Nga Lushnja te Bylisi, Qoshku pret shpërthimin në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2022 | 17:35

Nga Lushnja te Bylisi, Qoshku pret shpërthimin në Superiore

Aldo Qoshku në Superiore ka qenë pjesë e Skënderbeut dhe më pas do të huazohej te Dinamoja e së Parës, por edhe Lushnja ku ka luajtur titullar më shumë se te korçarët. Qoshku u bë pjesë e Bylisit afro dy javë më parë, teksa mesfushori me tipare mbrojtëse synon që ta shfrytëzojë eksperiencën si trampolinë. Qoshku tashmë është 21 vjeç dhe ai ka besim se Bylisi do të rritet akoma më shumë profesionalisht.

QOSHKU

“Unë jam rritur në Greqi, më pas kam kaluar te Skënderbeu ku nuk kam pasur shumë hapësirë, por duke qenë skuadra në elitë sigurisht që kam mësuar shumë. Më pas u bëra pjesë e dy ekipeve të njohura në Kategorinë e Parë siç janë Dinamo dhe Lushnja.

Me ato jam aktivizuar dhe kam fituar eksperiencë e cila do të më shërbejë shumë për të ardhmen time. Zgjodha Bylisin sepse është një klub që i jep përparësi elementit të ri”, tha Qoshku për “Panorama Sport. Ndërkohë që për afro dy javë starton Kategoria Superiore dhe Qoshku thekson:

“Po përgatitemi që të jemi dinjitozë në kampionat. Gara në Superiore është e fortë dhe me shumë rivalitet. E kam ndjekur kampionatin dhe të gjitha ekipet kanë qenë shumë aktive në merkato. Ne po stërvitemi në kushte shumë të mira në Pogradec dhe unë kam besim se ne do të jemi një ekip që do të tregohemi dinjitozë në kampionat. Bylisi ka qenë një surprizë e bukur në kampionat duke i dhënë tonin garës por edhe duke promovuar shumë lojtar të rinj”.

STAFI – Bylisi nesër do të luajë miqësoren me skuadrën e Partizanit në Pogradec, ndërsa skuadra mallakastriote është në kërkim edhe të dy miqësoreve për javën që vjen. Ballshiotët kanë shtuar radhët e tyre në staf, teksa kanë rikthyer një njohje të vjetër dhe bëhet fjalë për fierakun Eduart Miço, ish-portier i spikatur në shumë ekipe të vendit, që nga Kategoria e Dytë e deri në Superiore.

Ndërsa ka punuar si trajner në ekipet e Apolonisë por edhe te Bylisi në Kategorinë e Parë. Eduart Miço do te trajnojë portierët, detyrë të cilën e kryente Arbër Sino deri vjet, i cili është ngarkuar me çështjet administrative të skuadrës mallakastriote.

ERION SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"