Nga Kutinjo te titulli, Klop është edhe… profet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 13:53

Nga Kutinjo te titulli, Klop është edhe… profet

Disa e quajnë një strateg fantastik dhe i tillë ka treguar se është… Për të tjerë është një psikolog, duke parë se si i lidh marrëdhëniet me futbollistët dhe faktin që di të marrë më të mirën e tyre, por tashmë ka filluar të quhet edhe si një… profet. 

jurgen-klopp-philippe-coutinho-liverpool_159qlangixfla1jwrajkmrdpie

Pikërisht kështu dhe faktet i sjell në qendër të vëmendjes tabloidi “Daily Mail”, i cili sjell në kujtesë disa nga deklaratat, më saktë mendimet e tij, që nuk kanë vonuar të bëhen realitet shumë shpejt. Jyrgen Klop, të paktën në Angli, sapo zbarkoi në Liverpul, nisi duke thënë se skuadrën që ka në mendje dhe që do të nisë të fitojë do ta shihnin të gjithë pas 3-4 vitesh. U tha u bë, sepse pas zbarkimit në verën e vitit 2015, trofeu i parë me të kuqtë erdhi në sezonin e tij të katërt dhe jo një trofe çfarëdo, por ai i Ligës së Kampioneve.

Gjithsesi, mes kësaj periudhe, një ndër të paktat herë që trajneri gjerman u pa shumë i indinjuar dhe i nervozuar ishte rebelimi i Felipe Kutinjos. Braziliani, i cili u bë një futbollist i madh pikërisht falë ideve të lojës dhe lirshmërisë që Klop i dha në fushë, vendosi t’i bashkohej Barcelonës në janar të vitit 2018,  për shifrën e 120 milionë eurove, plus 40 milionë bonuse. Pasi akordi u nënshkrua, tekniku i “Reds”-ave paralajmëroi:

“Kutinjo gaboi që u largua nga ne, sepse larg Liverpulit do të jetë një lojtar krejt tjetër”. E përkthyer do të thoshte larg nivelit që u pa në Premier Ligë. Dhe Klop goditi në shenjë, sepse Kutinjo jo vetëm që ishte një flop i madh te Barcelona, por ai u kris me katalanasit, aq sa provoi të rigjejë lavdi sot e kësaj dite te Bajerni i Mynihut, me rezultate edhe më negative sesa në Spanjë. Profecitë nisën të vihen në skenë një e nga një, por më të bukurat duhej të pasonin.

Pas festës me birra dhe që siç e ka pranuar ai vetë, Jyrgen Klop ishte edhe i dehur, ai premtoi të prishë edhe tabunë e titullit kampion… Dhe më shumë sesa Champions-i, në Liverpul tifozët prisnin pikërisht fronin e Premier Ligës, një trofe që i mungon prej 30 vitesh (i fundit në 1990) dhe profecia e radhës është gati që të konfirmohet. Aktualisht, të kuqtë kanë 16 pikë avantazh ndaj Sitit, me një ndeshje për të rikuperuar kundër Uest Hemit, të mërkurën.

Por gjithsesi emocionet për këtë arritje të radhës kanë nisur të ndihen dhe Jyrgen Klop edhe pse e di se njërën dorë e ka vënë te trofeu, ai minimizon: “Më vjen të vjell kur më thoni se titulli është i yni tashmë…”. Gjithsesi, kjo përgjigje duket më shumë një besëtytni, pasi një profet si Klopi e di mirë se edhe në këtë sezon nuk do të gabojë me parashikimin e tij…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"