Nga mbijetesa për Europë, Teuta e Shkëmbit është super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 18:17

Nga mbijetesa për Europë, Teuta e Shkëmbit është super

Teuta “thyen”… vetveten. Ekipi i këtij sezonit është shumë herë më superior se ai i dy edicioneve të fundit. Dhe kjo nuk duket vetëm nga klasifikimi, por edhe bilanci që kanë pasur në 13 javët e para. Durrsakët po ecin me ritmin e pretendetëve për titull dhe mbetet kandidate potenciale për zonën “Euro”. Vjet skuadra ishte në luftë për mbijetesën, gjë që e siguroi vetëm në fazën e fundit dhe iu deshën plot tre trajnerë për të përballuar atë edicion të mbushur me fantazma.

Shkembi

Megjithatë, në 13 javë të edicionit 2017-2018 kishin 15 pikë dhe pozicionoheshin të 7-ët. Një edicion më herët, në 2016-2018, ishin të parafundit në tabelë pas 13 ndeshjesh dhe kishin vetëm 8 pikë. Ky viti nisi totalisht ndryshe dhe çelësat iu besuan një trajneri te ri si Bledi Shkëmbi. Kanë kaluar plot 13 javë dhe skuadra është në vendin e tretë, duke prekur për herë të parë objektivin real.

Edhe pse nën zë, në ambientet e bregdetarëve e pranojnë që ëndërrojnë më shumë duke u futur në garë për vendin e parë. Gjithsesi, objektivi primar mbetet pjesëmarrja në Kupat e Europës. Nëse bëjmë një krahasim me dy sezonet e kaluara, deri në këtë pikë të kampionatit, pa dyshim që ky sezon është i një tjetër niveli. Jo vetëm që kanë rikuperuar pikët, por Teuta ka bërë mirë në aspektin ofensiv. Shënojnë shumë më shumë se në dy kampionet e fundit, 1.2 gola për ndeshje dhe kanë perfeksionuar mbrojtjen, pasi janë ndëshkuar 11 herë. Ndërkohë që vjet dhe parvjet pësonin nga 20 dhe 19.

RIKTHIMET – Përqendrimi është maksimal dhe Teuta nuk kërkon të neglizhojë asgjë në prag të Luftëtarit. Pushimi i kampionatit i ka dhënë mundësi skuadrës të rifitojë freskinë dhe mbledhë energjitë për të përballuar ndeshjet e fundit të vitit 2018. Ekipi po përgatitet me dy seanca, ku paradite në palestër me ushtrime force, ndërsa pasdite zhvendosen në fushë për t’u ushtuar në planin tekniko-taktik. E vetmja mungesë e skuadrës është ajo Sherif Kallakut, i cili është thërritur nga Alban Bushi për të qenë pjesë e Kombëtares U-21. Pas ndeshjes me Kukësin, Amadu Latif alarmoi Teutën.

Capture11

Ai doli nga fusha mes lotëve pas një dëmtimi të pësuar në kavilje. E megjithatë, golashënuesi më i mirë i Superiores duket se e ka hedhur pas krahëve shqetësimin dhe do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Edhe Hakaj e ka lënë zyrtarisht infermierinë dhe pas dy muajsh mungesë i është bashkuar grupit. Traore gjithashtu kishte shqetësime muskulore në javën e kaluar, por është riaftësuar dhe është gati për t’u vendosur nën urdhrat e Shkëmbit. Duket se tani stafi teknik i ka të gjitha alternativat e gatshme për të ndërtuar formacionin ideal. Pas afro dy muajsh, skuadra rikthehet të luajë në “Niko Dovana”, ku do të presë ekipin e Luftëtarit në një ndeshje tepër interesante, me skuadrën bregdetare që kërkon hakmarrjen për atë humbje në fazën e parë në Gjirokastër 3-1.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"