numëron numrin më të madh të golave të pësuar në një sezon është Kordaz, i cili në 2020-2021 me Krotonen pësoi 91 na 92 golat në total të skuadrës së tij.

– Kartonët me ngjyra të ndryshme janë një “semafor” i rrezikshëm në futboll, por ka nga ata që nuk kanë frikë t’i marrin. Lojtari i ndëshkuar me më shumë të verdhë në historinë e një sezoni të Serisë A është Daniele Konti (16 me Kaljarin në 2012-2013), ndërsa lojtarët më shpesh të përjashtuar janë Luixhi Apolloni (Verona 2000-2001) dhe Gabriel Paleta (Milan 2016- 2017) me 5 të kuq secili.

– Seria A ka njohur adoleshentë që kanë shkelur fushat e saj, ku rekordin e më të riut që ka luajtur i takon Uidom Ameit në BolonjëXhenoa të 12 majit 2021, në moshën 15 vjeç e 274 ditë. Ndërkohë, lojtari më i ri që ka shënuar është Amedeo Amadei në Roma-Lukeze të 9 majit 1937, në moshën 15 vjeç e 287 ditë.

– Ndërkohë, lidhur me më të moshuarit, rekordi i përket ish-portierit lacial, Marko Balota (Lacio-Xhenoa 11 maj 2008), në moshën 44 vjeç e 38 ditë. Ndërkohë që goleadori më i vjetër është Alesandro “Billi” Kostakurta në MilanUdineze të 19 majit 2007, në moshën 41 vjeç e 25 ditë.

– Fitorja më e thellë në histori ka ndodhur më 2 maj 1948, kur Torino mposhti 10-0 Alesandrin.

– Ndërkohë, ndeshja me më shumë gola në një sfidë të Serisë A është Milan-Atalanta 9-3 (sezoni 1972-1973).

– Sezoni i Serisë A që ka ofruar më shumë gola se kushdo tjetër është ai 1949-1950, i cili ofroi një mesatare prej 3.33 golash për ndeshje, ose 1265 gola në total. Sulmi më i mirë i kampionatit ishte Milani me 118 realizime.

– Të kesh një jetë në fushë është një krenari, ku rekordmeni i Serisë A është Xhanluixhi Bufon me 657 prezenca, ndërkohë që podiumin e plotësojnë Paolo Maldini me 647 dhe Françesko Toti me 619.

– Futbolli luhet për të fituar dhe fitojnë ata që shënojnë më shumë sesa kundërshtari. Prandaj, edhe pse në fund ky aspekt nuk është më pak i rëndësishmi, përkundrazi, rekordmenët e golit janë Silvio Piola me 274 realizime, Françesko Toti me 250, Gunar Nordahl 225, ndërkohë që dhjetëshja e parë plotësohet nga Meaca (216), Altafini (216), Di Natale (209), Baxho (205), Hamrin (190) dhe Xhilardino, Del Piero e Sinjori me 188 gola.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"