Nga Kategoria e Dytë kërcënojnë Vllazninë për Kupën, Resuli: Kam edhe unë një Vllazni në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 23:44

Nga Kategoria e Dytë kërcënojnë Vllazninë për Kupën, Resuli: Kam edhe unë një Vllazni në ekip

Në Vlorë e quajnë të mbyllur ngjitjen në Kategorinë e Parë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Dritan Resuli “zbërthen” objektivat e fazës së dytë. Priten afrime që të bëjnë diferencën, por edhe nëse nuk do të ketë, trajneri është i kënaqur me grupin aktual. Resuli tenton të shkojë sa më larg në Kupë, pasi nuk u druhet shkodranëve, pasi thekson se ka një Vllazni brenda Flamurtarit.

RESULI

Resuli, cilët janë objektivat e Flamurtarit në fazën e dytë?
Grupi është i plotë. Qëllimi dhe objektivat dihen cilët janë. Duam që ta mbyllim sa më shpejt dhe të konsolidojmë pozitat. Kemi nisur prej dy ditësh përgatitjet. Ekipi po merr ngarkesën e plotë. Do të jetë një fazë e ngjeshur përgatitore bazuar në një program të përcaktuar qartë. Jeni takuar me të gjithë kundërshtarët dhe keni krijuar një ide të qartë.

Si ju duket kjo kategori?
Koha që kemi në dispozicion e lehtëson punën dhe na lë ta shfrytëzojmë në maksimum që ekipi të kapë formën sa më shpejt. Edhe pse janë shumë pak ditë pushimi, ne jemi më të përkushtuar. I dimë tani se cilët janë kundërshtarët tanë dhe do të marrim masat tona për ta arritur atë që duam, siç e thashë më lart, ta mbyllim sa më shpejt kampionatin.

Keni një koment për mbylljen e fazës së parë?
Ishte brenda pritshmërive. E kam thënë se koha që patëm në dispozicion në nisje të kampionatit nuk ishte e mjaftueshme. E nisëm me dy barazime, që nuk do të përsëriten më në vazhdimësi. Grupi është i plotë, kemi kohën e nevojshme dhe jemi brenda të gjithë objektivave.

Do të ketë përforcime gjatë këtij muaji?
Për lojtarë që na ndihmojnë patjetër që jemi të hapur, por edhe ky grup më bind shumë. Në të gjitha repartet kemi nevojë për alternime pasi edhe lojtarët kanë nevojë për t’u çlodhur, ndoshta do të kemi edhe raste virozash… Mund të na duhet ndonjë përforcim që e kompleton edhe me shumë grupin. Megjithatë, edhe këta lojtarë që kemi, më bindin.

Do ta nisni me Kupën përballë Vllaznisë. E synoni këtë trofe?
Të luash kundër ekipeve të elitës është një motivim tjetër. Normalisht edhe ne si pjesëtarë të Flamurtarit, por edhe tifozëve vlonjatë u ka munguar një ndeshje e këtij niveli. Kështu që, do ta vlerësojmë në maksimumin atë ndeshje dhe do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund.

I druheni Vllaznisë në këtë ndeshje?
Flamurtari me këta djem nuk i trembet asnjë kundërshtari. E kam një Vllazni brenda ekipit. Kjo më bën optimist për paraqitje dinjitoze.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"