Nga Liria e Prizrenit tek Teuta, Avdyli: Kapim Ligën e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2018 | 18:31

Nga Liria e Prizrenit tek Teuta, Avdyli: Kapim Ligën e Europës

Teuta vazhdon me ecurinë pozitive të saj dhe “viktima” e radhës ishte Tirana. Në “Tofik Jashari”, skuadra ktheu rezultatin që ishte dhe fitorja e parë me përmbysje në këtë sezon. Në një prononcim për “Panorama Sport”, regjisori i mesfushës durrsake, Florent Avdyli, tregon aventurën me skuadrën e “djemve të detit”.

Avdyli

Florent, përmbysje dhe tri pikët e radhës përballë Tiranës?

Hymë në fushën e lojës me besimin dhe motivimin e duhur për të përballuar një 90-minutësh të luftuar, në një fushë që mund të them nuk ishte në kondicionin më të mirë të saj dhe na e vështirësoi disi qarkullimin e topit dhe zhvillimin e lojës siç ne duam. Jam i vetëdijshëm që nuk ishte ndeshja jonë më e mirë ajo që dhuruam, por besuam dhe luftuam e në fund morëm tri pikët.

Çfarë nuk shkoi në pjesën e parë?

Krijuam raste, por na mungoi fati në pjesën e dytë dhe pësuam një gol që për atë që dhuroi pjesa e parë nuk e meritonim. Gjithsesi, rëndësi ka fundi i takimit, që foli për ne.

Dhjetë pikë në 4 javë, si e komentoni?

Ne jemi një skuadër e re, sepse jemi bashkuar pjesa më e madhe në merkaton e kaluar dhe normalisht duhej pak kohë për ambientimin tonë. Mendoj se tani e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Jemi duke u përshtatur shumë mirë dhe kemi krijuar një grup të fortë dhe mund të them që vazhdojmë të jemi të etur për pikë. Normalisht, kjo ecuri pozitive na jep akoma më shumë motiv për të punuar akoma më shumë që të marrim maksimumin nga çdo takim. Nuk ndalemi këtu.

Pas 11 javëve gjendeni në vendin e katërt…

Kam ardhur këtu, sepse kam parë një skuadër me shumë ambicie dhe një skuadër me një projekt tepër interesant. Normalisht, në fillim të sezonit objektivi ynë ishte Europa dhe tani jemi vetëm një pikë larg kësaj zone që është prioriteti ynë parësor. Ne do luftojmë deri në frymën e fundit, pse jo dhe për titullin kampion.

Ju janë besuar “çelësat” e mesfushës së Teutës?

Është shumë përgjegjësi të jesh në rolin e regjisorit te mesfusha e skuadrës së Teutës. Nga ana tjetër është një sfidë e imja me veten. Në radhë të parë dua të falënderoj profesorin për besimin dhe në çdo ndeshje nga minuta e parë jam munduar dhe do mundohem t’ia shpërblej besimin e dhënë.

Cila është pika më e fortë e skuadrës?

Me plot bindje e them që pika më e fortë është grupi. Jemi një familje të gjithë së bashku.

Ndryshon kampionati shqiptar me atë kosovar?

Normalisht që të dy kampionatet kanë veçoritë e tyre. Në çdo kampionat shkalla e vështirësisë është e lartë. Këtu futbolli është më taktik, ndërsa ai i Kosovës mendoj që është më i luftuar, më i fortë. Për sa i përket kundërshtarit më të fortë, mund të them së është Skënderbeu.

Tani Kamza, sërish jashtë fushe. Teuta është gati të marrë maksimumin?

Personalisht mendoj që e kemi kaluar ngërçin psikologjik që mund të kishim në disa ndeshje jashtë shtëpisë tonë. Si ekip, ne i marrim takimet me radhë dhe nuk preferojmë të bëjmë dallime si për kundërshtarët apo për fushën ku luajmë. Çdo kundërshtar e kemi vlerësuar dhe vazhdojmë ta bëjmë diçka të tillë.

Vijmë pas një fitoreje shumë të rëndësishme dhe pas rezultateve të mira dhe kështu duam ta ruajmë këtë gjë dhe në ndeshjen e radhës. Kemi respekt për kundërshtarin dhe nuk e nënvlerësojmë. Po përgatitemi në maksimum që të ruajmë ritmin dhe të shfrytëzojmë momentin tonë të mirë që po kalojmë që të ngjitemi akoma më shumë në renditje dhe të jemi në luftë për objektivat tonë, ndonëse çdo pikë vlen.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"