Nga kampionati në Champions, ja 18 rekordet që “përbindëshi” Haland ka thyer deri tani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2023 | 10:51

Nga kampionati në Champions, ja 18 rekordet që “përbindëshi” Haland ka thyer deri tani

Erling Haland duket sikur thyen një rekord të ri në çdo ndeshje që shënon. Me tripletën ndaj Uolvesit sulmuesi norvegjez ka thyer 18 rekorde që tani.

haland

1 – Sulmuesi norvegjez debutoi në Premier Ligë këtë sezon me fanellën e Sitit, duke shënuar 9 gola në 5 ndeshjet e tij të para në kampionat, rekordi i tij i parë në Angli.

2 – Pesë prej këtyre 9 golave 22-vjeçari i shënoi në muajin gusht, duke e bërë atë lojtarin me më shumë gola në historinë e Premier Ligës gjatë këtij muaji.

3 – Haland nuk arriti të shënojë dot 3 tripleta radhazi në Premier Ligë. Por ai i shënoi 10 golat e parë në kampionat në vetëm 6 ndeshje, duke u bërë lojtari i parë që arrin dopioshifra golash në kaq pak sfida.

4 – Haland u bë lojtari i parë në historinë e Sitit që shënoi në debutimin në Premier Ligë dhe Champions (debutoi me dopietë ndaj Uest Hemit dhe dopietë ndaj Seviljes).

5 – Goli i dytë ndaj andaluzianëve në Champions, e dërgoi numrin e tij të golave në këtë kompeticion në 25. Ky ishte një tjetër rekord, sepse ai u bë lojtari më i ri që e arrin këtë shifër në historinë e turneut (ishte vetëm ndeshja e 20-të).

6 – Haland vijoi të tregonte formën e tij në “Molineux”, ku ai shënoi golin e tij të parë nga jashtë zone për Sitin. Pas golave ndaj Uest Hemit, Njukasëllit dhe Vilës, ai u bë lojtari i parë i cili shënonte në katër ndeshjet e tij të para të kampionatit në transfertë.

7 – Goli ndaj Uolvesit vendosi një tjetër rekord, duke e bërë lojtarin që ka shënuar më shumë gola në 7 ndeshjet e para të Premier Ligës (11).

8 – Ai u bë futbollisti i parë në Premier Ligë që shënon 3 tripleta radhazi në shtëpi. Dhe e vendosi këtë rekord në derbin e Mançesterit, që pasuan tregolëshat ndaj Palasit dhe Forestit.

9 – Por norvegjezi theu një tjetër rekord me tri tripletat në Premier, duke i shënuar ato në vetëm 8 ndeshje. Rivalit më të afërt iu deshën 48 ndeshje për ta marrë topin me vete në shtëpi si suvenir.

10 – Rekordet në derbi nuk ndalen këtu, sepse Haland u bë futbollisti i parë që prej Freni Lisë në 1970-ën, i cili shënonte një tripletë në derbi për Sitin, por Fill Foden u bë i dyti që e arriti një rekord të tillë gjatë ndeshjes. Goli i 12- të, 13-të dhe 14-të në kampionat në vetëm 8 ndeshje, e bënë norvegjezin edhe shënuesin më të mirë të historisë në 8 daljet e para në Premier Ligë.

11 – Rekordi i fundit që vendosi në derbin e Mançesterit, ishin edhe dy asistet për Fodenin në fitoren 6-3. Duke i shtuar tre golat, ai u bë lojtari i parë që përfshihej në 5 gola në çdo derbi mes Sitit dhe Junajtidit.

12 – Kur shënoi ndaj Sauthemptonit në tetor, ishte goli i tij në ndeshjen e shtatë radhazi në Premier Ligë, por edhe i 15-ti sezonal. Asnjë lojtar i Sitit nuk kishte festuar në 7 ndeshje kampionati radhazi.

13 – Pas disa ndeshjeve i dëmtuar dhe pauzës së Botërorit, Haland u rikthye në aksion me një gol në Kupë kundër Liverpulit dhe dopietën ndaj Lidsit për Krishtlindje. Ai arriti 20 golat në Premier Ligë, duke vendosur një tjetër rekord: i pari që shënon kaq shpejtë 20 golat, duke lënë pas Kevin Filipsin, të cilit iu deshën 21 gola.

14 – I pakënaqur duke thyer vetëm rekorde në Premier Ligë, Haland theu një rekord të Mesit me golat ndaj Lidsit. Argjentinasit iu deshën 28 ndeshje për të shënuar 25 golat e tij me Guardiolën në stol. Norvegjezi e zbriti me 8 ndeshje.

15 – Ky është një rekord që do të vazhdojë të thellohet. Me golin ndaj Totenhemit javën e shkuar, i cili ishte i 22-ti në Premier, e bëri atë shënuesin më të mirë të Premier Ligës në çdo sezon të Guardiolës në Angli.

16 – Tripletat e Halandit janë tkurrur pas derbit, por ai u rikthye me një tregolësh ndaj Uolvesit, që e dërguan në 25 totalin e golave të tij në kampionat dhe ishte tripleta e katërt e tij në vetëm 19 ndeshje në Premier. Lojtari që i kishte arritur më shpejt 4 tregolëshat përpara tij ishte Van Nistelroi (iu deshën 65 ndeshje).

17 – Të dielën, Haland vendosi një tjetër rekord në Premier Ligë, duke thyer sërish Kevin Filipsin. Ai e shënoi golin e 25-të në kampionat në paraqitjen numër 19. Filipsit iu deshën 26 ndeshje për të mbërritur atje.

18 – Haland ka shënuar 18 nga 25 golat e tij në Premier Ligë në 11 ndeshje në “Etihad”. Me tripletën ndaj Uolvesit ai theu rekordin e Serxho Agueros, i cili mbante primatin e golave në shtëpi në Premier Ligë (16).

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"