Nga Evangjelia Veli te Çullhaj, kuqezinjtë shpalosin objektivat në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 20:30

Nga Evangjelia Veli te Çullhaj, kuqezinjtë shpalosin objektivat në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”

Gjatë prezantimit të djeshëm në Komitetin Olimpik të përfaqësues që do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare në Algjeri, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me disa nga protagonistët e Kombëtares Kuqezi, të cilët kanë treguar objektivat e tyre në prag të këtij kompeticioni.

Lojerat Mesdhetare

EVANGJELIA VELI (Peshëngritje) – Vetëm pak ditë më parë mahniti në Kampionatin Europian të peshëngritjes që u mbajt në Tiranë, teksa fitoi dy medalje ari dhe një argjendi. Evangjelia shkon me ambicie të mëdha edhe pse nuk do të jetë e lehtë, pasi do të garojë në peshën e re 59 kg. “Është një konkurrencë e madhe, pasi do të jetë më e vështirë sesa kampionati Europian, pasi unë nuk do mund të konkurrojë në peshën time 55 kg.

Megjithatë, unë do të bëj përpjekjet e mia, për një rezultat sa më të madh, e pse jo të mos kem synime të fitimit të ndonjë medalje, edhe pse është shume e vështirë për t’u arritur. Kjo edhe nga fakti se jam shumë e lodhur nga përgatitjet për Kampionatin Europian. Unë do të bëj të gjithë përpjekjet e mundshme, vetëm mos na thoni pse nuk sollët medalje”, shprehet Evangjelia Veli, e cila synon vazhdimin e paraqitjeve fantastike në arenën ndërkombëtare.

GRESI BAJRI (Tenis) – Edhe pse është vetëm 15 vjeçe ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në sportin e tenisit. Gresi Bajri do të jetë flamurmbajtësja e Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare. Vajza e talentuar shkodrane shprehet kështu para eventit që do të mbahet në Oran: “Do të jetë shumë e vështirë dhe parashikoj një garë të fortë, shpresoj të zhvilloj ndeshje sa më të bukura, ku të paktën të pretendoj deri në gjysmëfinale. Unë kam nisur fazën përgatitore në Malin e Zi dhe në Shkodër.

Edhe pse sporti ynë nuk ka aktivitete të mjaftueshme, shpresoj se do të jem e mirë përgatitur për këtë turne. Tashmë ndodhem në një formë të shkëlqyer”, deklaron Gresi Bajri, e cila vetëm disa muaj më parë fitoi Kampionatin Europian për moshat U-16 në tenis.

SARA DANDE (Not) – E nisi këtë sport me pasion e dëshirë thjeshtë për të përmirësuar notin, por Sara Dande është shpallur kampione kombëtare për moshat disa herë, ndërsa tashmë do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Para këtij eventi notarja e talentuar deklaron: “Synimet e mia në not janë të përmirësoj kohët personale në 200 dhe 1500 metra. Të tregohem realiste, nuk mund të them se do dal me medalje. Synimi është vetëm përmirësimi i kohës sepse ato shtetet kundërshtare kanë sportistet më të mira në këtë sport dhe do të jetë mjaft e vështirë. Është një konkurrencë e egër dhe mjaft e fortë”.

ARDIT MURJA (Boks) – Shqipëria do të përfaqësohet në “Oran 2022” me katër boksierë dhe një prej tyre është Ardit Murja, i cili do të garojë në peshat 57 kg dhe shkon me objektiva të qarta në Algjeri: “Synimi ynë si gjithnjë është të fitojmë medalje, ku shpresoj të bëjmë më të mirën, e pse jo të mos e ngjisim flamurin tonë në podium”, u shpreh Nurja, i cili është kampion kombëtar në peshën e tij.

INDRIT ÇULLHAJ (Xhudo) – Në eventet kombëtare është një kampion i padiskutueshëm, ndërsa regjistron tituj kampionë edhe në Kampionate Ballkanike. Xhudisti Indrit Çullhaj është pjesë e Shqipërisë në Mesdhetare. Çullhaj duket shumë i karikuar në prag të këtyre lojërave, teksa deklaron: “Objektivat e mia janë të qarta që të kthehem me medalje. Kemi bërë një fazë përgatitore mjaft të fortë, të cilën e kam nisur që në muajin janar e gjatë gjithë kësaj periudhe, mendoj se e shoh veten pak më lart se sportistët e tjerë konkurrues në këtë sport.

Veçanërisht këto kohët e fundit kemi pasur mbështetjen e KOKSH-it, duke na pajisur me bursë dhe kjo na ka ndihmuar për një stërvitje më cilësore dhe më praktike. Me dy fitore unë mund të shkoj direkt në finale, ndërsa me një fitore dhe një humbje unë mund të pretendoj në zonën e bronzit”, deklaron Çullhaj, i cili ka një eksperiencë të madhe në evente ndërkombëtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"