Nga Maldini te Pioli dhe Rangnik, zbulohen prapaskenat dhe planet e Milanit të ardhshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 10:19

Nga Maldini te Pioli dhe Rangnik, zbulohen prapaskenat dhe planet e Milanit të ardhshëm

Tashmë është gjithçka e kopsitur, ndonëse mungon ende zyrtarizimi. Administratori Ivan Gazidhis ia ka besuar Ralf Rangnikut Milanin për 3 sezonet e ardhshme. Në pritje të konfirmimit, rruga e re nga do ta nisin kuqezinjtë është shënuar dhe të parit që i është komunikuar kjo zgjedhje ka qenë Paolo Maldini.

Maldini-Rangnik

Gjermani do të jetë jo vetëm trajneri i “Djallit”, por shumë më shumë se kaq. Ideja është që ai të mbulojë njëkohësisht edhe rolin e drejtorit teknik, pra duke pasur peshën në kryerjen e merkatos dhe ristrukturimin e skuadrave të moshave kuqezi, por ekziston edhe një tjetër mundësi që ka nisur të përflitet së fundmi, e cila më shumë sesa Maldinin, mund të prekë Stefano Piolin.

PIOLI MUND TË QËNDROJË – Ndërsa pritet zyrtarizimi i 62- vjeçarit, Ralf Rangnik, i cili do të ketë pushtet të plotë të deleguar nga administratori Ivan Gazidhis, po studion nga jashtë punën e Stefano Piolit. Ideja është që Rangnik, edhe pse e ka firmosur në prapaskenë kontratën 3-vjeçare, mund të vendosë që të bëjë vetëm rolin e drejtorit teknik, në sezonin e tij të parë dhe të konfirmojë Stefano Piolin në krye të pankinës, nëse ky i fundit siguron kualifikimin për në Ligën e Europës.

Nëpërmjet kësaj lëvizjeje, Milani do të mund t’i jepte vazhdimësi ristrukturimit të skuadrës nga ana e Piolit, por duke shtuar në skemat e lojës edhe idetë e Rangnikut. Fundja, ndonjëherë dy kokë janë më mirë se një dhe në këtë mënyrë edhe 1.5 milionë eurot që përfiton trajneri aktual (kontrata i skadon më 30 qershor 2021) nuk do t’i dhuroheshin pa punuar, n ë rast shkarkimi.

MALDINI MERR KOHË – Ndërkohë, ai që nuk ka qenë shumë dakord dhe që e ka nisur menjëherë me këmbën e gabuar mbërritjen e mundshme të Ralf Rangnikut në Milano ka qenë Paolo Maldini. Nëse trajneri gjerman vjen, ish-kapiteni duhet të heqë dorë nga posti që mban aktualisht, për t’ia kaluar spaletat 62-vjeçarit. Sigurisht që një figurë si Paolo Maldini në klub jo vetëm vlerësohet, por mendohet se është tepër e nevojshme edhe në vazhdim.

Diçka të tillë e beson edhe Gazidhis, i cili nëse fillimisht i kishte ofruar rolin e ambasadorit të Milanit në botë, ideja e fundit është ajo edhe e të bërit Paolon krahun e djathtë të bosit Gordon Singer. E thënë ndryshe, një zëvendëspresident i tipit Pavel Nedved te Juventusi, apo Havier Zaneti tek Interi.

Sepse një figurë si Maldini do të ishte e duhura për të bërë edhe ndërmjetësin mes futbollistëve dhe drejtuesve, ndonëse edhe këtë propozim, si zëvendëspresident, për momentin ish-kapiteni nuk e ka pranuar, por ka vendosur që të marrë kohë.

RREZIKON EDHE MASARA – Një tjetër pozicion delikat në klub është edhe ai i drejtorit sportiv, Riki Masara, ashtu sikurse dy krerët e “armatës” së vëzhguesve të talenteve, Almshtadt dhe Monkada.

Të tria këto pozicione lidhen me faktin se Ralf Rangnik pritet që të marrë me vete edhe një “bandë” prej të paktën 8 ndihmësish dhe çështja se si do të shpërndahen të besuarit e gjermanit 62-vjeçar do të vërë veton edhe mbi drejtuesit e tjerë aktualë që punojnë për Milanin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"