Nga Gjermania te Kamza, Basha jep siguri për ofensivën: Ka shumë konkurrencë, po pres momentin tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2018 | 15:51

Nga Gjermania te Kamza, Basha jep siguri për ofensivën: Ka shumë konkurrencë, po pres momentin tim

Arbër Basha, mesfushori me tipare sulmuese ka qenë një nga afrimet e merkatos së janarit te skuadra e Kamzës. Me objektivin për të zënë një vend në formacion, lojtari që në gjysmën e parë të sezonit ka luajtur në Superligën e Kosovës te Vllaznia e Pollozhoranit, Basha ka zhvilluar fazën e plotë përgatitore nën urdhrat e trajnerit Ndreu.

Basha

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 20-vjeçari, i cili ka pasur një eksperiencë edhe ne Gjermani tek ekipi i 19-vjeçarëve të Monçengladbahut, por edhe ka veshur fanellën e ekipeve kombëtare të moshave, flet për objektivat personale dhe përjetimet e para në ekip.

Arbër, përse vendose të riktheheshe në kampionatin shqiptar duke zgjedhur skuadrën e Kamzës?

Kam kaluar një periudhë të shkurtër në Superligën e Kosovës, te skuadra e Vllaznisë së Pollozhoranit. Ka qenë një periudhë e mirë dhe pozitive për mua. Por, kisha nevojë për të luajtur në një nivel më të lartë se ai i kampionatit kosovar, pasi dihet që Kategoria Superiore në vendin tonë ka më shumë konkurrencë dhe garë. Kështu që vendosa të kthehesha duke u bërë pjesë e skuadrës së Kamzës.

Basha me Kombetaren

Në karrierën time kam luajtur për “Akademinë e Futbollit” me moshën 19-vjeçare, si dhe kam pasur një eksperiencë në Gjermani, por te skuadra 19-vjeçare e Monçengladbahut.

Ke arritur të ambientohesh me pjesën tjetër të ekipit?

Të gjithë më kanë pritur shumë mirë, si shokët e skuadrës, stafi teknik dhe ai drejtues, ndaj dua t’i falënderoj. Kam zhvilluar fazën përgatitore me ekipin dhe jam ndierë mirë. Shpresoj që tani të tregoj vlerat e mia te skuadra e Kamzës. Jam munduar gjithmonë që të jap maksimumin gjatë seancave stërvitore dhe do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë.

Je i vetëdijshëm për faktin se në pozicionin tuaj ka shumë konkurrencë për një vend në formacion?

Natyrisht që po, dhe unë i respektoj të gjithë shokët e ekipit, pasi janë profesionistë. Megjithatë, unë do të pres radhën dhe mundësinë time për të marrë minutat e nevojshme dhe për të treguar aftësitë e mia.

Basha55

Më pas është stafi teknik që vendos dhe zgjedhjet e trajnerit respektohen gjithmonë. Ajo që unë dhe çdo futbollist duhet të bëjë, është të përmirësohet sa më shumë, si në aspektin fizik, ashtu edhe atë tekniko-taktik duke respektuar këshillat e trajnerit gjatë seancave stërvitore.

Cilat janë objektivat e Kamzës në këtë sezon dhe tuajat personale?

Kamza është një skuadër simpatike, e cila luan futboll të bukur dhe sulmues, që edhe personalisht më përshtatet. Megjithatë, në skuadër nuk kanë dëshirë të flasin për objektiva, pasi ndeshjet po merren njëra pas tjetrës. Ndërsa objektivi im personal është që në vazhdim të kampionatit të bind trajnerin dhe të kem sa më shumë hapësira në fushën e blertë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"