Nga mjelës lopësh tek porta e Anglisë, gardiani zbulon sakrificat: Zgjohesha në 4 të mëngjesit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2018 | 22:50

Nga mjelës lopësh tek porta e Anglisë, gardiani zbulon sakrificat: Zgjohesha në 4 të mëngjesit…

Nik Poup është shembulli ideal i një djaloshi që për të prekur ëndrrën e tij, i është dashur të bëjë shumë sakrifica në jetë. Portieri i Bërnlejt, të cilin Garet Sauthgejt e grumbulloi për herë të parë në përfaqësuese për dy miqësoret e kësaj jave, kundër Holandës dhe Italisë, ka zbuluar se i është dashur të punojë edhe si mjelës qumështi për të fituar gradat si futbollist.

Nik Poup

Portieri 25- vjeçar, të cilit i duhej të zgjohej çdo ditë në orën 4 të mëngjesit, i është dashur të bëjë disa profesione të ndryshme, ndërsa studionte dhe luante futboll amator, pasi iu tregua dera nga klubi i tij i dashur Ipsuiç Taun kur ishte ende adoleshent. “Kam studiuar dy vite biznes marketing dhe një vit shkenca sportive.

Njëkohësisht kam bërë disa punë. Kam punuar edhe si mjelës qumështi. Nuk kisha mjaftueshëm para. Zgjohesha në 4 të mëngjesit”.

Sakrifica pafund – Poup është rritur duke adhuruar portierin e Ipsuiçit, Riçard Rajt dhe u shkatërrua kur klubi i tij i zemrës i tregoi derën në moshën 16-vjeçare. “Ishte pika më e ulët e karrierës sime. Aty mendon se ëndrra mori fund”. Ai luajti më pas në ligën amatore Eseks dhe Safolk Border Ligë me rezervat e Bëri Taunit, shumë larg botës së pasur të Premier Ligës:

Poup Angli

“Mendoj se ishte kategoria e shtatë. Kam luajtur në fusha të tmerrshme. Për disa vende duhet të hapësh hartën për t’i gjetur”. Më pas, nisi ngjitja graduale: Çarlton Atletik, u huazua te Herroi Borou, Uelling Junajtid, Kembrixh Junajtid, Aldershot Taun, Jork Siti dhe Bëri, përpara se të rikthehej në “Valley” dhe fitonte vendin e tij në “Turf Moor”:

“Kam luajtur praktikisht në të gjitha ligat”. Por te Bërnlej kishte një pengesë për shkak të formës që po kalonte Tom Hitën, derisa portieri titullar nxori shpatullën në shtator. Bërnlej renditet i shtati në Premier Ligë dhe tani Poup është një nga katër portierët që u thërrit të veshë dorezat e kombëtares, së bashku me Xho Hart, Xhek Batlend dhe Xhordan Pikford.

Pope

“Të luash për Anglinë, është një ëndërr, një nder i madh. Mendoj se e kam merituar të mbërrij deri këtu. Por nuk kam arritur ende asgjë. Këtu duhet ta provoj përsëri veten”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"