Nga Hong Kongu në Ganë, quajeni “kombet e bashkuara” të… Kategorisë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 19:23

Nga Hong Kongu në Ganë, quajeni “kombet e bashkuara” të… Kategorisë Superiore

JORGIS MEMO

 

Quajeni “Kombet e Bashkuara” të Superiores. Plot 54 lojtarë të huaj nga 17 vende të ndryshme në Europë, Afrikë, Amerikë dhe deri në Hong Kong, janë zyrtarisht pjesë e kampionatit shqiptar këtë sezon. Merkatoja e 10 klubeve, që u mbyll më 2 tetor, pati 220 lëvizje në total dhe ndryshoi jo thjesht përbërjet e skuadrave, por krijoi edhe habi për afrimet e bëra nga vende që më parë nuk ishin dëgjuar kurrë në Shqipëri në lidhje me futbollin.

Kategoria Superiore 81

Për shembull Skënderbeu firmosi me një mesfushor 23-vjeçar nga Hong Kongu (Remi Dujardin), i cili fillimisht u stërvit te Partizani, e më pas përfundoi si i federuar për llogari të korçarëve. Por cila është risia më e madhe e transferimeve këtë merkato dhe si ndryshoi trendi për afrimin e lojtarëve pas pandemisë? Në një vëzhgim që “Panorama Sport” ka bërë rreth përbërjeve të 10 skuadrave të elitës, rezulton se lojtarët e huaj që dominojnë janë pikërisht afrikanët dhe më konkretisht ata me kombësi ganeze.

441b0c5c-88a3-4134-b8c4-16a533eef241

Nga 54 të huaj në total që do të luajnë këtë kampionat në ekipet shqiptare, 30 prej tyre debutojnë në Superiore. Tirana kampione në fuqi do të ketë në skuadër pesë ganezë për sezonin e ri. “Dashuria” me lojtarët nga ky vend “pushtoi” edhe Skënderbeun e Apoloninë, me korçarët që afruan dy lojtarë, ndërsa fierakët e sapo ngjitur në elitë 3 të tillë. Në total janë 13 ganezë që do të luajnë me katër ekipe të Superiores, duke bërë që nga ky vend të jetë numri më i madh i lojtarëve të huaj këtë sezon.

Të dytët për nga përfaqësimi janë brazilianët, me 10 futbollistë të shpërndarë në gjashtë skuadra. Afrika nuk përfaqësohet vetëm me Ganën, pasi 7 lojtarë janë nga Nigeria. Edhe shtete si Kameruni, Senegali, Liberia dhe Kenia, kanë nga një lojtar që është bërë pjesë e ekipeve shqiptare gjatë kësaj periudhe merkatoje.

Nga fqinjët e Maqedonisë së Veriut kanë ardhur në Superiore 6 lojtarë (pa përfshirë këtu shqiptarët që kanë nënshtetësi maqedonase). Ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja kanë nga vetëm dy lojtarë, duke treguar në këtë mënyrë se trendi i sezoneve të kaluara për të bërë “pazar” në këto vende, ka ardhur duke u ulur vit pas viti.

I veçantë është fakti se këtë merkato është bërë pjesë e Laçit edhe një amerikan (Rodriguez), ndërsa Vllaznia ka afruar një sulmues me pasaportë gjermane. Tirana, Laçi dhe Vllaznia janë pa diskutim skuadrat rekordmene sa u përket të huajve, respektivisht me nga 9, 8 dhe 7.
kategoria superiore
LOJTARËT E HUAJ NË KATEGORINË SUPERIORE

TIRANA – Uinful Kobinah, Derrik Sasraku, Ibrahim Sulej, Isak Gyamfi, Riçard Danso (Ganë), Kristijan Toshevski, Filip Najdovski (Maqedoni e Veriut), Elton Kale (Brazil), Agustin Torasa (Argjentinë);

LAÇI – Aleksandër Ignjatoviç (Serbi), Teko Zhunior, Lukas Ramos (Brazil), Van Dejv Harmon (Liberi), Kirian Nuabueze, Bryan Joel Rodriguez (SHBA), Erhun Obanor (Nigeri), Bashir Mane (Senegal);

VLLAZNIA – Aleksandar Isaevski (Maqedoni e Veriut), Bojan Zogoviç (Mal i Zi), Viktor Da Silva Matos (Brazil), Kristofer Mandiangu (Gjermani), Ismael Dunga (Kenia), Haris Dilaver (Bosnje-Hercegovinë), Eugen Sidorenko (Moldavi);

SKËNDERBEU – Alfred Mensah, Randy Dumfur, Denis Dovouna, Samuel Armah (Ganë), Remi Dujardin (Hong Kong);

BYLISI – Franklin Ntepe, Beji Antoni, Qudus Laval (Nigeri), Milos Stojanoviç (Serbi), Borjan Pançevski (Maqedoni e Veriut);

KASTRIOTI – Edi Bojom (Kamerun), Lukman Husein, Henri Okebugu (Nigeri), Devid de Santana Silva, Agnaldo Moraes (Brazil);

PARTIZANI – Uilliam Melo, Lukas Kardozo (Brazil), Theofilus Solomon (Nigeri), Brajan Braun (Xhamajkë);

KUKËSI – Kenan Horiç (Bosnje-Hercegovinë), Godberg Kuper (Ganë), Patrik Eze (Nigeri), Mateus Leira Dos Santor (Brazil);

APOLONIA – Drago Bumbar (Mal i Zi), Benjamin Agyare, Kofi Jeboah, Bernard Artur (Ganë);

TEUTA – Bobi Celeski, Bllagoja Todorovski (Maqedoni e Veriut), Iran Gonçalves (Brazil);


SHTETET

FUTBOLLISTË NGA E GJITHË BOTA,
JA 17 KOMBËSITË
Gana 13 Lojtarë

Brazili 10 Lojtarë

Nigeria 8 Lojtarë

Maqedonia V. 6 Lojtarë

Serbia 2 Lojtarë

SHBA 2 Lojtarë

Mal i Zi 2 Lojtarë

Bosnja 2 Lojtarë

Argjentina 1 Lojtar

Liberia 1 Lojtar

Kameruni 1 Lojtar

Senegali 1 Lojtar

Hong Kong 1 Lojtar

Gjermania 1 Lojtar

Moldavia 1 Lojtar

Kenia 1 Lojtar

Xhamajka 1 Lojtar

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"