Nga PAOK-u në Ballsh, mbrojtësi beratas: Ngjis Bylisin dhe kap… Shpresat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2018 | 16:30

Nga PAOK-u në Ballsh, mbrojtësi beratas: Ngjis Bylisin dhe kap… Shpresat

Sadik Çela vetëm 19 vjeç, por i ka idetë e qarta për ardhmen. Synon që të ngjisë Bylisin në elitë dhe vetë të grumbullohet nga Shpresat. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i linjës së majtë, që shpesh shihet edhe në sulm, rrëfen sesi përfundoi në Ballsh nga PAOK-u.

Beratasi i datëlindjes 31.03.1999 që në moshën 10-vjeçare është bërë pjesë e akademisë së klubit të njohur grek, ku u aktivizua deri tek U-20. Më pas provoi që një vit të luajë në Ligën e Tretë helene, derisa në verë erdhi te ballshiotët. Një karrierë në ngjitje për Çelën që ka qenë pjesë e Kombëtareve të moshave të Shqipërisë, nga U-15 e deri tek U-19.

bylis

Sadik, pse zgjodhët Bylisin për të vijuar karrierën?

Ofertat nuk më kanë munguar, të them të drejtën. Ishin disa ekipe që më kontaktuan në Shqipëri, por isha i vendosur që të zgjidhja Bylisin.

Pse kjo vendosmëri?

Këtu kanë ardhur edhe shumë lojtarë që janë aktivizuar me moshat në Greqi dhe ia kanë dalë mbanë. Ndaj edhe unë me këtë plan erdha. Bylisi ka një histori të mirë në futbollin shqiptar, madje ka luajtur në Europë dhe në Superiore ka qenë për shumë vite.

Si po shkon aventura në Ballsh dhe si ju duken kushtet?

Për lojtarët me perspektivë, kushtet janë të duhurat. Stërvitja dhe grumbullimi apo dhe detajet më të vogla janë perfekte. Nuk ka klube as në Superiore që të funksionojnë kështu. Ne grumbullohemi gjithmonë një natë para ndeshjes.

Fitorja në Lushnjë ka rritur moralin në ekip, por në radhë është Pogradeci kryesues. Si e prisni këtë duel?

Ndeshjen në Lushnjë e fituam me zemër. Djemtë dhanë më të mirën. Gjatë javës u motivuam dhe u përgatitëm për të marrë më të mirën dhe ia dolëm. Bylisi tashmë është në garë për Superioren. Besoj se edhe ndaj Pogradecit do të japim më të mirën për të marrë 3 pikët. Luajmë para tifozëve tanë, ndaj është detyrim.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Që Bylisin ta çojmë në Superiore dhe unë të shkoj te Shpresat. Pastaj presidenca ka shitur shumë lojtarë. Për këtë pjesë është herët, kurse dy synimet e para dua që t’i realizoj me patjetër. Unë jam një lojtar që luaj në disa role, madje përshtatem shumë me skemën 3-5-2. Në Greqi e kam nisur si sulmues krahu.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"