Nga ngjitja tek e ardhmja, flet administratori i Vorës: Jo kalimtarë në të Parën, dublojmë çdo rol në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 23:40

Nga ngjitja tek e ardhmja, flet administratori i Vorës: Jo kalimtarë në të Parën, dublojmë çdo rol në merkato

Eldiano Topi e arriti qëllimin. Premtoi rikthimin e Vorës në Kategorinë e Parë dhe e mbajti fjalën, madje e ngjiti si kampione. Është ai padyshim arkitekti i ndërtimit të këtij ekipi. Ka të drejtë të ndihet krenar për sezonin që sapo u mbyll, e megjithatë ambicia i është shtuar. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori i vorakëve analizon gjithçka që lanë pas, por edhe planet për të ardhmen e afërt.

VORAA

Premtuat ngjitjen e Vorës dhe e mbajtët fjalën. Si ishte ky sezon për Vorën?

Perfekt. Gjithçka që donim, e arritëm. E megjithatë, një peng e kam. Doja ta mbyllnim sezonin pa asnjë humbje. Bëmë një punë të kujdesshme deri në detaje. Çdo ndeshje përgatitej jo vetëm në fushë, por edhe psikologjikisht. Për të mos diskutuar triumfin në fushë, duhej edhe menaxhimi i situatave. Të rinjtë, që janë edhe emocionalë, u përkushtuam shumë te kjo pjesë.

Mundët Elbasanin në finale. Sa shijoi ai trofe?

Finalet shijojnë gjithnjë, kur shoqërohen me trofe. Edhe Elbasani kishte një skuadër me lojtarë me eksperiencë, të mirorganizuar, e ne treguam se ishim më lart në aspektin fizik. Jo më kot përmbysëm rezultatin.

Tani festa mbaroi dhe Kategoria e Parë ju pret. Cilat janë synimet për sezonin e ri?

Ne e kemi thënë vazhdimisht, ekipin e ndërtuam për këtë kategori. Ky ishte synimi ynë dhe ja ku jemi. Të gjitha këto arritje shkojnë për tifozërinë tonë të mrekullueshme, e cila ka qenë mjaft e zjarrtë dhe e ka ndjekur ekipin kudo.

Suksesi, ama, nuk do të arrihej pa mbështetjen e bashkisë dhe presidencës. Falë investimit të madh që ata bënë, nuk na mungoi kurrë asgjë dhe sot kemi një infrastrukturë për t’u pasur zili. Jo se i harrova, por meritë të madhe ka edhe stafi profesional që kishim dhe mbi të gjitha lojtarët. Të palodhur gjithnjë. Dhe për t’u kthyer te pyetja juaj. Ne nuk do të jemi kalimtarë në Kategorinë e Parë, por qëndrestarë dhe me pretendime.

A kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri?

Nuk kemi bërë asnjë ditë pushim. Stërvitja ka vijuar që pas finales. E megjithatë, në fund të kësaj jave do të nisin edhe pushimet. Skuadra do të lihet që të relaksohet, për të rinisur më pas punën për sezonin e ri. Fazë, e cila ka disa opsione se ku mund të zhvillohet.

Po me organikën, çfarë do të ndodhë?

Niveli i Kategorisë së Parë është më i lartë dhe patjetër që kërkon ndërhyrje. Do të ketë përforcime në të gjitha repartet, pasi duam që të kemi dublantë për çdo pozicion. Kampionati është i gjatë dhe mund të ketë jo vetëm dëmtime, por edhe penalizime me karton. Pas 1 korrikut gjithçka do të jetë më e qartë. Surprizat nuk do të mungojnë. Do të “peshkojmë” në elitë, por edhe jashtë vendit.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"