Nga Gramozi-Real te derbi, Agim Canaj: Ju tregoj diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2016 | 10:29

Nga Gramozi-Real te derbi, Agim Canaj: Ju tregoj diferencën

Rastet kur gjatë një ndeshjeje në Shqipëri ikin dritat kanë bërë bujë më 20 janar 2010, gjatë miqësores Gramozi-Real Madrid në stadiumin “Qemal Stafa”. Në atë kohë, klubi i Gramozit militonte në Kategorinë Superiore dhe mbështetej fuqishëm nga familja Taçi.

gramozi real madrid

Trajner i kolonjarëve ishte Agim Canaj, i cili duke marrë shkas nga ajo që ndodhi në derbin e djeshëm foli për “Panorama Sport” për dy ngjarjet, që kanë si precedent ndërprerjen e energjisë elektrike në stadium. Fillimisht, Canaj tregon atë që ndodhi në Gramozi-Real 1-2.

“Ishte një ngjarje e rëndë, aq më tepër që ndodhi në një miqësore me skuadrën më të mirë në botë të asaj kohe. Normalisht na erdhi shumë keq, por megjithatë drejtuesit e asaj kohe të Gramozit bënë gjithçka që dritat të vinin sa më shpejt. Mbaj mend që zoti Taçi, i cili drejtonte klubin, foli direkt me presidentin e Realit, Perez, dhe ky i fundit tregoi dashamirësi, duke i thënë: ‘do të luajmë patjetër sot derisa të vinë dritat’.

Ishte një moment kaotik dhe falënderuam Realin për gatishmërinë që tregoi për të vazhduar atë miqësore. Kujtoj që drejtuesit e ‘Taçi Oil’ morën masat menjëherë me një gjenerator, duke bërë një punë shumëfishe, vetëm e vetëm që miqësorja të mos dështonte. U vendos në kohë rekord dhe ndeshja vazhdoi”, tregon Canaj.

Agim Canaj ne Vllaznia-Laci 3-0

“Fatkeqësi, asnjë masë”

Ish-trajneri i Gramozit bën edhe krahasimin me atë që ndodhi dje. “Në atë kohë u morën masa emergjente, ndërsa në derbi jo. Kjo ishte diferenca pse nuk vazhdoi Tirana-Partizani. Të them të drejtën, edhe mua më erdhi shumë keq që një derbi i tillë të dështojë vetëm pse nuk ka një gjenerator për raste emergjente. Jemi në vitin 2016 dhe duhet garanci për dritat në ndeshje të tilla.

Më e rënda në këtë situatë është që drejtuesit e klubit organizator nuk kishin marrë asnjë masë. Është fatkeqësi, pasi stadiumi ‘Selman Stërmasi’ u rikonstruktua vetëm pak kohë më parë dhe duhet të jetë në kushte optimale. Pra, gjeneratori në këto raste duhet patjetër, aq më tepër që luhet një ndeshje e një rëndësie të veçantë dhe me shumë tifozë në një orar mbrëmjeje”, ka thënë trajneri vlonjat.

I pyetur në fund se çfarë përshtypje i la derbi për 63 minuta, ai u shpreh: “Loja ishte e ekuilibruar, edhe pse në 25 minutat e para Tirana dominoi. Portierët shpëtuan disa raste. Në minutat e mbetura mendoj se kush do të jetë i vendosur mirë në fushë, do ta fitojë lojën me ndonjë goditje standarde. Nuk besoj se do të jetë sërish një ndeshje e hapur në 27 minuta”.

Çfarë ndodhi në Gramozi-Real Madrid, 1-2

Miqësorja e zhvilluar në “Qemal Stafa”, më 20 janar 2010, u mbyll me fitoren e Realit të Madridit, 1-2 pas golave të Rikardo Kakasë dhe Karim Benzemasë. Fillimisht Gramozi kaloi në avantazh me Daniel Xhafajn, por më pas spanjollët përmbysën gjithçka. Pas përfundimit të pjesës së parë 1-1, në stadium ikën dritat duke sjellë një errësirë totale në fushë, që zgjati rreth 90 minuta.

Gjithsesi, ndeshja vijoi pas vendosjes së një gjeneratori. Për këtë incident, policia filloi një hetim, duke arrestuar 25 persona si të dyshuar. Mes të dyshuarve, ishin edhe pjesëtarë të stafit të mirëmbajtjes së stadiumit, si dhe punonjës të OSSH-së. Kjo e fundit shpjegoi se arsyeja e ikjes së dritave kishte ardhur nga mbingarkesa në transformator.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"