Nga operacioni te golat me shumicë/ Arlind Xaka, “mbreti i ajrit” që shënjestron… “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 10:33

Nga operacioni te golat me shumicë/ Arlind Xaka, “mbreti i ajrit” që shënjestron… “Këpucën e Artë”

Nga operacioni në nofull te golat me shumicë në Kategorisë së Dytë! Arlind Xaka është padyshim bomberi dhe lideri i Maliqit këtë sezon. Sulmuesi 31-vjeçar, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e Skënderbeut, Kamzës, Partizanit, Devollit, etj shënoi plot 4 gola në fundjavë ndaj Përmetit, duke u ngjitur në kuotën e 22 golave dhe duke marrë kështu stafetën e golashënuesit në Grupin B të Kategorisë së Dytë.malesija xaka

Një nga armët e tij vrastare është padyshim lufta në ajër. Sulmuesi i Maliqit ka realizuar plot 14 gola me kokë këtë sezon duke u shndërruar në “mbretin e ajrit”, në Kategorinë e Dytë. Askush më mirë se ai në Grupin B, ku edhe skuadra juglindore militon. Përveç objektivave të klubit, që synon ngjitjen historike në Kategorinë e Parë, përmes “play-off”-it, pasi vendi i parë duket se është blinduar nga Tomori, Xaka ka edhe një objektiv tjetër, kësaj here në aspektin personal.

31-vjeçari ka shënjestruar “Këpucën e Artë” për këtë teksa aktualisht ndan të njëjtën kuotë golash, me sulmuesin e Luzit, Artur Sejdini. Vlen të theksohet fakti, se bomberi i Maliqit është në disavantazh për sa i përket ndeshjeve të zhvilluara, pasi ka munguar në 6 sfida, për shkak të dëmtimit të rëndë në ndeshjen ndaj Këlcyrës, ku u godit me grusht nga futbollisti kundërshtar dhe u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale, e cila për fat të mirë shkoi me sukses. Meritë padyshim për këtë shpërthim të Xakës, kanë padyshim edhe shokët e skuadrës të cilët nuk janë kursyer aspak në dhënien e asisteve. Madje futbollistit i janë besuar edhe 11-metërshat, të cilat këtë sezon për Maliqin kanë qenë në numër të konsiderueshëm.arlind xaka

Kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur, sulmuesi 31-vjeçar do të synojë pse jo të kapë kuotën e 30 golave, për marshuar drejt “Këpucës së Artë”, që do të ishte “qershia mbi tortë” për futbollistin e skuadrës juglindore, duke pasur parasysh sezonin tepër të larmishëm që ai po kalon. Një goleador që do të dëshironte ta kishte çdo skuadër në ekip!

“Kalova një moment tepër të vështirë në fazën e parë, ku realisht mendova ta lija futbollin. Por falë mbështetjes së klubit dhe shokëve te skuadrës, arrita ta lija pas krahëve atë moment, duke u kthyer më i fortë se kurrë. Atmosfera këtu te Maliqi është fantastike, jemi si një familje, me një mision të përbashkët. Në skuadër ka ndërthurje mes elementëve të rinj dhe lojtarëve me eksperiencë.xaka

Kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur, do të jenë 4 finale për ne, ku objektiv kemi ruajtjen e vendit të dytë dhe me pak fat, do të tentojmë ngjitjen në Kategorinë e Parë përmes “Play-Off”. Për sa i përket numrit të golave, mendoj se pa suksesin e skuadrës, nuk do të kishin shumë rëndësi golat. Gjithsesi do të ishte një stimul për mua në qoftë se e fitoja “Këpucën e Artë”, për këtë sezon. “Qershia mbi tortë” sigurisht do të ishte ngjitja në Kategorinë e Parë. Ne do të bëjmë maksimumin, me ndihmën e Zotit, shpresoj t’ia dalim”, u shpreh Xaka për “Panorama Sport”.

ILDI MEROLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"