Nga lëvizjet tek premtimi i administratorit Ajazi: Tomori në Superiore, rikthejmë emocionet e sezonit 1999-2000

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2021 | 23:47

Nga lëvizjet tek premtimi i administratorit Ajazi: Tomori në Superiore, rikthejmë emocionet e sezonit 1999-2000

Në Berat të gjithë faktorët janë angazhuar për të hedhur bazat për projektin e ri dhe ambicioz të sezonit të ri futbollistik. Kryebashkiaku Ervin Demo, njëkohësisht president i Tomorit dhe administratori i Tomorit, Ismet Ajazi, për momentin janë të rezervuar për të mos zbuluar detaje nga projekti i ri i rindërtimit të skuadrës, por kanë siguruar se ky projekt për të cilin janë duke punuar në këto momente, konsiston në faktin se Tomori do të jetë pa diskutim në sezonin e ri një skuadër cilësore, ku do të investohet fuqishëm në merkato. Kështu që, synohet ngjitja direkt në Superiore dhe, pse jo, Tomori të jetë skuadra më e mirë dhe më e fortë e Kategorisë së Parë.

egnaia tomori

ADMINISTRATORI AJAZI- “Jemi duke punuar intensivisht për projektin e kampionatit të ri dhe shpresojmë që nga java e ardhshme ta zyrtarizojmë. Projekti i ri, si objektiv primar ka jo vetëm rikthimin në Superiore, por më së shumti të shërbejë për të hedhur bazat e zhvillimit të futbollit beratas në perspektivë.

Tani më duhet të deklaroj se zyrtarisht kemi mbyllur të gjitha detyrimet financiare që kishim ndaj skuadrës gjatë sezonit kaluar. Me përfundimin e kontratës së përbashkët të punës që kishim mes palëve e likuidimin e pagës së fundit mujore, kemi ezauruar gjithçka për sa u përket detyrimeve financiare.

Ky aspekt është shumë i rëndësishëm dhe tregon korrektesën tonë si klub dhe të bashkisë, duke qenë shembull pozitiv në këtë drejtim. Kam kënaqësinë, por edhe detyrimin zyrtar si administrator i klubit, të deklaroj me shumë përgjegjësi se e gjithë merita është e kryebashkiakut dhe presidentit tonë, Ervin Demo, i cili është promotor i projektit të sezonit të ardhshëm.

Me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm them se kampionati i ri do t’i rikthejë Beratit të njëjtën atmosferë të ndezur, si në periudhën e sezonit historik 1999– 2000″, tha për “Panorama Sport” administratori i Tomorit Ajazi, që duket qartë se ka mbajtur rezervë surprizat që priten të zbulohen javën e ardhshme, kur do të bëhet prezantimi zyrtar i projektit të ri të rindërtimit të Tomorit.

Kjo do të bëjë që, në Berat të rritet dukshëm adrenalina dhe kurioziteti i opinionit futbolldashës vendës, për të zbuluar më shumë detaje rreth projektit të ri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"