Nga ndeshja e Kupës te kriza për portier, rrëfehet 40-vjeçari Spaho: Lushnja po vuan tranzicionin e brezave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 20:26

Nga ndeshja e Kupës te kriza për portier, rrëfehet 40-vjeçari Spaho: Lushnja po vuan tranzicionin e brezave

Lushnja dhe Tirana takohen në Kupë pas 9 vitesh. Në sezonin 2013-2014 kanë qenë verdhejeshilët e drejtuar nga Artan Bano, që kualifikoheshin në çerekfinale. Nga ajo skuadër kanë mbetur dy lojtarë: Mikel Canka dhe Mikel Spaho.

mikel spaho

Portieri sheh një rënie te tmerrshme të lushnjarëve në një dekadë. Edhe pse evidenton korrektësinë maksimale në planin financiar të bashkisë, “veterani” mendon që nuk mjafton. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 40- vjeçari analizon një pjesë të mirë të problematikës që mbart ekipi i tij.

Rigjeni Tiranën në Kupën e Shqipërisë, që e keni eliminuar para 9 vitesh. Pse kjo rënie në këtë dekadë të fundit?

Një ndër shkaqet kryesore është tranzicioni i brezave. Ndjeshmëria dhe ndjenja ndaj fanellës ka rënë shumë.

Brezat tani nuk e shikojnë futbollin si profesion. Tiranën e eliminuam me golat e Fatjon Topit e Mikel Cankës, por në ekip kishim emra si Viktor Gjyla, Gentian Çela, Alban Byzhyti, Erind Korreshin, por edhe me lojtarët që vinin nga merkatoja si Lorenc Trashi, Mihani apo Boris Bjelkanoviç.

A ka nevojë Lushnja për më shumë mbështetje?

Patjetër. Përveç mbështetjes që jep bashkia, klubi ka nevojë për donatorë. Do të jetë një plus i madh. Do të ishte një hov i madh për futbollin lushnjar. Bashkia e Lushnjës ka qenë vërtetë korrekte dhe sportistëve nuk u ka munguar asgjë.

Por…?

Por, nuk është e mjaftueshme. Me anë të donacioneve mund të kesh mundësi që të futesh edhe në merkato dhe të bësh blerjet që dëshiron.

Sa ju shërbeu miqësorja me Albpetrolin?

Një miqësore me një skuadër të nivelit të tretë dhe me terrenet që ofrojnë ata, morëm diçka. Besoj që jemi në rrugën e duhur. Tani të shikojmë përpara. E përgjithshmja ishte pozitive.

A mund ta bëjë Lushnja surprizën përballë Tiranës?

Është një ndeshje e Kupës dhe në të shumtën e rasteve formacionet alternohen. Lushnja është një skuadër që punon dhe përgatitet mirë. Ne më shumë jemi të fokusuar te kampionati dhe kjo kuptohet për pozitën që kemi në tabelë pas 12 javëve.

Në ndeshjet e Kupës luajnë zakonisht portierët rezervë. Jeni gati, nëse do t’u kërkohej?

Unë kam 22 vjet në portë, që nga viti 2001. Duhet të jesh korrekt me veten. Përderisa jam pjesë e ekipit do të jem i gatshëm nëse më kërkohet që të jem në portë. Aktivizimi im i fundit ka qenë ndeshja e kthimit në Kupë me Tërbunin, ku dhe u kualifikuam. Pavarësisht viteve, unë i kam kaluar të 40-at, jam i gatshëm.

Si ju duken portierët e rinj?

Shoh që ka ende mangësi. Duhet të ngrihesh shumë në nivel që të të besohet porta. Duhet të punojnë më shumë. E megjithatë, jemi të detyruar që të promovojmë një portier të ri. Na duhet për të ardhmen, për vazhdimësinë.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"