Nga Milani te tripleta, ja 21 lëvizjet që e rikthyen Kristiano Ronaldon lider

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 20:47

Nga Milani te tripleta, ja 21 lëvizjet që e rikthyen Kristiano Ronaldon lider

Përmbysja e botës ndo dhi në 60 ditë. Ishte 10 nëntor kur Kristiano Ronaldo zëvendësohej në minutën e 55-të të sfidës Juventus-Milan dhe më shumë sesa një tifoz pa në atë episod një krisje mes tij dhe Mauricio Sarrit, ndërsa largimi i parakohshëm edhe nga “Allianz Stadium” ndezi gjithashtu frikën e një largimi të parakohshëm nga Torinoja. 

rONALDO

Por, dy muaj më vonë, portugezi fiton të gjitha faqet e para të gazetave për tripletën e tij të parë në Serinë A, shënuar Kaljarit. Dhe menjëherë rikthehet të flitet për liderin absolut të “Zonjës së Vjetër”. Shkurt, CR7 u rikthye në nivelet e tij, me një tregolësh, i cili, sipas “Gazzetta dello Sport”, ka 21 motive prapa, duke nisur nga gjendja fizike e deri tek uria për trofe.

1) GJENDJA FIZIKE – Ronaldo është në superformë dhe kjo duket. Kristiano i nëntorit ishte i fikur, thuajse një 34- vjeçar normal… Por, teksa kujton golin e parë shënuar përballë një 20-vjeçari si Valukievicz, ndihmon të kuptosh: U rikthye!

2) FLUTURIMI – Goli kundër Sampdorias, në kërcim mbi Murrun, ishte manifestimi i rilindjes psikologjike. Ai gjest atletik konfirmoi rikthimin e dominimit fizik të CR7-ës, duke e risjellë sërish në qendër të vëmendjes së botës së futbollit.

 3) STËRVITJA – Kristiano, edhe gjatë pauzave të festave, punoi çdo ditë mbi fizikun e tij. Nuk është se bëri një punë të paprecedentë, por nuk bëri pauzë në asnjë ditë, madje as dje në dy ditët e pushimit që Juventusi u kishte dhënë skuadrës, pas fitores kundër Kaljarit. Nëse pyesni atë, përgjigjja dihet: “Ja pse jam numri një i futbollit”.

4) GJURI – Në detaj, duke qenë se flitet për fizikun, ishte gjuri që e frenoi disa kohë. Madje, Sarri e pranoi hapur: “Tashmë nuk ka më dhimbje në gju dhe kjo i lejon që të jetë në një formë fizike dhe psikologjike ndryshe”. Arkivohet!

 5) PUSHIMI – Ky është ndoshta motivi më i çuditshëm. Ronaldo e ka thënë gjithmonë: “Të pushosh mirë të lejon të punosh më fort”.

6) FAMILJA – E motra, Katia, ndërhyri sërish të hënën, siç bën pak a shumë gjithmonë: “Krenare për ty”. Së bashku me të, nuk munguan postimet e të ëmës, Xheorxhinës dhe Kristiano Xhuniorit. Faktori familje!

CR7

7) TREDHËMBËSHI – Dibala-Higuain-Ronaldo ose, siç njihet ndryshe, “Dygualdo” ultraofensiv nuk duket të jetë skema e duhur për dimrin apo qoftë edhe në pritje të pranverës. Gjithsesi, në fund të vjeshtës ky modul solli një aromë tjetër: talent, gola dhe kreativitet. Ronaldo ndoshta kishte nevojë për këtë.

8) PRESING – Juventusi, pavarësisht lojtarëve që zbresin në fushë, ka ndryshuar qëndrim. Sarri kërkon presing, agresivitet dhe rikuperime topi në zonën sulmuese. Ronaldo diçka të tillë e vlerëson prej një jete, sepse nëse Juventusi luan kështu, ai do ta ketë më shpesh topin në zonë dhe do të ketë mundësi të synojë më shpesh zonën.

9) REVANSH – Më 2 dhjetor, Mesi ngriti të gjashtin “Top të Artë” të karrierës dhe jo më kot, në vigjilje të vlerësimit, Ronaldo e dinte këtë. Dhe ndoshta, jo më kot, menjëherë pas tij, portugezi vendosi që t’i dhuronte vetes një seri prej 5 ndeshjesh radhazi në të cilat shënon. Reagimi tani e në vazhdim nuk do të mungojë kurrë.

10) ÇMIMI PERSONAL – Kristiano pas Krishtlindjeve e mori çmimin e tij: lojtari më i mirë i vitit në ceremoninë e “Globe Soccer Awards”. Sigurisht që kjo mbrëmje gala në Dubai është shumë herë më pak e rëndësishme sesa “Topi i Artë”, por mbetet gjithsesi një mënyrë që ai të ndihet në shtëpi dhe sërish në majën e botës së këtij sporti.

 11) AMBIENTI – Fjalët e Bonuçit, pas ndeshjes me Milanin, dhe mbrojtja e Kielinit pas “Topit të Artë” konfirmon diçka: Ronaldo te Juventusi ndihet shumë i mbrojtur. Edhe kjo është një shtysë që ai të japë maksimumin.

12) SARRI – Çështja e mospërtypjes së zëvendësimit tashmë është një kujtim i largët dhe i harruar. Kristiano gjithashtu e pëlqeu mënyrën se si trajneri e la çështjen që të harrohej, duke minimizuar çdo fakt, ndërkohë që një trajner tjetër i tipit Konte apo Murinjo edhe mund ta kishte zmadhuar, që të tjerët të kuptonin se kush ishte “shefi”.

13) DËFRIM – Ishte kryefjala e intervistës së 26 dhjetorit për “DAZN”. “Dëfrehem ende sepse e dashuroj të luaj futboll”. Dhe nëse dëfrehet Ronaldo, është normale që të dëfrehen edhe ata që e shohin të luajë.

14) PËRGJEGJËSI – Ronaldo zbarkoi te Juventusi me një objektiv konkret: të sjellë trofeun e Champions-it në Torino, i cili mungon tashmë prej 24 vitesh. Dhe pikërisht edhe për këtë, ai vazhdon të punojë shumë, sepse një makineri perfekte si Ronaldo nuk i pëlqen aspak që të lërë përgjysmë punët.

RONALDO5

15) INTER – Kapitulli kundërshtarë… Interi është ai që po i konkurron për momentin dhe Ronaldo e ka kuptuar menjëherë se çfarë përfaqëson rivaliteti me zikaltrit për juventinët. Ndaj, sivjet edhe titulli kampion ka një peshë më të madhe sesa ai i vjetshmi.

16) IBRAHIMOVIÇ – Rivali personal, mbi të gjitha në aspektin karakterial. Rikthimi i Ibrës nuk e tundon, por sigurisht që i jep një shtysë më shumë. Këta të dy nuk e kanë pëlqyer kurrë njëri-tjetrin dhe Kristiano do të bëjë edhe më shumë tani e në vazhdim që të mbetet “Princi” i Serisë A.

17) CHAMPIONS – Objektivi që duhet t’i japë atij shtysën maksimale. Ky turne është habitati ideal i CR7-ës dhe pas fazës së grupeve lajmet e mira ishin me breshëri: kualifikim dy javë përpara fundit dhe Lioni në 1/ 8-at e finaleve. Morali, shkurt, është në stratosferë!

18) EUROPIANI – Përveç Champions-it, në horizont është edhe Europiani dhe sigurisht që sezoni me Juven do të jetë “stërvitja” ideale për të arritur në maksimum edhe në “Euro 2020”. Ronaldo mbetet ende lideri i Portugalisë dhe do të provojë që t’i dhurojë të tjera emocione popullit të tij.

19) KRYEGOLASHËNUESI – Objektivi i tretë është ai i fronit të golave në Itali. Sezonin e kaluar ky objektiv i shpëtoi, por sivjet CR7 beson se ka marshin e duhur për të fituar betejën në distancë me Imobilen dhe Lukakun.

ronaldo

 20) REKORDE – Nuk janë një fiksim për të, por sigurisht që janë një mision i radhës. Çdo rast është i mirë për të rritur rendimentin dhe për t’u bërë i pakapshëm në historinë e këtij sporti. Dhe në Itali ka shumë të tillë për të ndjekur nëse do t’i kërkojë me çdo kusht…

21) TRIPLETA – Dhe meqë ra fjala te tripleta në Itali: të parën Ronaldo e shënoi të hënën dhe nuk ishte sigurisht një mënyrë e shëmtuar për të nisur vitin e ri. Në parabolën nëntor-janar, Milan-Kaljari apo edhe polemikë-ovacion, ndoshta kjo ishte pika e mbërritjes së jashtëtokësorit portugez.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"