Nga Lushnja te Lushnja, kapiteni i Besës: Do të luftojmë në të dyja frontet, kemi bërë afrime me vlera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 23:32

Nga Lushnja te Lushnja, kapiteni i Besës: Do të luftojmë në të dyja frontet, kemi bërë afrime me vlera

Besa është jo pak e surprizuar nga shorti i Kupës së Shqipërisë. Ai i ka vënë kavajasit përballë Lushnjës, me të cilën do të kenë dy “përplasje” brenda katër ditëve. Kjo, për faktin se të mërkurën e ardhshme do të luajnë javën e parë të kampionatit. Gjithsesi, kjo “shaka” e goglave është se u ka bërë përshtypje lojtarëve. Këtë e pohon edhe kapiteni Ledjon Muçaj, teksa flet për “Panorama Sport”.
118166809_648993102693375_7987410211429436618_o
“Ky vit e gjen Besën me një tjetër fytyrë. Ndryshe nga sezonet e mëparshme, stafi teknik dhe presidenti kanë ditur të afrojnë lojtarë me vlera. Jemi përforcuar në ato pozicione që ka kërkuar trajneri Kashami. Kemi një gërshetim prefekt mes të rinjve, që tashmë konsiderohen me përvojë dhe afrimeve të reja. Si kurrë më parë, jemi plotësisht të gatshëm për një start pozitiv”, tha fillimisht fieraku i Besës.

Mesfushori nuk e fsheh optimizmin kur flet për objektivat, ndërsa deklaron se ekipi i tij do të synojë kualifikimin.

“Formula e Kupës me vetëm një ndeshje besoj se u jep mundësi të njëjta të gjitha ekipeve, pavarësisht se ku konkurrojnë, në Kategorinë e Parë apo në Superiore. Në një takim të vetëm, ndodhin të gjitha. Besa do të luftojë në të dyja frontet, si në kampionat edhe në Kupë. Lushnjën e njohim mirë. I dimë pikat e saj të forta dhe të dobëta. Kemi konstatuar se këtë sezon lushnjarët janë ripërtërirë dhe unë mendoj se ata kanë një ekip më të fortë sesa vjet. Gjithsesi, kjo nuk do të na ndalojë të synojmë kualifikimin edhe në Kupë. Pres të jetë një përballje e fortë, e vështirë. Besa nuk do të bëjë llogari dhe të ndajë sfidat e Kupës nga ato të kampionatit. Do të luftojmë në ndeshjet për Kupën e Republikës dhe do të jemi po aq të përqendruar edhe në kampionat”, përfundoi Muçaj, i cili mungoi në miqësoret e fundit për shkak të një dëmtimi. E megjithatë, tashmë është plotësisht i rikuperuar dhe pret të jetë dirigjenti i lojës verdhezi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"