Nga ndëshkimet ndaj lojtarëve te çështja “Kale”, flet drejtori Nexhipi: Kukësi, gati për dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 21:06

Nga ndëshkimet ndaj lojtarëve te çështja “Kale”, flet drejtori Nexhipi: Kukësi, gati për dy trofetë

Kukësi nuk e nisi mirë sezonin, por me fitoren ndaj Tiranës, verilindorët zeruan gjithë gabimet e bëra në dy ndeshjet e para, ndaj Laçit e Flamurtarit. Nënkampionët kanë qenë shumë aktivë në merkato, si në hyrje dhe dalje.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, skanon ekipin si dhe sqaron të gjitha çështjet e ndodhitë. Nexhipi thekson se Kukësi ka ekip me potencial dhe titulli është objektivi kryesor. Te Kukësi ka disa çështje, si ajo Shkodra, Ethemi e Kale, të cilat drejtori i verilindorëve iu jep përgjigjet. Ai konfirmon lajmin e para disa kohëve të “Panorama Sport”, që Shkodra është jashtë planeve të klubit, ndërsa Ethemi është ndëshkuar për dy javë për një gabim në stërvitje.

Nexhipi 2

Katër pikë në 3 takime, si konsiderohet starti për Kukësin?

Nuk filluam siç e mendonim, pasi të paktën në dy takimet e para duhej të merrnim një fitore. Me Laçin dominuam, por për fajin tonë nuk shënuam golin e dytë. Dominuam takimin, por morëm vetëm një barazim. Po nuk shënove do pësosh, e ajo na ndodhi. Po ashtu, edhe me Flamurtarin patëm raste shumë të mira shënimi, që nuk i shfrytëzuam. Ndaj ligji i pashkruar i futbollit, njëlloj si ndaj Laçit, na ndëshkoi. Më kënaq reagimi i fundit, pasi kjo tregon se kemi ekip me karakter, por na duhet shumë punë.

Jeni i kënaqur me këtë ecuri dhe çfarë prisni ndryshe nga ekipi?

Duke qenë se kemi bërë shumë ndryshime në ekip, ato duan kohën e vet të përshtatjes. Gjithsesi, ndeshja e fundit tregoi se dhe lojtarët e ardhur rishtazi po reagojnë pozitivisht. Kemi organikë të mirë dhe e theksoj, presim shumë nga lojtarët e ardhur kohët e fundit.

Shumë çështje te Kukësi, çfarë po ndodh me Shkodrën dhe Et’hemin?

Sa i përket çështjes me Shkodrën, ai është duke u stërvitur me Kukësin B, pasi nuk është në plane. Sakaq, Et’hemi bëri një gabim në stërvitje, e për këtë arsye u ndëshkua nga klubi. Do të stërvitet dy javë me Kukësin B, e pastaj do rikthehet në ekipin e parë.

Çështja “Kale”. Çfarë pretendon Kukësi dhe rruga që po ndiqni për ta rikthyer në ekip?

Për çështjen “Kale” nuk ka çfarë të flitet. Gjërat janë shumë të qarta, pasi ai ka një kontratë me klubin. Nuk është kthyer nga pushimet në kohë, por tani çdo gjë ka kaluar në FIFA dhe shumë shpejt pritet të zgjidhet ky rast.

Kupat e Europës, a quhet sukses për Kukësin arritja në fazën e tretë?

Unë do quaja sukses nëse do kalonim Torpedon, por ndeshja e parë na prishi komplet planet, u ndëshkuam, pa harruar problemet e shumta që na u krijuan, të cilat kundërshtari i shfrytëzoi në favorin e tij. Nëse do kalonim në fazën “play-off”, do e quaja sukses.

Shumë hyrje-dalje gjatë merkatos. Çfarë do donte Nexhipi të bënte ndryshe?

E di që kanë ardhur shumë lojtarë, ku nisën me një trajner tjetër. Pakult mendoi që të kishim një 18-she të barabartë. Me të vërtetë kemi lojtarë në stol, të cilët do na bëjnë punë, pasi kampionati është i gjatë. Kemi tentuar disa lojtarë që mendonim se do të na ndihmonin, por ata për arsye të tyre u larguan. Kemi afruar në ekip lojtarë si Shahik, i cili në vijim do të jetë i gatshëm. Ai do të na ndihmojë shumë, gjithashtu afrimi i Cuculit i ka dhënë qetësi skuadrës.

Cili është afrimi më i pikasur i Kukësit?

Kemi shumë lojtarë të rinj. E theksova arsyen pse janë bërë këto gjëra, e tani do tentojmë në çdo merkato të afrojmë 1-2 lojtarë që të forcojmë sa më shumë ekipin, duke mbajtur grupin e forcuar. Nuk mund të theksoj asnjë emër, por pas fazës së parë besoj do duket cilësia e tyre. Do kenë hapësira dhe të gjithë do i dëshmojnë cilësitë reale.

Sa u përket afrimeve apo largimeve, a jeni pishman për ndonjë gjë që nuk e realizuat dot?

Bëmë përpjekjet maksimale për të bërë më të mirën e mundshme.

Trajneri Cungu shpesh ka përmendur që te Kukësi duhet diçka më shumë sa u përket afrimeve, po tani jeni “OK” me afrimin e fundit?

Trajneri Cungu e ka gjetur ekipin kështu siç është. Kemi diskutuar shumë me të. Me ekip që kemi, besoj se jemi pretendentët kryesorë për titull. Këtë do e tregojmë në fushën e gjelbër. Kemi shumë ndeshje dhe jemi munduar që afrimet e bëra tani në fund me Cungun të jenë të goditura. Gjatë sezonit do shihen këto gjëra.

Çfarë objektivash ka Kukësi?

Objektivi i Kukësit është i qartë, fitimi i titullit kampion dhe i Kupës së Shqipërisë. Këto janë dy synimet tona.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"