Nga mbrojtja te rikthimi i Hazardit, Zidan me 7 detyra. Ja çfarë duhet bërë për të fituar në “San Siro”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 15:57

Nga mbrojtja te rikthimi i Hazardit, Zidan me 7 detyra. Ja çfarë duhet bërë për të fituar në “San Siro”

Reali i Madridit luan një pjesë të rëndësishme të fatit europian në ndeshjen e nesërme në Champions kundër Interit. “Galaktikët” kanë 4 pikë dhe do të hidhnin një hap të rëndësishëm në rast të një fitoreje, në një grup të balancuar në maksimum. Katër skuadrat mund të kualifikohen dhe eliminohen nga momenti në moment. Fitorja kundër italianëve në “Di Stefano” ishte si oksigjen për spanjollët, por një tjetër dështim në këtë sfidë do të kompromentonte shumë shanset dhe opsionet për kualifikim. Këto janë disa nga faktorët se si Zinedin Zidan mund të “pushtojë” stadiumin italian dhe të bënte një goditje të madhe. 

Lautaro-Martínez-Real-Madrid-Inter-960x590

MBROJTJA – Detyra e parë e madrilenëve është rikuperimi i forcës mbrojtëse. Madrilenët ishin si një fortesë në arritjen e sukseseve si La Liga dhe për më tepër Superkupa e Spanjës. Pas largimit të Kristianos, Zidan në aventurën e tij të dytë si trajner i Realit riktheu mbrojtjen e hekurt dhe shpirtin e tij italian, diçka që e mësoi kur ishte te Juventusi. Reali pësoi 43 gola në 51 ndeshje, mesatarisht 0.8 për ndeshje. Këtë sezon ka pësuar 17 gola në 12 ndeshje, mesatarisht 1.4. Shifra që bëjnë të kuptosh se mbrojtja nuk ka forcë dhe është e brishtë.

GOLI PROBLEM – Reali i Madridit ka probleme edhe në zonën kundërshtare. Ka arritur të shënojë 22 gola, 1,8 për ndeshje. Në krahasim me golat e pësuar përmirësimi është shumë pak dhe kjo do të thotë se për këtë arsye mungojnë golat. Karim Benzema ka qenë golashënuesi në dy sezone radhazi me 30 dhe 27 gola. Në këtë aktualin ka shënuar 6. Golashënuesi i dytë i Realit është një mbrojtës sepse asnjë nga sulmuesit nuk ka bërë hapin e madh. Nuk e bëri Bejli, Asensio, Hazardi, Vinicius, Rodrigo, Joviç apo Mariano.

“RILINDJA”- Reali i Madridit luajti në Vijareal pa Ramosin, Kasemiron dhe Benzemanë. Këta të tre janë lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, secili në rolin e tij. Rikuperimi i ndonjërit prej tyre do të jetë shumë e rëndësishme për të marrë rezultat pozitiv në Milano. Këta tre futbollistë formojnë shtyllën e skuadrës së Realit.

Real Madrid v FC Internazionale: Group B - UEFA Champions League

HAZARDI I ÇELSIT – Reali ende nuk e ka shijuar futbollistin që çekuilibron kundërshtarët, që luan vertikalisht, driblon dhe shënon. Hazardi i Çelsit gjendet vetëm në video, sepse ky i Realit është një hije e vetvetes. Dëmtimet e shumta nuk e kanë ndihmuar që ai të rikthehet si lojtari i dikurshëm dhe këtë gjë po e vuan Reali i Madridit. Po e vuan gjithashtu edhe trajneri Zinedin Zidan, i cili bëri gjithçka për ta transferuar.

KTHEHET KARVAHAL – Lajmi i mirë që ka marrë Reali i Madridit në javët e fundit ka qenë rikthimi në fushën e lojës i Dani Karvahalit. Ai ka dhënë sinjale pozitive në ndeshjen kundër Vijarealit. Është konstant në mbrojtje dhe del shpesh në sulm. Ai ka ADN fituese dhe mund të ndihmojë ekipin në këto ndeshje delikate.

PENALLTITË – Mes brishtësisë në mbrojtje, për të cilën folëm më parë, Reali i Madridit ka një tjetër problem në ndeshjet e fundit. Ka shkaktuar 4 penallti në 2 ndeshje dhe Kurtua i ka pësuar. Ai nuk është specialist i penalltive.

EKSPERIENCA – Shumë futbollistë që do të zbresin në fushën e lojës të mërkurën në fushën e “Meazza”-s kanë qenë edhe në finalen kundër Liverpulit përpara pak vitesh. Ata e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë për të fituar këto sfida. Kanë kaluar duele të tjera mjaft delikate dhe kanë mposhtur kundërshtarë si Juventusi, Bajerni, etj. Kjo është një ndeshje grupesh, por shumë e rëndësishme për fatet e sezonit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"