Nga heqja e shiritit te ngrohja e stolit/ Limaj rikthehet si kapiten, por te Kukësi i… Hallaçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 17:03

Nga heqja e shiritit te ngrohja e stolit/ Limaj rikthehet si kapiten, por te Kukësi i… Hallaçit

Kukësi u bë pjesë e Superiores në sezonin 2012-2013 dhe ky edicion është më i dobëti për verilindorët në elitën e futbollit shqiptar. Pas 25 javëve të para, Kukësi mban vendit e gjashtë, aktualisht jashtë zonës europiane, me 32 pikë. Bilanci i deritanishëm i skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa është 9 fitore, 5 barazime, 11 humbje dhe golavarazh 32- 31.

limaj

Për të shpëtuar sezonin duhet që në 11 javët e mbetura kuksianët të sigurojnë biletën për në Europë përmes kampionatit, pasi nga Kupa janë eliminuar. Ky mision nis nga ndeshja e së dielës, ku në “Elbasan Arena” presin Skënderbeun, i cili gjithashtu e ka si finale mbijetese. Ky ka qenë një sezon çudirash për Kukësin, ku edhe pse kanë nevojë për lojtarë me peshë, klubi ka luksin që një nga futbollistët më të mirë ta anashkalojë me stil, vetëm e vetëm se ai nuk pranon të rinovojë kontratën.

Pikërisht bëhet fjalë për ish-kapitenin, Vesel Limaj, që ka përjetuar lloj-lloj ndëshkimesh këtë vit, që nga heqja e shiritit, degdisja tek ekipi U-21 si dhe ngrohja e stolit për një kohë të gjatë. Të martën Limaj është parë që të luajë me Kukësin U-21 ndaj Laçi U21. Madje, 24-vjeçari në këtë takim ka mbajtur shiritin e kapitenit për verilindorët, të cilët në fund u mundën 3-1 nga kurbinasit, ku golin e vetëm për skuadrën e drejtuar nga trajneri Rraman Hallaçi e ka shënuar Kristi Karaj. Aktivizimi i kosovarit mbase është një sinjal për rikthimin në formacion tek ekipi i parë, që i duhet të bëjë mrekullitë për të shpëtuar sezonin.

KUQEZINJTË – Shqipëria U-21 zhvilloi të martën një ndeshje miqësore me Bylisin në “Elbasan Arena”, ku humbi 0-1. Pjesë e skuadrës kuqezi ishin edhe tre futbollistët e Kukësit, pikërisht portieri Angelos Tafa, që luajti në pjesën e parë, si dhe mbrojtësit Redon Dragoshi dhe Altin Bytyçi, të cilët u aktivizuan për 90 minuta, duke bërë një paraqitje të mirë. Në këtë mënyrë, ata mbyllën grumbullimin disa ditor dhe u bashkuan dje në stërvitje me ekipin e parë të Kukësit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"