Nga familja te sfida Champions, ja pse “Pleshti” Mesi zgjodhi rinovimin me PSG-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2022 | 10:58

Nga familja te sfida Champions, ja pse “Pleshti” Mesi zgjodhi rinovimin me PSG-në

Kur na ndan vetëm një javë nga janari, koha kur Lionel Mesi mund të gjente akordin me cilindo klub falë kontratës me PSG-në që i skadon në qershor, gjërat kanë ndryshuar. Sipas argjentinases “Ole”, mes klubit francez dhe sulmuesit ekziston tashmë një marrëveshje për të zgjatur kontratën edhe me një tjetër vit, marrëveshje kjo që pritet ende të zyrtarizohet. Por janë të paktën pesë arsye që e kanë shtyrë 35- vjeçarin të marrë këtë vendim, nga ato sportive tek ato familjare.

MESII

PËRSHTATJA PAS FILLIMIT TË VËSHTIRË – Pasi jetoi në Barcelonë për kaq shumë kohë, bëri miq dhe kishte shtëpinë e tij, iu desh ta linte dhe të transferohej në Paris, ku nuk ishte e lehtë për të në fillim. Por me kalimin e kohës, ai vetë theksoi se tashmë ishte përshtatur në mënyrë të përkryer në kryeqytetin francez.

GRUAJA DHE FËMIJËT- “Për mua dhe Antonelën ishte më e vështirë se për djemtë. Mbaj mend që dita e parë që i çuam në shkollë ishte e tmerrshme. U larguam të dy duke qarë, duke thënë se çfarë po bëjmë këtu. Gjithmonë kishim atë frikën se mos fëmijët do ta kishin të vështirë ndryshimin, por ishte e kundërta. Ata u përshtatën shumë shpejt me shkollën, me miqtë dhe janë të lumtur”, tha Leo para Kupës së Botës. Një arsye më e fortë se kjo…

PESHA E BOTËRORIT – Ky trofe i munguar ishte shndërruar në fiksimin e argjentinasit, një trofe për të cilin luftoi dhe punoi gjatë gjithë karrierës së tij. Pasi e arriti në Katar u konfirmua si idhull i argjentinasve dhe me gjithë atë energji të marrë do të përpiqet të rifillojë një fazë të re të karrierës së tij, tashmë si kampion bote.

SFIDA CHAMPIONS ME PSG – Nëse në edicionin e kaluar, i pari i luajtur pa fanellën e Barcelonës, pësoi një eliminim dramatik ndaj Real Madridit, Mesi tani dëshiron të ngrejë trofeun me veshë të mëdhenj edhe me PSG-në, ku në fazën e 1/ 8-ave e pret as më pak e as më shumë se Bajern Mynihu. Një përballje e frikshme, por nëse Mesi do që të sjellë në Paris trofeun e shumëpritur për Naser Al Khelaifin, duhet t’ia dalë. Leo ka fituar tashmë katër Champions League me Barcelonën dhe kjo është, në nivel klubesh, sfida e tij më e madhe.

NIVELI I LARTË – Mentaliteti konkurrues, përveç talentit dhe sakrificës së tij të pamohueshme, e bëri atë të bëhet legjendë. MLS-ja nuk ia ofron dot, yjet e rinj të skuadrës franceze e sfidojnë dhe e motivojnë, mbi të gjithë njëfarë Mbape.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"