Nga Partizani, e bëri yll të Serisë A. Adrian Aliaj: Çdo skuadër ka nevojë për një Rrahmani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 18:29

Nga Partizani, e bëri yll të Serisë A. Adrian Aliaj: Çdo skuadër ka nevojë për një Rrahmani

Amir Rrahmani duket se po përjeton një nga momentet më të mira të karrierës së tij. Kapiteni i Kosovës po luan dhe po tregon vlerat edhe me fanellën e Napolit duke bindur skeptikët që mendonin se nuk ishte gati për një skuadër të këtij kalibri. Një rritje e jashtëzakonshme e lojtarit i cili deri disa vite më parë luante në Superiore me fanellën e Partizanit.

Rrahmani2

 

Vetë menaxheri i tij, Adrian Aliaj, i cili e ka shoqëruar në hapat e rëndësishëm të karrierës, ka treguar në një intervistë përtej Adriatikut se beson te cilësitë e këtij futbollisti dhe ka qenë gjithmonë i bindur se do të bënte mirë.

“Pikë së pari dua të them se Napoli nuk ka ndryshuar shumë dhe fakti që nuk ka bërë shumë ndryshime po ndihmon, duke respektuar Fair Play, për më tepër në periudhën e COVID. Pastaj është Spaleti. Nëse Napoli sot është atje lart, është sepse trajneri ka vënë çdo gjë në vend, ka një energji pozitive, shihet dora e tij. Spaleti i ka dhënë Napolit një numër të madh zgjidhjesh, mbrojtja ndikohet nga cilësia e madhe e skuadrës dhe Napoli e ka në çdo repart. Spaleti ka vënë çdo gjë në vend dhe mua më pëlqen shumë ky Napoli. Shihet një frymë e rëndësishme dhe rezultatet vijnë. Por duhet mbajtur koka poshtë, objektivi përfundimtar është ende larg”, tha Aliaj fillimisht në “Radio Punto Nuovo” ku më pas foli mbi Rrahmanin.

rrahmani

“Momenti më i mirë i karrierës? Të presim, ndoshta mund të mbërrijë një titull, mos më bëni të flas më shumë! Amiri është një lojtar i rëndësishëm, nuk kam pasur kurrë dyshime mbi nivelin e tij. Çdo skuadër ka nevojë për një Rrahmani. I duhet dhënë meritë e madhe për mbërritjen e tij drejtorit Kristiano Xhiuntoli. Në qytet ndjen shumë ngrohtësi, kjo e simulon që të bëjë edhe më mirë, gjithmonë më mirë. Rendimenti i tij do të jetë gjithmonë në evoluim”, tha Aliaj për mbrojtësin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"