Nga futbolli te jeta personale, rrëfehet Trashi: Kombëtarja nuk është në dorën time, Skënderbeu ekipi për t’u mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 14:21

Nga futbolli te jeta personale, rrëfehet Trashi: Kombëtarja nuk është në dorën time, Skënderbeu ekipi për t’u mundur

Lorenc Trashi është një ndër futbollistët më në formë të momentit në Kategorinë Superiore. Në një intervistë 360 gradë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus, 26-vjeçari nga Gramshi foli për ecurinë e tij, jetën personale si dhe objektivat. Futbollisti i Partizanit, nuk e fshehu dëshirën për ta veshur qoftë dhe njëherë të vetme fanellën e ekipit Kombëtar.

Trashi intervista

Si nis një ditë e juaja?

Zakonisht, siç e nis çdo njeri. Me një zgjim, një kafe në mëngjes, më pas hamë drekën.

Një futbollist stërvitet çdo ditë?

Patjetër, çdo ditë të javës dhe në fundjavë është ndeshja.

Si ka lindur marrëdhënia juaj me futbollin? Kur e kuptove që është pjesë shumë e rëndësishme e jetës tuaj?

Futbollin e kam filluar në qytetin tim të Gramshit. Siç çdo fëmijë  i vogël që ka pasur pasion futbollin dhe unë e kam ndjekur futbollin. E kam kuptuar nga mosha 15-16 vjeç që futbolli ishte një gjë shumë e rëndësishme për mua. Vendosa ta ndjek akoma më shumë arrita deri këtu.

Cili është ai person që ia dedikon gjithë suksesin?

Padyshim është familja ime. Është ajo që më ka ndjekur dhe më ka dhënë shtysë për çdo gjë, veçanërisht është babai im që ka insistuar më shumë. Ja di shumë për faleminderit familjes.

Trashi55

Lorenci deri në 2020 te Partizani, si mund ta komentoni kontratën që keni firmosur?

Kontrata e vjetër më përfundonte në 2019-ën, jam ulur kam biseduar me presidentin dhe për të mirën e punës time dhe për të mirën e ekipit, kam rënë dakord që ta zgjas kontratën. Deri në 2020 kam kontratën, po ngelet për t’u parë nëse do jem pjesë deri në këtë vit, se shpresoj që mund të kem ndonjë ofertë më të mirë dhe mbase lëviz.

Si është marrëdhënia juaj me drejtuesit e klubit?

Mua faktikisht më cilësojnë si lojtar pak nevrik, por dhe karizmatik nga ana tjetër sepse mbahem si një nga lojtarët që bëj më shumë humor te ekipi, ndonjëherë ato nervat nuk mund t’i përmbaj dot dhe i kam shprehur te lojtarët dhe te stafi. Mendoj që kjo është gabim, por njeriu nga gabimet mëson.

Do t’iu shohim një ditë te Kombëtarja e Shqipërisë, ke marrë një ftesë?

Në çdo intervistë është kjo pyetja e Kombëtares. Faktikisht do të dëshiroja shumë të isha pjesë e Kombëtares, por nuk është në dorën time gjithçka. Mua më ngelet vetëm të jap atë 100 % tim si në stërvitje dhe në ndeshje. Shpresoj që një ditë të kem qoftë edhe një ftesë, do isha shumë i lumtur të tregoja aftësitë e mija dhe sa vlej.

Do arrijë Partizani ta fitojë titullin këtë vit?

Partizani nuk ka qenë vetëm këtë vit pretendent për titullin kampion. Ky është viti i 5-të që jam te Partizani, dhe vitet e kaluara kemi qenë pretendent për titullin kampion. Për shumë rrethana nuk kemi mundur që të dalim kampion. Ky është vit më ndryshe nga të tjerët. Jemi një ekip pa bujë dhe emra të mëdhenj. Shpresoj që ky vit të jetë i duhuri, nuk them se jemi për kampion, por mendoj që po bëjmë një punë shumë të mirë.

Cilat nga ekipet shikoni si konkurrente më të fortë, Skënderbeun, Kukësin…?

Nuk mund të ndaj asnjë, por renditja tregon se Skënderbeu është ekipi për t’u mundur. Është një ekip shumë i fortë duke parë që pati një lëkundje nga ky dënimi që ka marrë. Të gjithë mendonim që nuk do të ishte më pretendente. Ja që bazën e ka, është po aty shumë e fortë, mendoj që në lojë janë dhe Kukësi me Flamurtarin.

Çfarë mund të na thuash për jetë private?

Statusi im është beqar. Akoma nuk kemi asgjë.

Çfarë tiparesh dhe karakteristika duhet të ketë një femër që t’iu bënte përshtypje?

Deri tani nuk kam gjetur ndonjë femër të duhur. Kam lënë atë pjesën e rinisë dhe mbase është herët për kështu gjerash. Jam te ajo pjesa që ta shijojmë akoma rininë. Në qoftë se unë do jem me një person, s’mund të jem kaq i lirshëm.

Ke dhe 2 motra binjake, si është marrëdhënia me to?

Motrat janë pika e dobët e imja. Janë 2 persona shumë të veçante për mua që realisht i dua shumë fortë. Ato më përkrahin dhe unë i përkrah gjithashtu. Kemi marrëdhënie shumë të mira.

Si është në Shqipëri të merresh me futboll? Ja vlen? Vlerësohet një futbollist aq sa duhet?

Ne Shqipëri është diçka tjetër, që nuk të jepet shumë mundësia. Është dhe pak fat. Unë mendoj që në futboll është më shumë fat edhe puna që s’diskutohet, por fati është gjeja më e rëndësishme.  Është dhe pjesa e mundësive të familjes, varet sa e ndjek familja. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo, po s’pate mbështetje nuk ia dal. Mbështetja, besimi dhe puna janë 3 gjerat më të rëndësishme.

Cili është objektivi juaj personal, ku do të shikojmë pas disa vitesh?

Objektivi im personal është të fitoj trofe me Partizanin. Shpresoj që ta fitoj shumë atë trofeun. Si çdo futbollist tjetër, edhe unë në aspektin personal preferoj të luaj në një ligë më të fortë në Europë. Shpresoj që kjo të ndodhë edhe me ndihmën e klubit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"