Nga fatet e sezonit te merkatoja, FSHB nuk vendos. Basketbolli në kaos!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2020 | 20:44

Nga fatet e sezonit te merkatoja, FSHB nuk vendos. Basketbolli në kaos!

Basketbolli shqiptar po kalon një peri udhë vërtet të jashtëzakonshme, teksa ndodhet në një situatë kaotike si asnjëherë më parë. Ndonëse data shënon 25 korrik, ende nuk dihet asgjë mbi fatet e sezonit 2019-2020, edicion i ndërprerë për shkak të pandemisë “COVID-19”.

goga basket

Shumë klube dhe shoqata kanë ngritur shqetësimin e tyre për këtë gjendje, por Federata Shqiptare e Basketbollit vazhdon të mos marrë asnjë vendim, duke iu shmangur përgjegjësisë. Madje prej zyrave të FSHB-së nuk del asnjë përgjigje në lidhje me atë çfarë do të ndodhë me sportin e koshit në vend.

Nëse fillimisht u përpilua edhe kalendari me datat e sakta për një rikthim të mundshëm në parket (dështoi për shkak se nuk u dha leje nga qeveria për aktivitetet sportive në salla të mbyllura, të cilat edhe sot vijojnë të jenë të ndaluara), tashmë po kalojnë javë dhe muaj, ndërsa askush nuk di asgjë. Prej shumë kohësh skuadrat kanë ngritur zërin duke shprehur shqetësimet e tyre për këtë situatë të paprecedentë, por kërkesa e tyre deri tani ka rënë në vesh të shurdhët. Gjithçka është në “black out”, në një kohë kur duhej të kishte nisur përgatitja për sezonin e ri.

Një tjetër problem i madh është edhe çështja e merkatos. Basketbollistët kanë kontratat me skuadrat e tyre të cilat përfundojnë me mbarimin e sezonit, ndërkohë që sezoni po zgjatet pafundësisht. Për të gjitha këto gazeta ka kërkuar informacion në federatë, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kujtojmë se më 9 korrik ishte parashikuar që të mbahej edhe asambleja statutore, por edhe kjo dështoi, pasi federata bëri të ditur se klubet dhe shoqatat nuk i kanë rinovuar mandatet e tyre. Një menaxhim që lë vërtet për të dëshiruar, i cili po e vendos basketbollin para vështirësive të jashtëzakonshme. Theksojmë që të njëjtën situatë Federata Shqiptare e Volejbollit ka arritur ta menaxhojë shumë herë më mirë, duke vendosur pikat mbi i, që nga asambleja zgjedhore, verdiktet e sezonit 2019-2020 apo datat e sezonit të ri.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"