Nga operacioni te shpërthimi, sulmuesi 21-vjeçar: Shpallem golashënues…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 21:12

Nga operacioni te shpërthimi, sulmuesi 21-vjeçar: Shpallem golashënues…

Në morinë e ndeshjeve që u zhvilluan këtë fundjavë në futbollin shqiptar, çudia ndodhi te Kategoria e Dytë dhe më konkretisht në Iliria-Mirdita. Ai 90-minutësh u mbyll 10 me 1, një rezultat i padëgjuar më parë në historinë e këtij klubi.

unnamed

Heroi i fushë-krujasve mbetet pa dyshim Rigers Balliu, sulmuesi që bëri plot 5 gola dhe dha asist në rrjetën e Xhymertit. Shumëkush mund të pyesë: Kush është ky futbollist?

Dhe askush më mirë se 21-vjeçari nuk mund ta prezantojë veten. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ish-lojtari i Erzenit na rrëfen se rrugëtimi i tij nuk ka qenë aspak i lehtë. Vinte nga një operacion i vështirë, por kurrë nuk u dorëzua dhe tani mori vëmendjen e gjithkujt…

Nga Erzeni në Kategorinë e Parë tek Iliria në të Dytën, përse kjo zgjedhje?

Vij nga një vit i vështirë imi. Pas operacionit në gjurin e majtë, mendova se Iliria do të ishte zgjedhja e duhur. Është një skuadër që u jep mundësi djemve të rinj dhe mbi të gjitha ambienti mjaft mikpritës.

E prisnit një nisje kaq pozitive të sezonit, me 5 gola vetëm në një ndeshje?

Realisht nuk e prisja që do të shënoja kaq shumë gola vetëm në një ndeshje, por ashtu erdhi rrjedha e lojës. Shënuam shpejt dhe kjo bëri që kundërshtari të demoralizohej, çka solli edhe goleadë.

Ku e shihni Ilirinë këtë sezon, bazuar edhe nga kontingjenti?

Normalisht që ne synojmë t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të mos i gëzohemi vetëm një fitoreje. Kryesisht skuadra ka lojtarë të rinj, por që nuk u mungon kualiteti e dëshira për të ecur përpara. Dhe nëse ne do të vazhdojmë të vlerësojmë çdo ndeshje, atëherë kam besim që do t’ia dalim të arrijmë objektivat sezonalë.

A do të ngjitet Iliria?

Normalisht, objektivat e skuadrës janë që të rikthehemi sërish në Kategorinë e Parë.

Po në planin personal, çfarë prisni?

Të jap kontribut në çdo ndeshje, duke ndihmuar edhe skuadrën për të arritur objektivin final.

Me këtë ritëm që e nisët, me sa gola mund ta mbyllë Balliu kampionatin?

Ndonjëherë duhet të kesh edhe fat që të shënosh kaq shumë gola. Plus që merita nuk është vetëm personale, por e gjithë skuadrës. Megjithatë, unë këtë sezon do të jap më të mirën time për të ndihmuar skuadrën dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë dhe, pse jo, të shpallem edhe golashënues i Kategorisë së Dytë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"