Nga injorimi i mesazheve te propozimi për martesë, ja historia e veçantë e dashurisë mes Moratës dhe modeles italiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 15:01


Nga injorimi i mesazheve te propozimi për martesë, ja historia e veçantë e dashurisë mes Moratës dhe modeles italiane

Historia e dashurisë e Alvaro Moratës me Aliçe Kampello, është sa e bukur edhe e thjeshtë. Ndonëse nuk i ndan ndonjë historie filmash, është shumë e veçantë për ta dëgjuar.

Modelja italiane ka rrëfyer në një intervistë për “The Sun” nga momenti i parë i njohjes me sulmusin e Atletiko Madrid deri tek propozimi për martesë.

Aliçe tregoi se futbollisti kishte kontaktuar me të gjatë periudhës që ishte tek Juventus në 2016. Siç e do “tradita” ka qënë Alvaro ai që kishte insistuar dhe modelja që e kishte refuzuar në fillim. Partnerja e Moratës tregoi se si fillim ajo i fshiu mesazhet e tij sepse nuk ishte e sigurt se kush ishte ai.

“Ai kishte parë një fotografi të timen dhe kishte pyetur shumë njerëz nëse më njihnin, të na prezantonin, por ne nuk kishim miq të përbashkët”.

“Kështu ai më shkroi (në Instagram), iu përgjigja pas shumë kohësh dhe në fund u takuam. Kur e takova, më bëri për vete sepse e kuptova menjëherë se ishte shumë serioz”, ka thënë modelja.

Synimet e futbollistit ishin të qarta, ku partnerja e tij tregoi se në fillim ai ka udhëtuar për orë të tëra për të takuar familjen e saj.

“Për shembull, dy javë pas takimit tonë të parë, ai udhëtoi tetë orë me veturë për të takuar familjen time dhe u kthye në Torino shumë vonë, edhe pse duhej të stërvitej herët të nesërmen. Ky dhe një mijë gjeste të tjera”, shtoi ajo.

27-vjeçarja vazhdoi të pranojë se Morata kishte ndërmend të martohej me të pas vetëm tetë muajsh lidhje.

Morata dhe Kampello u martuan në qershor të vitit 2017 dhe ata kanë tre fëmijë, përfshirë binjakë.

Ajo shtoi: “Miqtë dhe familja e tij nuk e kishin parë kurrë kështu dhe ai vazhdoi të më thoshte se donte të martohej me mua: në fund, ai më pyeti tetë muaj pasi filluam të takoheshim. Kanë kaluar pothuajse pesë vjet dhe kemi tre fëmijë”.

“Unë mendoj se është kështu kur bie vërtet në dashuri: ndryshon prioritetet dhe thjesht dëshiron të ndërtosh diçka me personin që do. Për mua ishte e njëjta gjë”.

Aktualisht kujtojmë që Morata është në negociata me ekipin Mançester Junajtid për një transferim të mundshëm.


PANORAMASPORT.AL