Nga Flamurtari i Vlorës tek ai i Prishtinës, rrëfehet Zeqaj: Më mirë në Kosovë, në Superiore fiksohen me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2020 | 18:25

Nga Flamurtari i Vlorës tek ai i Prishtinës, rrëfehet Zeqaj: Më mirë në Kosovë, në Superiore fiksohen me…

Mes të larguarve nga Flamurtari në merkaton e janarit ishte edhe qendërmbrojtësi vlonjat, Valdo Zeqaj. 24-vjeçari ndryshoi skuadër, por emri i saj ishte sërish Flamurtari. Bëhet fjalë për klubin nga Prishtina, që ka të njëjtin emër si ai vlonjat, teksa militon në Superligën kosovare dhe aktualisht pozicionohet në vendin e nëntë. Synimet e Flamurtarit të Prishtinës janë të mbijetojë në elitën e futbollit kosovar. Atë që Zeqaj nuk arriti dot ta bënte si pjesë e kuqezinjve të Vlorës, tashmë kërkon ta arrijë në Kosovë.valdo zeqaj

Ne një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi që ka luajtur edhe për Luftëtarin, Vllazninë, Apoloninë dhe Besën në kampionatin shqiptar, tregon pse vendosi të rikthehej në Kosovë, si dhe shpreh keqardhjen për gjendjen ku ndodhet ekipi vlonjat këtë sezon. Ai bën të ditur se vendimin për t’u larguar në janar e mori në kuadër të profesionalizimit dhe për të vijuar karrierën në një ekip tjetër ku ndihet më mirë. Sipas tij, aktualisht në futbollin kosovar po investohet më shumë se në Shqipëri.

Nga Flamurtari i Vlorës tek ai i Prishtinës. Pse kjo zgjedhje?

Nuk më ndahet zemra nga Flamurtari (qesh). Është thjesht çështje profesionale, asgjë më shumë.

Si ndiheni në ekipin kosovar?

Këtu në ekipin e ri kam gjetur një atmosferë të mirë dhe lojtarë cilësorë. E kemi nisur me fitore, madje arrita të shënoja në ndeshjen e parë. Jam i bindur që do të bëjmë mirë si ekip në vazhdim për të arritur objektivin që kemi.

Ku ndryshon kampionati shqiptar nga ai kosovar?

Unë mendoj se diferenca e vetme është se në Superiore luhet më shumë taktikisht. Por, këtu në Kosovë është duke u rritur çdo vit niveli i lojës. Gjithashtu, edhe infrastruktura po përmirësohet, pasi ka njerëz që po investojnë shumë në futboll.zeqaj

Cila ishte arsyeja kryesore që latë Vlorën?

Ne lojtarët, përveçse e adhurojmë futbollin, e kemi edhe profesion, prandaj duhet të bëjmë zgjedhjet që i shikojmë si më të mira për të vazhduar karrierën tonë.

Si po i shikoni zhvillimet te Flamurtari, teksa shpresat për mbijetesë sapo vijnë dhe po shuhen…?

Flamurtarin vazhdoj ta ndjek akoma. Me gjithë përpjekjet e bëra, nuk shikoj shpëtim për këtë sezon. Siç e dimë, ndeshjet në këtë fazë janë akoma më të forta dhe është shumë e vështirë të marrësh pikë me ekipet pretendente. Në këto kushte, shanset për të qëndruar në Superiore këtë sezon janë shumë të vogla. Nuk besoj se ka vlonjat që nuk i vjen keq për këtë situatë të cilat po kalon Flamurtari. Gjithsesi, unë uroj që klubi të ringrihet sa më shpejt.

 ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"