Nga futbolli në fëmijëri në yll i volejbollit botëror, rrëfimi i Suxhos në “Panorama TV”: Më refuzuan grekët se isha shqiptar, kam qarë në Lojërat Olimpike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 9:42

Nga futbolli në fëmijëri në yll i volejbollit botëror, rrëfimi i Suxhos në “Panorama TV”: Më refuzuan grekët se isha shqiptar, kam qarë në Lojërat Olimpike

Donald Suxho ësh të një nga emrat më të shquar të sportit shqiptar, me një karrierë të shkëlqyer, si një nga volejbollistët më të spikatur në botë në fillimin e viteve 2000. Kulmin në sportin e rrjetës, Suxho e ka me përfaqësuesen e SHBA-së, teksa ka marrë pjesë me të në Lojërat Olimpike, duke fituar edhe turnetë Panamerikane apo “World League”. Një karrierë, të cilën Suxho e ka rrëfyer në një intervistë speciale për “Panorama TV”, gjatë emisionit “Panorama Sport”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Vjosana Nozllaku, ai ka zbuluar etapat dhe disa momente speciale të jetës së tij.

bandicam 2023-01-24 16-42-07-607

VOLEJBOLLI DHE NDIKIMI I BABAIT – Donaldi tregon hapat e tij të parë në volejboll dhe ndikimin e babait, Petraq Suxho, në jetën dhe karrierën e tij: “Suxho është një djalë i lindur në Korçë, me një ëndërr të vogël, që të bëhej volejbollisti më i mirë në botë. Ia arritëm ato gjëra me punë. U rrita në vitet ‘70-‘80, jam rritur me volejbollin korçar, me babain si trajner te Skënderbeu. Në vitin 1995 ikëm në Amerikë për një jetë më të mirë dhe aty ndryshoi jeta shumë. Babai ndikoi te të gjitha, pasi unë kam luajtur futboll në fillim. Babai ishte trajneri i Skënderbeut për femra dhe meshkuj. Në moshën 12 vjeç më kaloi nga futbolli në volejboll. E kam kaluar jetën në palestër. Ishte një vendim shumë, shumë i vështirë për mua që të ndërroja futbollin me volejbollin se luanim shumë, çdo ditë te lagjja me çunat dhe të ndryshosh sport… Por babai më tha arsyen që isha i shpejtë dhe u zgjata shumë dhe më tha që do të kisha sukses. Kur u hap Shqipëria, sporti ishte më mirë para vitit 1991. Kishte shumë ekipe, kishte investime e kushte më të mira. Por më pas ndodhi lufta e shumë gjëra të tjera”.

PALLATI I SPORTIT “ASLLAN RUSI” – Gjatë intervistës së dhënë në parketin e “Asllan Rusit” nuk mund të mungonte edhe krahasimi i pallatit të sportin me vitet e dikurshme, ato më të lavdishmet për volejbollin dhe sportin shqiptar: “Këtu kemi luajtur ndeshje fantastike me Skënderbeun, Partizanin e Dinamon. Ka ndryshuar shumë pak. Unë kam dëshirë që qeveria e sektori privat të investojnë për sportin. Atëherë kishte ngrohje, tani nuk ka. Nuk ka akoma dushe të ngrohta, dhe më vjen keq se të gjithë këta të rinj bëjnë çdo ditë sport dhe nuk është eksperiencë e mirë për sportin. Shpresoj të investohet nga shteti dhe federata për të rritur sportin shqiptar.

EKSPERIENCA NË GREQI – Suxho tregon gjithashtu edhe eksperiencën e tij të vështirë në shtetin helen: “Para se të ikja në Amerikë, në vitin 1994, kemi qenë në kamp në Greqi, kemi qenë 10 çuna. Ikëm në mal, 15 orë në këmbë, për të shkuar në Selanik, për të bërë provë për të luajtur volejboll. Atëherë nuk kishim marrëdhënie të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë. Bëmë stërvitje dy orë dhe na çuan në shtëpi menjëherë. Ajo ka ndikuar 100%, se më erdhi shumë inat se nuk panë vlerën time si sportist, por më panë si shqiptar dhe unë isha çun i ri, nuk kisha asnjë mendim kundër grekëve, për mua ishte sport. Shkova të bëja sport dhe me hoqën si shqiptar”, shprehet Suxho, teksa më kujton rikthimin në Greqi si pjesë e ekipit të SHBA-ve, duke zbuluar një episod të veçantë pikërisht me trajnerin që e kishte refuzuar si shqiptar: “Në 2004-ën kemi luajtur në Lojërat Olimpike në çerekfinale me SHBA-në ndaj grekëve në Athinë. Ai trajneri që më ktheu në 1994-ën mua, erdhi dhe më tha ‘Ti je Donaldi që ka qenë atëherë?’. ‘Po’, i thashë, ‘shumë faleminderit se më ke dhënë inat dhe shpresa që të bëhem lojtari më i mirë në botë’.

bandicam 2023-01-24 16-48-07-549

JETA NË AMERIKË – 46-vjeçari ndalet gjithashtu edhe te jeta përtej oqeanit: “Ishte shumë e vështirë në fillim, sepse nuk e dinim gjuhën mirë, dinim anglishten shumë pak. Atëherë nuk kishim televizor, internet, që të dinim si është Amerika, si ndihen atje. Kemi vajtur në mes të borës në Boston dhe që pas një jave ishim të gjithë në punë, 100 punë në ditë, e gjithë familja. Viti i parë ishte shumë i vështirë, vetëm punë natë e ditë, nuk luaja. U mërzita e thashë po kthehem në Shqipëri, por aty ndryshuan gjërat se kërkuam ndihmë nga kisha, nga shkollat në Amerikë dhe pata një shans të shkoja në stërvitje, të prekja topin dhe nga aty e pashë ëndrrën amerikane që të realizohej. Në Amerikë nuk e dinin kush është Shqipëria, e ngatërronin me Albani apo Armeninë. Por janë shumë punëtorë dhe unë çdo ditë që shkoja në stërvitje, vetëm ulja kokën, bëja punë, pa qarë e qeshur. Këtë e vlerësuan shumë dhe më dhanë një shans”, deklaron ish-volejbollisti.

LOJËRAT OLIMPIKE – Suxho kujton edhe eksperiencën emocionuese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Olimpiadë, kompeticion ku nuk mundi që t’i mbante dot as lotët: “Lojërat Olimpike ishin duke qarë, sidomos në Athinë. Kurrë nuk e kisha menduar, ne as nuk e mendonim të shkonim në Amerikë dhe të shkosh 10 vite më vonë në Lojërat Olimpike, e të jesh aty me emra të mëdhenj si Brajant e Xhejms… Dhe në Greqi, në vendin që 10 vite më parë ika në këmbë në mal… Kam qarë gjatë gjithë ceremonisë së hapjes. Ka qenë një eksperiencë fantastike se janë më të mirët në botë, për atë kompeticion bëjmë punë si sportist”.

MESAZHI PËR SHTETIN SHQIPTAR – Në fund Suxho e mbyll me një mesazh të qartë për shtetin shqiptar, teksa bën thirrje për mbështetje për sportin: “Investoni, investoni për të rinjtë e Shqipërisë, se e ardhmja e çdo shteti në botë është rinia dhe sporti. Mbledh njerëzit bashkë, i heq nga rrugët, i vë këtu. Unë kam dëshirë që qeveria dhe institucionet të investojnë më shumë”, tha ndër të tjera Suxho në intervistën e tij.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"