Nga Mateus tek Efenberg, legjendat gjyq portierit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 19:20

Nga Mateus tek Efenberg, legjendat gjyq portierit

“Lufta” në distancë mes drejtuesve të Bajernit dhe Manuel Nojerit sapo ka filluar sipas futbollistëve që kanë djersitur fanellën e rekordmenëve gjermanë. Fillimisht situatën e ka analizuar Efenberg, i cili ka dalë në konkluzione të “hidhura”.

64071234_605

EFENBERG-”Tapaloviç gëzoi statuse të ndryshme te gjigandët nga Mynihu. Fillimisht si trajner portierësh e më pas arriti deri në zv.trajner në etapën e Flikut. Por më vonë pësoi serish rënie në karrierën e tij profesionale, duke qëndruar si trajner gardianësh. Pra nënkupton se ai nuk ka qenë personazh i zakonshëm te Bajerni. Gjithsesi kjo nuk e justifikon aspak sjelljen e Nojerit. 36-vjeçari veproi me kokën e tij dhe pasojat janë aty edhe pse ende nuk mund të lexohen qartë nga të gjithë, largimi i paevitueshëm. Besoj se tema kaq te nxehta të zbardhen në publik, pasqyrojnë dobësi në komunikimin e brendshëm. Jam i bindur se nëse Manuel do të bisedonte këtë situatë me drejtuesit në privatësi, gjithçka do të kishte tjetër vështrim nga opinioni i gjerë dhe imazhi i një prej klubeve më të mëdha në arenën futbollistike do të ishte sërish i larë, por kjo nuk ndodhi. Për mua largimi i kapitenit bavarez merr nota detyruese, ndonëse kontributi i këtij të fundit nuk ka fjalë për ta përshkruar”, pohonte i mërzitur 54-vjeçari gjerman. Spektri i reagimeve do të bëhej akoma më interesant kur një tifozi i madh i tij si Lotar Mateus do t’i përshkruante jo të denja reagimet e Nojerit

MATEUS-”Manuel e ekzagjeroi me frazat e përdorura në deklaratën e fundit. Besoja dhe shpresoja se ai do të mbante sjellje prej lideri të vërtetë, jo vetëm brenda kuadratit. Pavarësisht se Toni u largua, Bajerni vazhdon të funksionojë, dielli sërish do të shkëlqejë, njerëzit do të buzëqeshin. Fraza ‘më ka shkulur zemrën’ m’u duk më tepër se sa thjesht ekzagjerim. Çfarë mund të them më shumë se kaq për një personazh që më ka dhuruar emocione pa fund, ndërsa tani bie në nivel sporadik. Më vjen keq miku im, por sot nuk jam me ty”, shprehej mjaft i zhgënjyer Lotar në “Sky Sport”. Ditmar Haman do të ruante të njëjtën linjë mendimesh me dy ikonat e mësipërme.

HAMAN-”Përse duhet të prezantojmë skena kaq të thella emocionale, aq më tepër një profesionist, pasi çdokush mund të largohet nga detyra, nëse nuk e realizon me rigorozitet, kështu ndodhi edhe me Tapaloviç. Gjithashtu Manuel nuk duhet të harrojë se i shkatërroi planet ekipit me dëmtimin e paprecedentë në sportin e rrezikshëm të skisë dhe sërish drejtuesit e mbështetën mbi rikthimin sa më të shpejtë në fushë. Të jesh falënderues është pasqyra më e mirë, por ky term nuk bën pjesë në fjalorin e Nojerit mesa po kuptojmë. Ai është 36-vjeç dhe akoma vlerësohet maksimalisht nga një prej klubeve më të titulluar në Europë”, përfundoi 49-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"