Nga pagat te karburanti/ Lushnja kushton 35 mln lekë, ja si ndahet buxheti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2021 | 19:55

Nga pagat te karburanti/ Lushnja kushton 35 mln lekë, ja si ndahet buxheti

Lushnja nuk ka ndër marrë asnjë hap për privatizimin. Ndonëse kanë buxhet të shëndetshëm financiarisht, si pasojë e mbështetjes së madhe që jep vetë bashkia, ky proces duket sikur nuk do të nisë kurrë. Edhe pse korriku përkon me hyrjen në fuqi të ligjit të sportit, verdhejeshilët do të vazhdojnë të jenë në pronësi të plotë të institucionit vendor.

Lushnja-Egnatia

Edhe pse me bilanc pozitiv e me fitime, klubi nuk po shitet dot. Gazeta zbulon ekskluzivisht se kapitali i “KF Lushnja 1930” kushton vetëm 35 milionë lekë (të vjetër). Një shumë jo fort e konsiderueshme në letër.

STATUTI

Flitet për një shoqëri që është themeluar 8 vjet më parë. Saktësisht, më 11.09.2013 dhe e regjistruar pranë QKB-së. Kapitali i regjistruar i shoqërisë është 3,500,000 lekë (të rinj), i ndarë në 3500 aksione, me vlerë nominale 1000 lekë (të rinj) për aksion. Aksionet e kësaj shoqërie zotërohen tërësisht nga Bashkia Lushnjë.

SITUATA

Kapitali themeltar i bilancuar është i njëjtë me atë të përcaktuar në statutin e shoqërisë dhe vendimet e depozituara në QKB. Për vitin 2020 shoqëria ka rezultuar me fitim në shumën 1,817,839 lekë. Ky fitim mbartet në bilancin e vitit pasardhës. Shoqëria ka rezultuar me këtë fitim neto nga grandi që ka dhënë Bashkia e Lushnjës në shumën 39,999,100 lekë (të rinj).

SHPENZIMET

Lushnja ka një buxhet prej 508 milionë lekësh të vjetër, të shtrirë në 12 muaj. Veç 400 milionëve që akordon vetë bashkia e qytetit, 108 milionë do të vijnë nga sekondaret. Të mërkurën e ardhshme do të mblidhet asambleja e përgjithshme e aksionerëve të klubit, ku do të kalohet për miratim fondi dhe pasqyra financiare për sezonin e ri.

Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar se si shpërndahet ky fond me 21 zëra. Nga pagat e deri te shpenzimet operative, do të mbulohen nga ky buxhet që shkon në gjysmë miliardi lekë të vjetër.

BUXHETI PËR 2021

SHPËRNDARJA E 508 MILIONË LEKËVE

1. Pagat e punonjësve dhe pagat e sportistëve kapin një vlerë prej 17,642,000 lekësh, ndërsa sigurimet shoqërore janë në vlerën 2,946,214 lekë. Fondi i veçantë është 882,100 lekë.

2. Pagesat e honorarëve të këshillit mbikëqyrës kapin një vlerë prej 738,720 lekësh.

3. Pagesat për ekspertët kontabël janë parashikuar në vlerën 144,000 lekë.

4. Licencimi i ekipit në FSHF i parashikuar është në vlerën 500,000 lekë.

5. Shpenzime për dieta, hoteleri, në të cilat përfshihen dietat e sportistëve për ndeshjet jashtë fushës dhe fjetja e futbollistëve në ndeshjet që luhen jashtë fushës. Ky zë është parashikuar në vlerën 1,344,000 lekë.

6. Shpenzime për premio, të cilat jepen për fitore të ekipit të parë, në ndeshjet si brenda dhe jashtë fushës. Ky zë është parashikuar në vlerën 700,000 lekë.

7. Shpenzime për fazën përgatitore dhe grumbullim është parashikuar në vlerën 3,192,000 lekë.

8. Zëri kancelari është parashikuar në vlerën 40,000 lekë.

9. Shpenzime për detergjente 40,000 lekë. Këtu përfshihen detergjentet e pastrimit të veshjeve të sportistëve si dhe preparatet për pastrimin e ambienteve të stadiumit. 10. Komisione bankare në shumën 24,000 lekë.

11. Zëri udhëtime të brendshme. Përfshin pagesat për shërbimin e autobusëve për udhëtimin e futbollistëve të ekipit të parë dhe të ekipeve të moshave për ndeshjet jashtë fushe. Është parashikuar vlera prej 1,416,000 lekë. 12. Zëri riparime fushe është parashikuar në vlerën 6,582,266 lekë.

13. Karburanti është parashikuar në vlerën 70,000 lekë. Karburanti do të përdoret për korrësen e barit të tapetit të stadiumit. 14. Energjia elektrike është parashikuar në vlerën 420,000 lekë. Ky parashikim është nisur nga vlera mujore e faturave të vitit paraardhës.

15. Uji i pijshëm parashikohet në vlerën 300,000 lekë.

16. Internet + telefon është parashikuar në vlerën 14,000 lekë. Vendosja e internetit në stadium është një detyrim nga FSHF, pasi për çdo fillim ndeshje bëhet aplikimi “online”.

17. Trajtim ushqimor për sportistët, i cili paguhet çdo muaj është në shumën 3,350,000 lekë.

18. Blerje të ndryshme për nevojat e sh.a.-së është parashikuar në shumën 400,000 lekë.

19. Shërbimi i biletarisë është parashikuar në shumën 1,825,347 lekë.

20. Shërbimi i ruajtjes dhe sigurisë fizike (stjuard) është parashikuar në shumën 1,825,347 lekë.

21. Zëri detyrime të prapambetura është në vlerën 7,571,320 lekë. Në këtë zë përfshihen faturat e palikuiduara deri në datën 31.12.2020 dhe detyrime te prapambetura të futbollistëve. * SHËNIM: Të gjitha shifrat në këtë shpërndarje janë me lekë të rinj

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"