Nga Laçi tek Reali, Myrto Uzuni në “Panorama TV”: Jam gati të luaj në La Liga, nuk mund të flas për Asllanin dhe Brojën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 17:20

Nga Laçi tek Reali, Myrto Uzuni në “Panorama TV”: Jam gati të luaj në La Liga, nuk mund të flas për Asllanin dhe Brojën…

Sulmuesi beratas Myrto Uzuni që luan për Granadën ka dhënë një intervistë për emisionin sportiv “Panorama Sport” në “Panorama TV”. Ai ka folur për golat e shënuar, ofertat,  trajnerin Silvinjo, “Euro 2024” dhe ndjesinë e të luajturit kundër Real Madridit në “Santiago Bernabeu”.

30

“Çdo gjë shkon shumë mirë, kam shënuar dy gola në ndeshje. Kjo vjen pas një pune të lodhshme, çelësi i vetëm është besimi në vete dhe në forcat e veta. Jam shumë i lumtur për veten time pasi është një arritje të madhe, unë besoj dhe gjithmonë kërkoj më të mirën. Asgjë nuk vjen falas në këtë jetë. Kam mbushur një vit këtu dhe jam shumë i lumtur, erdha për një hap më të madh, jam gati për të luajtur në La Liga. Përshtatja ishte pak e vështirë, pasi një trajner më vendoste në mbrojtje. Kur ramë nga La Liga dhe fola me drejtuesit që të dija se çfarë prisja, dhe këtë vit më është thënë që do të ngjitemi në La Liga.

Kam pasur shumë oferta por kam qenë i fokusuar këtu dhe që të shënoj sa më shumë gola. Bëra hap fals duke ardhur nga Hungaria këtu në La Liga 2. Ndryshimet janë shumë të mëdha mes këtyre shteteve. Kemi vazhdimisht kontakte nga stafi i trajnerit të ri, dhe nesër kam një videocall me trajnerin Silvinjo. Disa shokë më thonë u lodhëm duke të uruar për golat. Është arritje të kemi një person si Silvinjo në krye të pankinës. Do të bëjmë maksimumin për të shkuar në Europian. Për mua është ndjesia më e bukur të shënoj për kombëtaren. Tani jetoj me Uardën, kemi 2 vite kemi një lidhje stabile, më mbështet shumë në karrierë. Është herët për dasmë, po njihemi më mirë, por besoj do ndodhë shumë shpejt, Do ti ftoj të gjithë shokët. Jam i dashuruar plotësisht.

Sma merrte mendja se do isha titullar kundër Realit të Madridit, kur shikova lojtarët mendoja se po luaja në Play Station. Kur dola në “Santiago Bernabeu” ndryshoi çdo gjë për mua, kuptova rëndësinë e kësaj lige dhe isha krenar për veten time. Tek Laçi kam kaluar një periudhë shumë të mirë, kemi pasur grup të mirë dhe mendoj se presidenti i klubit është më i miri në Shqipëri pasi kujdeset personalisht për lojtarët dhe nxjerr më të mirën prej tyre. Shoh çdo ndeshje të tyre dhe jam shumë i lumtur sepse ata kanë mundësi të bëjnë më mirë akoma. Është shumë herët për të folur për një rikthim në kampionatin shqiptar pasi jam i fokusuar të eci akoma më larg dhe jo të bëj hapa pas unë shikoj vetëm përpara. Nuk e di sa do të qëndroj këtu, pasi nëse ngjitemi në La Liga ekipi më ka premtuar një kontratë më të mirë. Nuk dua të shkoj në ekipe të tjera pasi nuk dua të qëndroj në stol kur ndërkohë këtu jam titullar, më mirë të jesh i pari i fshatit se sa i fundit i qytetit. Nuk mund të flas për Asllanin dhe Brojën pasi ata e dinë vetë të ardhmen e tyre se çfarë duan dhe unë kështu e shoh futbollin. Jam gati të luaj në La Liga, objektivi im është të shënoj sa më shumë gola dhe të ngjis Granadën në La Liga”, u shpreh Uzuni për “Panorama TV”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"