Nga kalendari te brishtësia, ja arsyet pro dhe kundër për Partizanin në garën për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 13:08

Nga kalendari te brishtësia, ja arsyet pro dhe kundër për Partizanin në garën për titull

Partizani e do titullin për shumë arsye dhe ka disa elemente, që i shkojnë përshtat dhe e ndihmojnë t’i shkojë Superiores deri në fund, pavarësisht se Tirana është dy pikë para dhe ka gjithçka në dorën e vet. Por asgjë nuk është mbyllur. Më poshtë ju rendisim disa arsye, përse Partizani ka ende mundësi për përmbysjen e madhe.

Partizani

1. Kalendari favorizon të kuqtë. Ata luajnë me Vllazninë, në shtëpi, ndërsa Tirana në një transfertë “ferri” në Laç. Ndërkohë, bardheblutë luajnë dy sfidat e radhës me dy kundërshtarë, që janë në garë për mbijetesë, Bylisin dhe Erzenin. Nga ana tjetër, Partizani sfidon Kastriotin e vendit të fundit dhe Teutën.

2. Partizani ka arritur të fitojë duelin e ndeshjeve direkte me Tiranën dhe nëse gjithçka shkon me pikë të barabarta, titulli vishet me të kuqe. Dhe dy pikë në tri ndeshje janë tërësisht të rikuperueshme.

3. Ndryshe nga kundërshtari, ekipi i kuq është një skuadër e bollshme dhe ka një organikë shumë të pasur. Tiranës i kanë ikur pjesët gjatë rrugës dhe i fundit ishte Lushkja në derbi.

4. Partizani është një skuadër me peshë të madhe në fanellën dhe në stemën e saj dhe në ndeshje të caktuara këto dy elementë ndikojnë që ta nënshtrojnë kundërshtarin dhe të fitojnë edhe ndeshje vendimtare.

5. “Demat” aktualisht kanë ardhur në gjendjen e vet më të mirë të të gjithë sezonit. Ekzaktësisht, Partizani ka kapur kulmin, për sa i përket lojës dhe formës së lojtarëve.

Ashtu siç ka arsye për ta fituar, Partizani ka edhe arsye për të mos e fituar titullin. Sfida është shumë e vështirë dhe argumentet kundër janë gjithashtu sfiduese për skuadrën e Kolelës. Më poshtë po ju rendisim disa arsye përse Partizani nuk e fiton dot titullin, gjithnjë në kuadrin hipotetik.

1. Barazoi në derbi. Skuadra e Kolelës, nuk arriti të fitojë ndaj Tiranës, në një ndeshje ku kishte shansin të tregonte forcën e vet dhe se mund ta merrte këtë titull, pa patur nevojë për të pritur hapat falsë të kundërshtarëve në javët e fundit.

2. Pas barazimit, Partizani nuk ka asgjë në dorë dhe Tirana ka shansin të zhvlerësojë çdo rezultat të “demave” në ndeshjet e veta.

3. Skuadra e Kolelës nuk ndez në çastet vendimtare. Partizani sa herë është vënë në presionin e fitores me çdo kusht, nuk ka arritur të mbajë mbi supe trysninë dhe është ndalur. Ndodhi së fundmi, por ka ndodhur edhe më parë me Vllazninë, kundërshtarin e radhës. Është fakt që Partizani ka djegur rrugës shumë shanse për të shkuar te titulli kampion.

4. Partizani është shumë i brishtë. E kemi parë shumë shpesh që kur Partizani shënon i pari dhe ekipi kundërshtar ka forcë sulmuese, të kuqtë i nënshtrohen rivalit dhe dështojnë të marrin tri pikët.

5. Partizani pëson shumë gola. 35 gola në 33 javë të luajtura janë tmerrësisht shumë për një skuadër që pretendon titullin kampion. Këtë e themi ne dhe me siguri e thonë edhe të kuqtë me veten. Koha për të korrigjuar është shumë e shkurtër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"