Nga merkato te gjendja e Skënderbeut, rrëfehet Memelli: Pse kush ka dhënë dorëheqjen?! Ja çfarë duhet të ndryshojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 20:36

Nga merkato te gjendja e Skënderbeut, rrëfehet Memelli: Pse kush ka dhënë dorëheqjen?! Ja çfarë duhet të ndryshojmë

Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës ndaj Teutës, që skuadra korçare do të zhvillojë ditën e nesërme në kuadër të Kupës së Shqipërisë.

Memelli

Në këtë prononcim tekniku pogradecar foli për gjendjen në të cilën ndodhet skuadra si dhe për atë çka pret nga merkato. Duket se Memelli e kaloi periudhën e reflektimit dhe është fokusuar totalisht në ndeshjet e radhës, duke filluar nga ajo e ditës së nesërme ndaj durrsakëve.

RIKONFIRMIMI NË PANKINË- Pse kush ka dhënë dorëheqjen?! Njeriu duhet të reflektojë me veten kam thënë unë. Nuk kam dhënë dorëheqjen. Duhet të reflektojmë me veten. Kur e them këtë kam parasysh një mori rastesh të humbura përpara porte.

Dështimin në asnjë moment nuk ia kam faturuar lojtarëve. Si asnjë skuadër tjetër në Superiore, kur krijon kaq shumë raste para porte, padiskutim që quhet fatale, apo dështim kur nuk i finalizon ato raste.

Përpos kësaj vjen edhe mërzitja. Ne trajnerët e shikojmë atë pjesë që mungoi tek vetja se si duhet t’i përmirësojmë gjërat edhe kaq.

MERKATOJA- Dajan Shehi është një afrim cilësor. Në mungesë të Vitijës që do t’i duhen edhe 4-5 javë të tjera për të qenë pjesë e skuadrës. Moraesh ishte jashtë për arsye dëmtimi, morëm lajmin e mirë që nuk do të mungojë gjatë.

Presim edhe Vrapin pak më vonë. Kemi plotësimin e skuadrës në të gjitha repartet. Me shumë mundësi mund të vijë dhe një lojtar tjetër në këtë afat të fundit. Pastaj çdo gjë do të jetë në dorën tonë, për pjesën se si do ta përmirësojmë punën. Nuk e kemi vendosur akoma, afrimi i radhës mund të jetë sulmues, ose mesfushor me tipare ofensive, po e shikojmë këtë pjesë me kujdes, nuk duhet të bëjmë gabime.

NDESHJA E KUPËS- Nesër ndaj Teutës do të futemi në fushë për të bërë një ndeshje të mirë, për ta fituar ata. Për të reflektuar tek pjesa që rastet të mos i shpërdorojmë më.

Edhe pse këto 2 ditë kushtet atmosferike nuk na kanë dhënë shumë kohë dhe hapësirë për të punuar. Atmosfera dhe harmonia në skuadër është ajo që ka qenë që nga dita e parë që unë kam ardhur te Skënderbeu.

VËMENDJA TE KUPA APO KAMPIONATI?- Tek të dyja, koncepti i klubit, i imi dhe i klubit është që çdo ndeshje e radhës duhet vlerësuar. Të mbarojmë këtë nesër dhe të shikojmë çdo të bëjmë në kampionat.

NDRYSHIMET NDAJ TEUTËS- Janë situata që unë nuk mund t’ia faturoj gjithçka një lojtari. Kur flasim për sulm, flasim në tërësi si skuadër. Kemi pasur 13 raste shënimi para portës, vetëm 4 i ka pasur Nikaj, 2 Pusi, 3 Mensah, 2 Mara, Meksi, Kosta Vangjeli gjithashtu.

Duhet të përmirësojmë gjërat si skuadër. Mund t’i qëllojë që çdo lojtari të jetë në zonën e 16-es. Nuk kemi pasur edhe fat. Në 3 ndeshjet e fundit nuk kemi shënuar gol, detyra ime është t’i nxjerr lojtarët aty.

MUNGESAT DHE TERRENI- Mungesa janë Moraesh edhe Vitija. Këtë të fundit e kemi plotësuar me Dajan Shehin. Për të është ndeshja e parë nesër, do t’i duhet kohë për t’u përshtatur. Moraesh na ka prishur ekuilibrat në lojë. Vrapi është jashtë për 2-3 javë kthehen.

Janë edhe 2-3 lojtarë të tjerë që kanë ardhur nga dëmtimi dhe duhet kohë për të gjetur gjendjen fizike. Mungesat nuk janë justifikim, për të bërë mirë dhe për të konkurruar edhe me ata që janë në krye të tabelës. I marr përgjegjësitë vetë, lojtarët të japin maksimumin në fushë. Nëse nuk japin maksimumin në fushë, nuk ndihmojnë veten dhe skuadrën.

PËRBALLJA ME TEUTËN- Është një kundërshtar i fortë, besoj çdo skuadër ka avantazhet dhe disavantazhet, do mundohemi të shfrytëzojmë disavantazhit dhe të jemi të kujdesshëm në avantazhet në sulm. Mua më takon të mendoj për ndeshjen nesër.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"