Nga Laçi në “San Siro” kundër Milanit, Teqja: Fola me Muzakion, më përgëzoi Bonaventura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 23:03

Nga Laçi në “San Siro” kundër Milanit, Teqja: Fola me Muzakion, më përgëzoi Bonaventura

Olsi Teqja ka përjetuar një paradoks ndjenjash të enjten në mbrëmje. Nga njëra anë po luante në stadiumin “San Siro” kundër skuadrës së Milanit për të cilën po bënte tifo dhe nga ana tjetër i duhej të limitonte humbjen e thellë që po pësonte Shkëndija e tij. Futbollisti tiranas u bë i famshëm te skuadra e Laçit fillimisht, për aftësinë e tij të të luajturit në mbrojtje dhe mesfushë, por më pas u rikthye te klubi mëmë, Tirana.

teqja

Gjatë kësaj vere, kaloi te tetovarët e Shkëndijës, të cilët sfiduan Milanin e madh në “play off”-in e Ligës së Europës, por për fat të keq pësuan një humbje të thellë 6-0. “Nuk e mendoja atë humbje të thellë, por Milani ishte i një standardi tjetër. Me blerjet e reja ishin të frikshëm”, tregon Teqja në një intervistë për “Panorama Sport”.

Çfarë ndjesie ishte që të shkelje në mitikun “San Siro”?

Një “miks” ndjesish dhe të gjitha pozitive. Ishte një ëndërr dhe uroj që çdo sportisti t’i ndodhë që të luajë një herë në atë stadium gjatë karrierës.

E kishe menduar ndonjëherë që do të luaje kundër Milanit?

Nuk e kisha menduar në fakt. Po duke kaluar turet e njëpasnjëshme nisëm të shpresonim. Pastaj kur u hodh shorti, gjithçka u bë e mundur. Shorti donte që të ndesheshim me Milanin.

Më thuaj të vërtetën, kur e kuptove që po luaje në atë stadium dhe sa minuta t’u deshën që të merrje veten?

Në fakt, unë kam qenë i dëmtuar dhe kam zhvilluar vetëm pak stërvitje gjatë javës. Ndaj e kisha marrë me qetësi. Trajneri më futi direkt në fushë, ndaj as nuk kisha kohë që ta mendoja shumë. Fillimisht, isha “i mpirë”, por shumë shpejt mblodha veten. Thashë: ky është një shans dhe duhet ta shijosh. Këtë bëra çdo minutë që qëndrova në fushë, e shijova.

download

Rezultati ishte i thellë, por a e kishe menduar që do të mbyllej 6 me 0?

Nuk e kishim menduar këtë rezultat në fakt dhe nuk kishim se si, kur dihet që Shkëndija ka një ekip me shumë cilësi.

Çfarë të bëri më shumë përshtypje në ato 90 minuta?

Nuk mund të veçoj asgjë, pasi gjithçka ishte unike. Një atmosferë elektrizuese.

Na trego ndonjë detaj për lojtarët që deri dy ditë më parë i kishe parë në TV dhe të enjten i pe në fushë…

Lojtarët e Milanit ishin një perfeksion i vërtetë. Kanë bërë një merkato super dhe kjo u pa edhe të enjten në fushë. Diferencat ishin të mëdha.

A pate mundësi që të këmbeje ndonjë fjalë me lojtarët e Milanit?

Po. Shorti më ra që në fund të ndeshjes të bëja testin antidoping dhe aty pata mundësi që të bisedoja me lojtarë të ndryshëm.

Me kë konkretisht?

Fola me Çalhanoglun, Borinin, Muzakion dhe Bonaventurën.

Dhe çfarë të thanë…?

Biseda të çastit, të shkurta dhe miqësore. Më uruan për paraqitjen që kishim bërë deri në këtë fazë.

Pati ndonjë batutë për videon “e famshme” që qarkulloi në rrjet?

Po, me Muzakion. Meqenëse është me origjinë të largët shqiptare, i kujtova që kemi edhe në një Muzakë në Shqipëri (qesh).

Në fund të ndeshjes, me kë e ndërrove fanellën?

Me Bonaventurën. Dhe më përgëzoi për ecurinë që kishim bërë deri në “play off”.

T’u desh që të përballeshe me sulmuesin më të ri të Milanit, Andre Silvën. Si ishin dyluftimet me të?

Dyluftimet ishin shumë të forta dhe jo vetëm me Silvën, por edhe me lojtarët e tjerë.

Për kë bën tifo Teqja në Serinë A?

Për Milanin, të tregohem i sinqertë.

Pas ndërhyrjeve të verës, mendon që ky Milan është i frikshëm?

Mendoj se Milani po rikthehet si ai i dikurshmi. Kanë bërë merkato super dhe mendoj se me Bonuçin dhe Çalhanoglun kanë goditur.

Shanse për grupet nuk ka më, por çfarë synimesh keni për ndeshjen e 24 gushtit?

Pretendimet tona janë që të bëjmë një paraqitje më të mirë. Duhet të harrojmë humbjen në Milano. Stadiumi pritet që në Shkup të jetë i tejmbushur, ndaj na mbetet për detyrë që t’i gëzojmë tifozët tanë me një paraqitje dinjitoze.

“Ballistët” nuk ju lanë vetëm, ishin edhe në “San Siro”…

“Ballistët” janë shumë të rëndësishëm për Shkëndijën, ata janë kudo ku ne jemi. S’mund të mungonin as në “San Siro”. Ishin unikë, me ata, stadiumi foli shqip.

Teqja Shkendija

Mund të themi që Teqja ka “rilindur” në Tetovë?

Nuk do ta quaja “rilindje”. Por gjithsesi ndihem shumë mirë. Në çdo ekip duhet pak kohë për përshtatje dhe sikundër dihet unë erdha disi me vonesë te Shkëndija. Ekipi e kishte nisur fazën, ndërkohë që kam pësuar edhe një dëmtim së fundmi. Gjithsesi, gjithçka i përket së shkuarës dhe tashmë ndihem në formë dhe gati për ta shijuar këtë aventurë.

A je përshtatur me grupin dhe me cilët lojtarë rri më shumë?

Raportet i kam shumë të mira me të gjithë dhe përshtatjen po ma bën më të lehtë i gjithë grupi i lojtarëve. Por, do veçoja Cuculin, Hasanin dhe Alimin, me të cilët rri më shumë.

Nga Tirana te Shkëndija, na trego pak diferencat?

Me thënë të drejtën, Shkëndija është një klub shumë herë më i organizuar dhe me një buxhet shumë herë më të madh, këto sjellin edhe diferencën me Tiranën. Unë e kam thënë që çdo klub mund të ketë periudhën e vet jo të mirë dhe jam i bindur që Tirana do ta kalojë me sukses. Ata do të rikthehen shumë shpejt aty ku i takon.

E fejuara jote ishte në tribunë. Dhe si gjithnjë Sara është fansja jote, por tifoze me kundërshtarët e tu…

Familja ime është gjithmonë pranë meje e sigurisht që edhe e fejuara ishte e pranishme në “San Siro”.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"