Nga Kumanova në Shijak për të krijuar “murin e Erzenit”. Sadiki: Me kapitenin luajtëm me serum, më frymëzon Serxhio Ramos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 18:25

Nga Kumanova në Shijak për të krijuar “murin e Erzenit”. Sadiki: Me kapitenin luajtëm me serum, më frymëzon Serxhio Ramos

Një nga mbrojtësit, i cili ka rënë në sy për paraqitjen fantastike që ka bërë në këto pesë javë kampionat me fanellën e Erzenit, është shtatlarti Nehar Sadiki, i cili luan për herë të parë në kampionatin shqiptar. Lojtari 24-vjeçar nga Kumanova, 1.94 metra i gjatë, iu bashkua shijakasve në muajin korrik, në një kohë që një pjesë të mirë të fazës përgatitore e zhvilloi me Egnatian e Rrogozhinës.

sadiki

Ai vjen pas një eksperience disavjeçare nga kampionati maqedonas, ku është aktivizuar për ekipe si Rabotniçki, Renova, Borec Velezh etj. Gjithashtu ka luajtur një sezon në Maltë me Hamrun Spartans. Sadiki ka qenë rregullisht pjesë e kombëtareve të moshave të Maqedonisë së Veriut, dike filluar nga U-17 deri tek U-21. Drejtuesit e Erzenit nuhatën cilësitë e tij dhe e bindën të linte Egnatian, ndërsa vetë mbrojtësi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon se i duket vetja sikur ka një jetë pjesë e shijakasve.

Sadiki, pesë ndeshje pa pësuar gol dhe të gjitha si titullar tek Erzeni. Sa domethënëse janë këto statistika për ju si mbrojtës?
Së pari, faleminderit për intervistën, pasi kjo është hera e parë që flas për një media në Shqipëri. Sa u përket statistikave, më duhet të them se prej momentit që kemi ëndërruar për t’u bërë futbollistë, sigurisht kemi menduar për fitoret dhe humbjet që mund të kemi në karrierë. Jam krenar për këtë ecuri të mirë dhe sa për mbajtjen e portës së paprekur, mund të them se ka meritë i gjithë ekipi.

Ndaj Laçit vuajtët jo pak në pjesën e parë, çfarë kishte ndryshe kjo ndeshje nga të tjerat që nuk keni pësuar?
Të jem i sinqertë, unë dhe kapiteni Krasniqi, përpara ndeshjes kemi marrë serum, sepse nuk jemi ndier mirë, por forca, mbështetja dhe vendosmëria, bëri që të dalim në fushë dhe të luajmë. Në fund ia dolëm, duke festuar së bashku fitoren.

Ju u stërvitët për një periudhë tek Egnatia dhe më pas kaluat tek Erzeni. E prisnit kaq mirë fillimin?
Të them të drejtën, më duket sikur kam një jetë këtu tek Erzeni, duke parë mënyrën si ndihemi. Kemi staf super, çuna shumë të mirë, ndërsa tifozët janë fantastikë dhe të rrallë. Janë shumë të veçantë.

Duke qenë se ju jeni një shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe më së shumti keni luajtur aty, a mund të na bëni një krahasim me Superioren?
Të dyja kampionatet janë të forta, por Superliga shqiptare ka një emocion të veçantë. Jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe sidomos pjesë e kësaj klime të bukur tek Erzeni i Shijakut. Janë njerëz me shpirt dhe zemër të madhe, që të bëjnë të japësh maksimumin në fushë.

Kaq shumë impakt ka te ju tifozëria shijakase?
Për mua Erzeni ka tifozët më të zjarrtë në trevat shqiptare. Ka diçka të veçantë këtu në Shijak që të bën për vete. Është dashamirësia e njerëzve, mikpritja dhe dëshira e zjarrtë që ata kanë për futbollin. Çdo gjë ata e bëjnë me shpirt dhe zemër.

A ka një mbrojtës në futbollin botëror që ju frymëzon?
Po, është Serxhio Ramos, mbrojtësi që më ka inspiruar gjithmonë.

Përpara keni dy ndeshje në transfertë, fillimisht për Kupën e Shqipërisë ndaj Turbinës në Cërrik dhe më pas për javën e gjashtë të kampionatit ndaj Bylisit në Ballsh. Si i shikoni këto ndeshje?
Futemi në fushë për të fituar, por me këmbë në tokë. Duke respektuar detyrat e trajnerit Kapllani, mendoj se do ta kalojmë çdo sfidë.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"