Nga getot në bomber, rrëfimi special i Leaos: Do të imitoj Kakanë te Milani!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 14:13

Nga getot në bomber, rrëfimi special i Leaos: Do të imitoj Kakanë te Milani!

Rafael Leao po mëson të kalërojë dallgët e kampionatit italian. Pesë asiste, por edhe tetë gola në sezon duke barazuar rekordin e tij në karrierë të vendosur me fanellën e Lilës tri vite më parë. Pas çdo goli, pas çdo fitoreje ai poston brohorimën “We go” (Përpara!).

Rafael Leao

Rafa, ku po shkoni?

Duam të dominojmë dallgët më të larta dhe mundohemi t’i marrim në mënyrën e duhur për të qëndruar në këmbë deri në finish.

Keni hequr dorë nga “telefonata” dhe tashmë festoni duke treguar pjesën e pasme të fanellës. Përse?

Dua t’u tregoj të gjithëve se jam aty, në çdo kuptim të mundshëm. Jam gati të jap gjithmonë maksimumin për skuadrën dhe që mund të bëj diferencën tashmë që jam rritur.

Babait i kushtonit golat, mamasë i dhuruat një qendër estetike, ndërsa ditëlindjet e vëllezërve i keni bërë tatuazh. Sa rëndësi ka familja për ju?

Do të thoja që është thelbësore dhe se më mbështet në çdo ndeshje. Ata më kanë mësuar se në këtë jetë nuk arrihet asgjë pa sakrifica.

“Kur të mbërrish mos harro nga u nise” është fjalia që keni shkruar nën një foto të lagjes suaj, një geto në Almada të Portugalisë.

Në ato vite pashë gjithçka, përjetova një mijë vështirësi, ëndrra ime ishte ajo e shumë fëmijëve që nuk ia dolën. Nëse sot jam ky që jam, ua detyroj atyre viteve, të përbëra nga gjëra të thjeshta: një top, miqtë, të afërmit.

Edhe Ibra është rritur në geto. Mos fëmijëria e vështirë ju ndihmon të kuptoheni më mirë?

Zlatani është një kampion që nuk e ka harruar kurrë të kaluarën. Gjithmonë më kujton të qëndroj i përulur dhe të punoj. Punë dhe vetëm punë pasi kështu mund të arrish gjëra të mëdha.

Dy vite më parë luajtët për herë të parë së bashku dhe pas asaj ndeshjeje Ibra zbuloi se ju tregoi sekretin për të qenë një lojtar i madh. E keni kuptuar tashmë?

LEAO

Më parë nuk isha konstant. Ndoshta luaja shumë mirë për një çerek ore, pastaj ndaloja dhe i lija gjërat në mes. Dribloja rivalin dhe gaboja pasimin vendimtar. Sot jam më konkret, fokusohem në 90 minuta, shënoj dhe jap pasime vendimtare gjithnjë e më shumë. Luaj për një ekip të madh, sigurisht, por kam ndryshuar mënyrën se si i trajtoj ndeshjet.

Cili ishte momenti kur ndodhi kjo shkëndijë?

Nuk është moment, por një mori faktorësh. E njoh më mirë Serinë A, kam marrë këshillat e duhura nga prindërit e mi dhe nga trajneri im personal. Dhe asnjëherë nuk më ka munguar besimi i klubit, i cili më ka bërë gjithmonë të ndihem i mbrojtur, së bashku me shokët dhe trajnerin.

Po kthesa taktike kur ndodhi?

Pioli më kuptoi, ai e di që me driblimet dhe shkëputjet e mia mund të bëj diferencën. Më parë kujdesej shumë për aspektin taktik me mua, pasi isha më i ri dhe më i padisiplinuar. Tani ai nuk më shpjegon shumë, më beson, ai e di që unë bëj pjesën time edhe kur kundërshtarët e kanë topin. Më thotë “Rri në anësore dhe driblo”: E bën gjithçka më të lehtë. Kam luajtur edhe si sulmues i parë, edhe si “10”, ndaj jam gati ta bëj sërish nëse duhet, por pozicioni im në të majtë është tjetër gjë.

Në gjysmë të sezonit dhe keni shënuar tashmë 8 gola mes kampionatit dhe Kupës, rezultati juaj më i mirë në karrierë, por disa thonë se ende shënoni shumë pak. Çfarë përgjigjeje do të jepni?

Se nuk e kanë gabim, unë mundja dhe duhej të shënoja më shumë. Ju siguroj se po punoj çdo ditë për t’u bërë një lojtar i madh.

Pioli thotë se i kujtoni Henrinë. Jeni dakord?

E falënderoj për krahasimin, po flasim për një kampion të madh. Por unë dua të jem Rafa, e dua të eci rrugën time.

Cilët janë ata lojtarë që ju frymëzojnë më së shumti?

Mbape, Neymar, ndërsa te Milani më pëlqente Kakaja.

Kaka ishte 22 vjeç kur fitoi titullin e parë me Milanin. Ju jeni gati?

Po, ne jemi më të fortë dhe më të pjekur se vitin e kaluar. Fitimi i kampionatit është qëllimi, ne duam të shohim Milanon të veshur kuqezi. Jam i ri, por ndihem i rritur në fushë dhe e njëjta gjë vlen edhe për shumë nga shokët e mi të skuadrës. Pioli, mua, Sandros (Tonali), Aleksisit (Salmakers) na thotë shpesh: “Jeni të rinj vetëm në kartën e identitetit”.

LEAO

Si po përgatiteni për derbin?

Përpiqem të kuptoj se si mund t’i lëndoj ata me të cilët do të përballem në bazë të karakteristikave të tyre. Por do ta lë veten të udhëhiqem edhe nga instinkti: dribloj, është diçka që e bëj që i vogël, më vjen natyrshëm.

Sa kemi parë nga potenciali juaj deri tani?

Ky është Leao për të cilin vëzhguesit flisnin kur isha fëmijë. Mund të përmirësohem ende, por tashmë mund të ndikoj në rezultatet me cilësitë e mia, jam në një pikë të mirë të rrugëtimit tim.

A rriteni më shpejt kur stërviteni nën vëzhgimin e Paolo Maldinit?

E kam parë në televizor kur isha i vogël. Është legjendë. Tani më jep këshilla për t’u përmirësuar, ndihem shumë me fat.

Sa ndryshon mënyra juaj e lojës në varësi të partnerit?

Me Zhirunë e di që nëse nuk kthehem për të goditur, mund t’i shërbej me topa të lartë, sepse është shumë i fortë në lojën e ajrit. Me Rebiçin kërkojmë më shumë thellësinë sepse ai shkëputet shumë shpejt. Gjithçka është në rregull me Ibrën, ai shënon në çdo mënyrë.

Teo thotë se është më i shpejtë se ju…

Sfidë e bukur. Të luash krah tij është spektakolare sepse është një ndër më të fortë në botë në rolin e tij. Uroj të luajmë edhe për shumë vite së bashku te Milani.

Do të mbeteni kuqezi për shumë kohë?

Kam edhe dy vite kontratë e nuk është një kohë e pakët. Do të shohim. Është ende herët për të folur, por te Milani ndjehem shumë mirë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"