Nga getot e Lisbonë te Milani, Leao “miushi” që u bë “luan”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2019 | 0:42

Nga getot e Lisbonë te Milani, Leao “miushi” që u bë “luan”

Rafael Leao nuk kishte luajtur kurrë si titullar me Portugalinë U-21 përpara zbarkimit te Milani. Në 30 ditët e fundit i ka ndodhur dy herë, respektivisht kundër Bjellorusisë dhe Holandës (pardje). Që nga sot do të jetë nën urdhrat e Piolit dhe do të ketë 6 ditë kohë për t’u prezantuar në formë për sfidën me Leçen (të dielën mbrëma).

leao

Koha është në favor të portugezit, aq më tepër që konkurrentët për rolin e sulmuesit të majtë (Rebiç e Çalhanoglu) do t’i bashkohen Milanit në mesjavë. Përveç dinamizmit dhe shpejtësisë, 20-vjeçari gjen edhe te koha një aleat të vyer. Talent dhe potencial me shumicë, e të gjitha për t’u shfrytëzuar për djaloshin e ditëlindjes 1999 që brenda 12 muajve provoi transferimin në Francë (2018) e më pas në Itali (sivjet).

SFIDË E RE

Kuqezinjtë investuan 35 milionë euro për Rafael Leaon dhe mes të ardhurve të rinj është ai që ka luajtur më shumë dhe që ka provuar më herët rolin e titullarit. Stefano Pioli do të ketë detyrën për t’ia nxjerrë në pah vlerat, por edhe për të mbrojtur. Te Lacio e vitit 2015, të cilën Pioli e rendit të tretën, golashënuesi ishte një sulmues krahu (Kandreva). E njëjta histori edhe te Fiorentina me Kiezën, falë të cilit përfitoi edhe Murieli. Në 4-3- 3-shin që tekniku do të implementojë te kuqezinjtë, sulmuesit e krahut do të jenë vendimtarë dhe për Leaon në horizont duket një rol protagonisti.

NGA BARCELONA

Tri ndeshje si titullar, një gol i shënuar e po aq penallti të fituara janë një kartëvizitë e mirë në prezantimin me trajnerin e ri. Paraqitja e fundit ndaj Xhenoas ishte një tregues i qartë për impaktin që Leao mund të ketë te ndeshjet, aq më tepër që edhe vjet te Lila kishte një mesatare prej 0.41 golash për ndeshje (8 në total në 24 prezenca).

Ndoshta ky ritëm i sulmuesit i ka hapur oreksin edhe Barcelonës, e cila e sheh si pasues të Luis Suarezit në një të ardhme. Katalanasit nuk e kanë formalizuar interesin e tyre, por sipas mediave spanjolle, Leao është një kandidat potencial të cilit mund t’i besohet roli i pykës në “tredhëmbëshin” katalanas. Megjithëse vetëm 20 vjeç, portugezi i ka idetë e qarta. Kërkon të punojë e të rritet profesionalisht, ndaj edhe interesat sportivo-financiarë ia ka besuar familjes dhe jo ndonjë menaxheri.

RINI E BEKUAR

Tre muaj më i vogël se Donaruma, por me shpatulla mjaftueshëm të gjera që së bashku me portierin të marrë përsipër fatet e kuqezinjve. Në Milano ka zgjedhur të banojë në qendër edhe pse në Lisbonë është rritur në periferi, si shumica e familjeve emigrante, sepse numri 17 i “Djallit” është me origjinë nga Angola.

Ashtu si një patriot i famshëm, Leao preferon stërvitjet në shtëpi teksa në një postim në “Instagram”, përshkruan veten duke thënë: “Jam rritur si një mi, por për t’u bërë luan”. Milani sot ka nevojë edhe për një kurajë të ngjashme e sidomos për shpejtësinë e tij. Leao, ashtu si Suso, mund të bëhet një shigjetë e “harkut” të Piolit në shpresën për të ringritur Milanin, në lojë dhe rezultate.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"