Nga Kallaku i Teutës te “BAM”-i Partizanit, ja talentet e rinj ku shpreson Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2018 | 18:56

Nga Kallaku i Teutës te “BAM”-i Partizanit, ja talentet e rinj ku shpreson Superiorja

Futbolli shqiptar po kalon një mijë e një probleme, por sërish arrihet që të dalin disa elementë të rinj, te të cilët mund të varen shpresat e së ardhmes. Kryendeshja e javës së 16-të të Kategorisë Superiore u zhvillua të shtunën në “Niko Dovana” mes Teutës dhe Partizanit.

belica bardhi asani mala

Të kuqtë janë kthyer si një magnet për thithjen e tifozëve në stadiume, pasi në përgjithësi, ku ka luajtur Partizani në transfertë, shikueshmëria në stadiume ka qenë më madhe se më herët. E njëjta gjë ka rezultuar edhe në Durrës, pasi kishte vite që nuk shikoheshim mbi 6 mijë sportdashës në shkallët e stadiumit “Niko Dovana”, të cilët sfiduan edhe kushtet e vështira atmosferike që ishin gjatë këtij takimi.

Rreth 1500 vetë kishin udhëtuar nga kryeqyteti për të mbështetur Partizanin në Durrës. Prania masive e tifozëve në “Niko Dovana” ishte gjëja më e bukur e javës së 16-të të Superiores. Duke qenë kryendeshja, vëmendja e javës së shkuar ishte te ky takim. Sherif Kallaku ishte një nga më të mirët në fushë, ku me finesën dhe zhdërvjelltësinë e tij, si dhe ledhatimin që i bënte topit, ra më shumë në sy.

Kallaku Teuta

Si për ironi të fatit, mesfushori 20-vjeçar nga FushëKruja është produkt i akademisë së kuqe, por nuk u vlerësua sa duhet dhe tani po spikat te Teuta, që ia “rrëmbeu” Laçit, klubi që e promovoi në Superiore. Një tjetër sinjal shprese për futbollin e varfër shqiptar mund të quhet edhe një tjetër 20- vjeçar nga radhët e Teutës, Roni Gashi. Trajneri Shkëmbi e mori me vete nga Liria e Prizrenit mesfushorin që shënoi golin e parë të takimit dhe shikohet si një lojtar me perspektivë. Partizani krenohet këtë vit me “BAM”-in, treshen Bardhi-AsaniMala.

Në Durrës shënoi Jasir Asani, i cili po zhvillon një sezon në rritje te “demat”. Përveç këtyre, lojtarë të rinj që e mbushin me shpresë Superioren gjen edhe të skuadrat e tjera, ku shembulli më i mirë i promovimit të të rinjve mbetet Laçi, i cili këtë vit ka dy elementë të perspektivës, Redon Xhixha dhe Jon Mersinaj. Te Skënderbeu janë Gripshi dhe Krasniqi; te Kukësi spikat Valon Ethemi; te Tirana shpresat janë tek Albi Doka; te Flamurtari ka gjasa shpërthimi portieri Pano Qiro dhe Fjoralb Delia; te Kastrioti është Julian Shehu.

Në përgjithësi, këtë sezon trajnerët po besojnë më shumë te lojtarët e rinj, të cilët mund të dalin një investim me vlerë për të ardhmen e klubeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"