Nga i dështuar në yll, “vrasësi” i zonës së Milanit quhet Andre Silva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2018 | 21:34

Nga i dështuar në yll, “vrasësi” i zonës së Milanit quhet Andre Silva

“A mendova të largohesha në janar? Jam te Milani dhe këtu mendoj të vijoj të luaj”. Fjalia ka autorësinë e Andre Silvës, i cili dribloi kështu një pyetje direkt. Pavarësisht përgënjeshtrimeve për një transferim të mundshëm të lojtarit nga ana e agjenti Zhorg Mendez dhe vetë klubit kuqezi, nuk ka dyshime që portugezi ishte në kufijtë e skuadrës. Njëkohësisht Milani shihte t’i zhvlerësohej një investim që gjashtë muaj më parë vlente rreth 40 milionë euro.

andre silva

Më mirë vonë se kurrë – Montela fillimisht e më pas edhe Gatuzo e konsideronin Andre Silvën të aftë vetëm për Ligën e Europës me sulmuesin që jashtë kufirit italian shënonte rregullisht(6 gola në fazën e grupeve). Kur dukej alergjik ndaj rrjetave të Serisë A pas 28 javësh kampionat, portugezi tregoi se 38 milionë euro nuk ishin të gjitha para të shkuara dëm.

Një gol në sekondat e fundit në Xhenoa dhe një tjetër të dielën ndaj Kievos, bënë që Silva të përfundonte metamorfozën e tij brenda gadishullit Apenin. Rastësi? Jo, sepse në “San Siro” përpara dy ditësh hyri në fushë me një objektiv të qartë dhe i vetëdijshëm mbi mjetet e tij për të arritur qëllimin. 12 pasime pozitive, 4 driblime dhe një gol që vlejti tri pikë. Gjashtë pikët e tij tani vlejnë edhe sa një ëndërr me emrin “Champion”-s me kusht që djaloshi i lindur në Gondomar të Portugalisë të mos ndalet.

andre silva

Ish-objekt misterioz – A ka përfunduar transformimi nga talent në garanci. Ndoshta po, por do të duhet edhe pak për të shpallur zyrtarizmin. Portugezi i ditëlindjes 1995 duket se ka fituar siguri përpara portës. “Deri pak kohë më parë i vuante portierët, tani i vret”, është ky komenti i fundit në rang kohor nga goja e Gatuzos që tani gjendet në vështirësi për fanellën e titullarit të sulmit.

Minutazhi i Silvës në kampionat, krahasuar me homologët e tij në ekip, është ende i ulët me 34 prezenca sezonale me Milanin nga ku dhjetë gola për një total prej 1751 minutash të luajtura. Ka edhe më. Ajo që habit është aftësia realizuese e portugezit, i cili në Kupë ka një mesatare goditjesh në portë prej 2.1 për ndeshje, ndërsa nëpër Kupa vetëm 1.6. Raporti goditje-gola e shndërron në një vrasës të zonës së rreptësisë, por nga ana tjetër ishte e pamendueshme që titullari i sulmit të kombëtares portugeze të kishte harruar si tundet rrjeta.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"